Letërsia Shqiptare

Perrallat e Muzgut - Burre e grua
E marte, 19-06-2007, 10:20pm (GMT)

Gjithçka mund dhe duhej të ishte e thjeshtë mes atyre të dyve (përderisa duheshin), por në të vërtetë po ndodhte krejt e kundërta: Cefali ishte çmendurisht xheloz ndaj gruas së tij, Prokridës; ashtu siç ishte edhe ajo jo pak xheloze ndaj tij. Xhelozia e Cefalit ishte krejt e turbullt, e përgjithshme, e pabazë, sepse gruaja e tij deri atëherë kishte pasur një sjellje shembullore, duke mos i dhënë të shoqit kurrnjë argument (kuptohet, nëse nuk quheshin të tillë shikimet e ndezura mashkullore që ajo tërhiqte rrugës e që lidheshin thjesht me bukurinë e saj të pazakontë). Ndërsa xhelozia e Prokridës (aspak në përmasat e asaj të të shoqit) dukej më e pranueshme dhe lidhej me një emër konkret, me atë të Eojës, që e dashuronte Cefalin si e marrë, dashuri së cilës ai, deri më tash, nuk i qe përgjigjur aspak. Megjithë këto veçanti, duhet përsëritur se të dyja xhelozitë ishin krejt të pathemelta dhe nuk bënin gjë tjetër, veçse ia prishnin e ia nxinin ditët çiftit.

Cefali, Cefali sidomos, ndihej i keqtrajtuar e i fyer nga xhelozia e gruas; ndërkohë që priste të kundërtën: të çmohej e të nderohej prej saj për vetë rezistencën e pashëmbullt që u kishte bërë deri më tash joshjeve e këmbënguljes së Eojës për ta bërë atë të sajin.

Ndërsa Prokrida ndihej e përkëdhelur në sedër dhe e kënaqur nga xhelozia e burrit, e bindur se e meritonte atë: nuk qe kaq e thjeshtë të ishe njëkohësisht edhe femër e bukur (e adhuruar dhe e dëshiruar prej të gjithëve), edhe grua besnike.

Dihen gati prej të gjithëve ato që ndodhën më pas. Eoja një ditë (këmbëngulja e saj bëhej më e egër dhe më dinake, sa më shumë që i plakej e i dobësohej i shoqi, Tritoni) ia ndryshoi pamjen e veshjen Cefalit, aq sa Prokrida nuk e njohu kur e takoi, dhe ra në dashuri me të. Kur e kuptoi tradhtinë e saj (kurrë s'e patën tamam të qartë as ajo e as të tjerët me të cilët diskutoi, nëse mund të konsiderohej si i tillë akti i kryer, apo thjesht një çast dobësie), Prokrida e panjollë u ndie e turpëruar dhe iku larg të shoqit. Në të njëjtin gabim do të binte kohë më vonë edhe Cefali, kur fisnikja Artemidë (aspak me synimet e Eojës) do t´ia ndryshonte pamjen dhe veshjen Prokridës.

Në rrethana të tilla, dy bashkëshortët u ndien krejtësisht të barabartë dhe ia falën njëri-tjetrit tradhtinë reciproke (kështu vendosën ta quanin, meqë lidhej me të shkuarën e tyre). Por ata të dy s´mund ta kuptonin se tashmë nuk ishte në dorën e tyre ta falnin apo ta fajësonin njëri-tjetrin. Shenjtëria mes tyre kishte humbur. Ata, më në fund, ishin lodra në duart e fatit e të rastësisë.

Rastësisht (duke e pandehur për kafshë të egër pylli) do ta vriste Cefali Prokridën, teksa ajo po përgjonte më xheloze se kurrë.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.