Perrallat e Muzgut - Brenga e Tritonit
E marte, 19-06-2007, 10:21pm (GMT)
Gati të gjithë e kanë zili Tritonin dhe fatin e tij. Nuk është pak të jesh në shpurën e Poseidonit të plotfuqishëm dhe të kesh një pallat të artë nën det. Por mbi të gjitha, Tritoni ka privilegjin e madh të jetë zotëruesi i guaskës së detit, e cila zbut si me magji dallgët e tërbuara, pikërisht ato dallgë që Poseidoni i ngre me zemërimin dhe sfurkun e tij tridhëmbësh. Në një farë kuptimi, Tritoni është edhe ndërmjetës mes Poseidonit sedërmadh dhe detarëve që lypin mëshirë. Ndaj dhe prej kohësh ka fituar respektin, mirënjohjen dhe adhurimin e tyre.
Por jo edhe frikën e tyre. Sepse të gjithë e dinë tashmë se roli i tij është thjesht ai i një zbutësi, i një qetësuesi. D.m.th. roli që kanë në përgjithësi ndërmjetësit. Kuptohet që fati i Tritonit është i lidhur pazgjidhshmërisht me Poseidonin dhe trillet e tij. Pikërisht ky fakt e brengos jo rrallëherë Tritonin shpirtmadh. D.m.th. pamundësia për të ngritur tallaze të tërbuara, që dikush t´ia ketë edhe frikën ndonjëherë. Sepse jo rrallëherë ndihet i velur me respektin dhe admirimin e të tjerëve.
(Ndërsa rasti kur përmes guaskës së tij nxori një britmë aq të thekshme, saqë i detyroi bijtë e Gjeas të iknin të lemerisur, veçse i kujton rininë e herëshme; kohërat kur dy gjysmat e tij-njëra prej njeriu dhe tjetra prej peshku-jetonin në harmoni të përsosur mes njëra-tjetrës).
|