Punë e madhe pse n’luadhe
Nuk kullot asnjë kunadhe.
Punë e madhe pse n’Ulqin
Nuk jeton asnjë pinguin.
Punë e madhe pse në Shkodër
Hidhen n’valle ‘dhe pa lodër.
Punë e madhe pse n’Shëngjin
Lopa ha ndonjë shalqin.
Punë e madhe pse n’Tiranë
Askush s’lahet në lumin Lanë.
Punë e madhe pse në Vlorë
S’ka dordolec as dëborë.
Punë e madhe pse n’Sarandë
Ka shtëpi edhe me verandë.
Punë e madhe pse n’Tropojë
Përrallat tregohen me gojë.
Punë e madhe pse në Strugë
Dikush ha me dy lugë.
Punë e madhe pse në Shkup
Macet nuk pijnë shurup.
Punë e madhe pse n’Preshevë
Dikush hidhet e bën grevë.
Punë e madhe pse n’Koliq
Foshnjat lindin lakuriq.
Punë e madhe pse n’Pollatë
Nuk ka bisht ndonjë sopatë.
Punë e madhe pse n’Gjilan
Nuk brrurin asnjë luan.
Punë e madhe pse n’Prishtinë
Dikush ngutet me makinë.
Punë e madhe pse n’Llap
Dikush nxiton me vrap.
Punë e madhe pse n’Orllat
Ndonjë fëmijë pshurret n’shtrat.
Punë e madhe pse n’Llaushë
Dikujt i dalin rrenët n’fushë!
Punë e madhe pse n’Tushilë
Nuk ka deve as gamilë.
Punë e madhe pse n’Rogovë
S’gjendet fusha Domosdovë.
Punë e madhe pse në Zym
Çdo shtëpi nxjerr nga një tym.
Punë e madhe pse n’Prizren
Një mi mbytet në legen.
Punë e madhe pse n’Istog
Djeg mustaqet një maçok...
Punë e madhe pse Eskimwt
Nuk i mbjellin pemë-perimet.
Punë e madhe pse n’Angli
Nënat nuk gatuajnë fli.
Punë e madhe pse në Denjepër
Nuk mban syze dhi e egër.
Punë e madhe pse Tibeti
Rri mbi kokën e çdo mbreti.
Punë e madhe pse Sulltanët
Nuk i panë kurrë ekranët.
Punë e madhe pse n’Saharë
Nuk ka barë as kostarë.
Punë e madhe pse Kali i Nilit
S’ia theu nofullat Krokodilit.
Dhe i thanë Kalit të Nilit:
-Pse s nuk ia then nofullat
Krokodilit?
Dhe tha kali i Nilit:
-Nga të marr fuqinë?
S’po ma jepni tagjinë!...
E dëgjuan dy beduinë
Ia shpurën tagjinë,
Një anije plot me grurë
Ia shpurën nën një urë.
Përlau tagjinë,
Mori fuqinë
Kali i Nilit
U hodh
Ia theu nofullat
Krokodilit!
Punë e madhe pse Platoni
S’dinte ç’ishte telefoni.
Punë e madhe pse ra Troja
Punë e madhe, m’u lodh goja...
Por nuk është edhe punë e vogël
Deri sa krimbi shpon një gogël!...
***
Punë e madhe pse m’duartrokitët
Unë u lodha-
Ju ndoshta u zbavitët....