MASKA E KEQE
E marte, 19-06-2007, 10:49pm (GMT)
Ky nipi im Dreni, sa ka mbushur tre vjet e gjysmë. Çudi sa i pjell mendja. Një natë më tha: - Ma blej një maskë! - nuk m'i ndante sytë. Diktova se kjo dëshirë ishte e madhe. - Maskë?! - e pyeta. - Po. - Çfarë maske? - Maskë të keqe, shumë të keqe... - Po, ç'po të duhet maska e keqe?! - Ta vë kështu... - bëri me duar sikur e vuri një maskë dhe po e mbante me të dyja duart e vogla... - Pse ta vësh maskën e keqe në fytyrë?! - Të dal e t'i tuti milicët kështu: uaaaaaaaa!" - u kreshpëru, u hap, lëshoi një zë të ngjirur. Kjo ishte dëshira e tij t'i frikësonte policët që silleshin çdo ditë nëpër lagjen tonë.
|