| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Analize e veprimtarise dhe vepres se Risto Siliqit E marte, 19-06-2007, 06:02pm (GMT) Ai ngre zërin me forcë që t’anulohen zgjedhjet e bëra për „komisionin e beledijes“ dhe të lejohet populli i gjithë të votojë e të zgjedhë përfaqësuesit e vet, se këta që dualën nga zgjedhjet, thot ai, „meritojnë m’u dbue si tradhëtarë e jo me përfaqësue popullin e Shkodrës“. Ai luftonte kështu kundër sistemit ultrareaksionar që kishte zbatuar në Shkodër komisioni ndërkombëtar për zgjedhjet e pushtetit lokal me anën e së cilit kishte qenë krijuar mundësia të dilnin në pushtet përfaqësuesit e aristokracisë tradhëtare ose vegla qorre të komisionit në fjalë. Një vend të gjërë në gazetën e tij zënë artikujt që merren ,me çështjen e kufijve dhe me qëndrimin e Fuqive të Mëdha e të vendeve fqinjë mbi Shqipërinë. Sikurse të gjithë patriotët tanë të kohës edhe R.Siliqi kërkonte të siguronte mbështetjen e një fuqie të madhe për çështjen shqiptare, duke përfituar nga kontraditat midis tyre. N’artikujt e parë duket qartë qëndrimi i tij shumë i përzemërt veçanërisht me Austrinë. Por mbas kongresit të Trieshtës, mars 1913, kur i kuptoi mirë qëllimet grabitqare t’Austrisë dhe t’Italisë kundrej Shqipërisë ai u bashkua me Nikollë Ivananë për të demaskuar qëllimet e vërteta të kësaj politike. Duke braktisur Austrinë dhe Italinë ai kapet mbas Anglisë dhe e paraqet qëndrimin e saj mjaft të favorshëm për Shqipërinë, sepse shihte që Anglija në pragun e luftës së parë botërore ishte e interesuar për kufizimin e influencës së Austrisë dhe Italisë në Ballkan dhe në Shqipëri. Duke kujtuar se më në fund do të marrë një punë shtetërore ai e hoqi emrin e vet si kryeshkronjës i gazetës pak ditë para se të vinte Vidi në Durrës dhe kërkoi të bëhej nëpunës. Por kërkesa e këtij patrioti nur u pranua dhe ai mbeti gjithnjë pa punë. Duke qenë ngushtë ekonomikisht, Risto Siliqi u fut si ndihmës avokat dhe më vonë arriti të hapë zyrë avokatore më vehte. Që nga kjo kohë ai filloi të mënjanohet nga fusha politike. Në mars 1922 e emërojnë gjykatës në Vlorë ku, po atë vit, botoi librin me titull „E drejta kambjalore“ , i cili përmban një studim me karakter juridik, që synon ta bëjë ligjin e shtetit t’aftë, t’u përgjigjet rrethanave të reja të zhvillimit industrial dhe zgjerimit të marrëdhënjeve tregëtare në perspektivë. Më vonë e gradojnë sekretar të parë të Ministrisë së Drejtësisë, ku punoi shumë për korigjimin e ligjeve dhe aftësia e tij u bë shpejt e njohur n’atë kohë si jurist. I influencuar nga rryma përparimtare që përgadiste revolucionin e qershoriz 1924, ai kërkoi dorëheqjen nga ky post, nxori lejen e avukatisë dhe shkoi në Shkodër, ku punoi si avokat dhe pati një vend të nderuar në shoqëri. R.Siliqi u njoh me shqipen si gjhuhë shkrimi, kur erdhi në kontakt me veprat e letërsisë sonë të Rilindjes, nën influencën e së cilës ai filloi edhe të vjershërojë aty nga viti 1900. Me gjithë gjuhën e rëndë, këto vjershat e tij të para düeshmojnë për një talent poetik në formin e sipër. Në fillim kemi një tematikë të ngushtë nga jeta intime ku poeti i ri del me tiparet e një romantiku të shwetësuar që kërkon të jetojë vetëm me boten e tij tüe vr¨ndshme. Më vonë poeti delnga kjo botë intime dhe i lund interesi për ambjentin e ngushtë ku jeton. Këtu kemi disa poezi moralizonjëse ku ai jep këshilla për të mos pasur cmirë të tjerët, ose për ruajtur pastërtinë dhe i dhimbsen të varfërit e kurbetllitë, që vuajnë e vdesin pa njeri të vetin pranë. Në një kohë më të vonë, ai bën përpjekje ta zgjerojë botëkuptimin e tij dhe na e shohim të habitur përpara fenomeneve të natyres e të pazotin t’i spjegojë ato shkencërisht. Tani fillon të duket gjithashtu satira shoqërore e politike tek ai. Me një ironi të këndshme poeti vë në lojë pijanecët të cilëve u është bërë pasion e pira dhe kerkojnë të justifikohen kot më kot; satirizon polotiken djallëzore imperialiste të kohës ose u sillet me ironi të pasurve që shfrytezojnë masën dhe kënaqen kur notojnë mbi detin e lotëve të tyre. Meghithse një si mëshirë kristiane e një farë supersticioni i përshkon këto poezi të para, duket qysh këtu i riu që kerkon t’udhëhiqet në jetë nga parime të larta morale e shoqërore. Ai i drejtohet flamurit të reckosur nga lufta dhe të pluhurosur nga robëria e gjatë, që pret të vihet prapë në krye të betejave për liri. Duke soditur bukurinë e liqenit atij i lind dëshira për lirinë e atdheut, ose evokon të kaluarën e lavdishme të vendit tonë. Duke përmendur namin e hershëm të Shqipërisë, sillet me urrejtje kundër robërisë turke dhe bën thirrje për luftë, se s’kemi ç’presim nga Evropa. Skënderbeu paraqitet si një diell që dritte Shqipërinë dhe pa tjetër do ta shndrisi prapë. Njëra nga këto poezi, “Vegime”, shquhet mbi të tjera për figurën poetike dhe besimin e patundur që shpreh poeti për çlirimin e shpejtë t’atdheut. Këto të fundit me temë patriotike që u cituan, ai e botoi në librin e tij “Pasqyra”, por duke u bërë disa ndryshime. R. Siliqi është nga poetët e fazës së fundit të Rilindjes sonë që kënduan me krenari atdhenë e të kaluarën e popullit Shqiptar, për të ngritur lart ndërgjegjën kombëtare të masës. Por ajo që e karakterizon poezinë petriotike të tij, e cila u frymëzua nga zjarri i kryengritjes së vermut, është toni sulmues e luftarak i shprehur aty me pasion. Gadi të gjitha këto poezi janë të lidhura ngushtë me problemet aktuale të lëvizjes kombëtare për lirinë dhe sigurimin e pamvarësisë. Aty shifen qartë luhatjet shpirtërore të poetit sipas rrezikut që pëson çështja kombëtare kohë më kohë. Me qenë se kjo periodë e botimeve të tij, në vigjiljen e çlirimit t’atdheut dhe fill pas fitores së pamvarësisë, është një nga periodat më kritike për çështje nazionale, edhe motivi patriotik i tij herë çfaqet me një ton sulmues si një kushtrim për luftë, herë si shfrim i urrejtjes së tij të thellë kundër faktorëve të mbrendshëm e të jashtëm që e pengojnë fitoren e lirisë dhe forcimin e pamvarësisë, herë kumbon si një hymn për bashkim në luftë. Libri “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” me 176 faqe, botuar në Trieste me 31 korrik 1912, d.m.th. 3-4 muaj përpara shpalljes së pamvarësisë, përmban 20 kapituj prozë dhe 28 poezi. Proza është një kronikë historike e ngjarjeve të kryengritjes së veriut, nga korriku 1908 deri në gusht 1911. përveç përpjekjeve të veçuara që filluan në Kosovë përpara kryengritjes së përgjithshme, aty përshkruhen me hollësi dy ekspeditat e mëdha t’ushtrisë turke në vendin tonë, ajo e Xhavit Pashës më 1909 dhe, nga pranvera e 1910 e tutje, ajo e Turgut Pashës me një ushtri 70 e sa mijë vetash, të pajisur me armatimet më moderne të kohës, të veshur e të ushqyer mirë, pjesa më e madhe e të cilëve lanë rrashtën në malet tona, kur u gjenden përballë shqiptarëve, që ishin ngritur me huta, sopata e kmesa në dorë, për t’i mposhtur forcat anadollake e për t’i përzënë, nga vendi. Veç këtyre poezive të librit “Pasqyra” në shtypin e kohës, deri më 1915, R. Siliqi botoi mjaft poezi, ku motivi patriotik del me aspekte gjithfarësh. Në poezitë e para-pamvarësisë ky motiv del si kushtrim i fortë me një ton heroik për luftën e lirisë. Mbas shpalljes së pamvarësisë një hare e papërmbajtur shpërthen nga zemra e poetit dhe motivi i tij patriotik ngrihet si hymn lavdie për jetën e këndëshme në Shqipërinë e çliruar, të cilën natura e tërë e ledhaton. Tomorri, simbol i lirisë tek Naimi, Çajupi e gjithë Rilindasit e tjerë, merr një pamje madhështore e krenare: Plasi agimi, nkuqi qielli, Por kohët janë të vështira dhe pamvarësia e atdheut rrezikohet orë e ças. Atëherë motivi i tij patriotik bëhet i vrazhdë, egërsohet dhe e tërë kjo tabllo e gëzueshme e Shqipërisë errësohet për të shprehur zemërimin e thellë të poetit që sulmon pa mëshirë feudalët, fanatikët e imperialistët. Më 1913, kur elementët reaksionarë dhe fanatikët e prapambetur ishin bërë mbështetja e propagandës turke dhe e Esat Pashës dhe ishin ngritur haptas me parulla antikombëtare për të shkatërruar pavarësinë e për ta kthyer prapë Shqipërinë, në një provincë turke, R. Siliqi shkruante poezinë e tij më të fortë patriotike « Trathtorve të kombit », që është një kamxhik i fuqishëm kundër këtyre elementeve që po pregaditnin një rrezik të madh për vendin. Të dhjetë strofat e kësaj poezije janë dhjetë mallkime që godasin mu në shpirtin e këtij reaksioni : Ç’asht kjo mynxyrë ? Cilit komb jemi ? S’doni agimin e ditëve t’bardha ? Më 1915 kur kjo kryengritje po përmbyste shtetin e ri shqiptar, R. Siliqi, sikurse edhe gjithë patriotët e tjerë demokratë të kohës, nuk e dalloi dot karakterin përparimtar që mori ajo më vonë kur u bë musive dhe u kthye në një luftë klase kundër bejlerëve. I tronditur nga parullat e saj antikombëtare, ai e konsideroi kryengritjen gjithnjë si vegël të feudalëve dhe të turqve të rinj, që po shkatërronte çdo fitore nazionale për të sjellë një robëri tjetër. I frymëzuar nga këtë rrethana kaq kritike në poezinë “Shumvuejtunit Atdhe”, një nga lirikat e tij më të ndjera patriotike, poeti zemërplasur shpërthen si vullkan zemërimin kundër feudalëve e fanatikëve kah shikon se një valë shkatërrimtare po vërshon në gjithë vendin për të mos lënë gjurmë nga jeta jonë kombëtare e pamvarur. Po aty ai i betohet Adriatikut n’emër të tërë kombit se gjithë këta armiq do të hidhen në det. Motivi patriotik tek poezitë e R. Siliqit trajtohet shpesh së bashku me MOTIVIN SHOQËROR, sepse poeti n’artin e tij më shumë pasqyronte aspiratat e masave të shfrytëzuara të qytetit e të fshatit, — që e shikonin çlirimin e atdheut si kusht të domosdoshëm për krijimin e konditave më të mira të jetesës, për çlirimin e vetvehtes nga barra e rëndë e një shfrytëzimi dyfish. Një nga poezitë e këtij lloji është poemthi “Luftari ynë”, ku poeti këndon për luftën e vendosur të një fshatari të varfër që braktis fëmijtë e del malit të luftojë për çlirimin e atdheut dhe për të fituar të drejtën e një jete më të mirë. E shkruar n’ambjentin e kolonisë shqiptare të Sofjes, ku fryma e lëvizjes demokratike patriotike bullgare dhe ushtima e revolucionit demokratik borgjez rus 1905-1907 kishin lënë gjurmat e tyre të theksuara, kjo poezi mban vulën e ndikmit të kësaj kolonije, që e shikonte lëvizjen kombëtare nga pozita mjeft të përparuara demokratike. Duke kënduar për luftën e këtij përfaqësuesi të fshatarësisë, që mbushi radhët e kryengritjes duke luftuar me trimëri jo vetëm për lirinë e atdheut, por edhe për të fituar të drejtat shoqërore, poeti shprehte bindjen se fitorja e pamvarësisë do të sigurohej vetëm nga shtresat e shfrytëzuara e revolucionare të popullit. Lufta me karakter të dyfishtë “për liri kombëtare e shoqërore”, siç del këtu, është theksuar shpesh tek shkrimet e R. Siliqit, sidomos tek poezitë e para të pamvarësisë. Por mbas çlirimit frutet e luftës së popullit i korrën po feudalët. Mjerimi u shtua edhe më shumë në masë. Në poezinë e R.Siliqit fillojnë të pasqyrohen me keqardhje figurat e fëmijëve të dëshmorëve t’atdheut që mbesin rrugëve “veç tuj lypun derë më derë”. Tek figura e nënës të cilën e rrahin dhe i shkarkojnë drutë që i ka marrë në pyll për të ngrohur fëmijët e saj jetima në mes të dimrit, njeriut, bashkë me keqardhjen e thellë për këtë familje që vuan, i lind në shpirt edhe protesta kundër pronës private e pushtetit të dhunës, kur shikon nënën e mjerë të kthejë në shtëpi duarthatë: “Arriti n’shtëpi e varrun, Në një tjetër protesta nuk del vetëm indirekt si këtu, por bëhet drejt për së drejti kundër klasës së pasur, atyre që “janë ulë në frone t’buta, në majë të pallatit, “zgërdhihen midis shampanjes së kuqe j*o shkumbëzon” dhe nuk duan të ndëgjojnë britmën e një plake të reckosur që dridhet së ftofti e kërkon lëmoshë atje poshtë tek porta. Dhe poeti është i bindur se kjo botë gënjeshtare, kjo klasë e pasur, që “mbretnon në botë” dhe e ndien vehten “të patundun” është e kalbur dhe do të rrëzohet: “E çdo ndërtes’ që ngrihet Edhe MOTIVI I DASHURISË tek poezia e Ristos është trajtuar nga një herë së bashku me motivin shoqëror e patriotik. Tek poemi “Mrika në shangull”, duke kënduar për dashurinë poeti ngre një problem shoqëror. Kjo poemë është një nga krijimet poetike më të bukura të R. Siliqit. Fillimi dhe fundi janë pjesët më të mira që dëshmojnë për cilësi të larta artistike tek poeti. Subjekti është i thjeshtë: Mrika, një vashë e vobegtë e malësisë, shumë e bukur, dashurohet me një djalë dhe mbetet shtatzanë. Duke e parë të pamundur jetesën nën presionin e moralit të shoqërisë që e dënonte një akt të tillë më shumë se një krim, u detyrua të mbytet n’ujë. Këtë subjekt të ngritur nga realiteti i jetës sonë patriarkale në fshat, poeti e ka trajtuar në art nëpërmjet të një bote romantike në mes të natyrës, ku vetëm për pak kohë zotron jeta e gëzueshme dhe opastaj vetmia me një notë keqardhje e pikëllimi.. Por veshja romantike nuk ja mohon karakterin realist kësaj poeme. Vetë thelbi i problemit që zhvillohet aty formon një aspekt me rëndësi të realitetit të jetës sonë në rrethanat e shoqërisë me klasa antagoniste, ku një moral cinik e antinjerzor e bën të pamundur realizimin e dashurisë së madhe midis të rinjve dhe i detyron ato të humbin jetën. Një kreaturë aq e bukur, aq e thjshtë, e çiltërt, e dashur dhe krejt e pafajshme si heroina e poemit „Mrika“, rrokulliset nga shkëmbi dhe çduket në gjirin e valës së tmerrshme t’ujit. Lexuesi mallkon zakonin, moralin dhe vetë shoqërinë për këtë krin të tmershëm. Para së gjithash R. Siliqi si poet është vazhdues besnik i artit të Rilindjes. Poezia e tij të frymëzon me urrejtje dhe me optimizëm, të ngren krenarinë kombëtare dhe të mobilizon për luftë deri në fitore. Një ton luftarak dominon në poezinë e tij patriotike. Një notë pikëllimi përshkon një pjesë të këtyre poezive. Por nga pikëllimi i tij del një duf zemërimi, një protestë dhe një kushtrim për luftë kundër armiqve. Dhe këtu poezia e tij patriotike lartësohet më shumë n’art, bëhet e tërë një figurë e fortë artistike mjaft e frymëzuar që të trondit. Nuk kemi te poezia e tij një pasqyrim aq konkret të natyrës e të jetës shqiptare siç gjejmë tek Çajupi dhe Asdreni disa herë. Këto aspekte të realitetit të jetës së shoqërisë sonë janë pasqyruar në veprën e R. Siliqit si shpërthim i vrullshëm momental i ndjenjes për një çështje lidhur me popullind he atdheun e tij. Prandaj poezia patriotike e tij ka dalë me tiparet e një poezie romantike përparimtare, si zakonisht tek Rilindasit, këtu e gëzuar e hareplotë dhe atje e pikëlluar e patetike. Egzaltimi i së kaluarës dhe parashikimi i s’ardhmes në formë të përgjithshme, jo të përcaktuar ose utopike, është një nga specifikat romantike, t’artit të rilindjes sonë, që karakterizon edhe poezinë e tij. Idealizmi i heronjve të hershëm si Skenderbeu etj., dhe i luftrave bashkëkohas e bëjnë më të theksuar notën romantike në poezinë e R. Siliqit. Ndërtimi i poezive të tij bëhët zakonisht mbi një sfond të natyrës romantike ku zhvillohet subjekti. Disa herë përshkrimi i tabllove të natyxrës së bukur bëhet veçenarisht dhe nur shkrihet në një figurë të vetme me subjektin që zhvillohet. Por janë të shpeshta rastet kur elementet e natyrës shkrihen me ndjenjat e personazheve a të vetë poetit për të krijuar një figurë të lartë artistike. Në këto raste kemi një lirikë të bukur që shënon pikën kulminante t’artit të tij poetik. Gadi të gjitha çastet e tronditjes shpirtërore të Mrikës p.sh. kanë dalë aq të forta vetëm atëherë kur janë dhënë nëpërmjet të një figure të ujdisur me elemente të natyrës. Përgjithësisht në poezinë e tij dominon natyra e qartë, e dlirtë dhe e bukur. Aty-këtu ndryshimet në natyrë përdoren për të bërë efekt të caktuar psikologjik. Preludi i poemës „Mrika në shangull“ p.sh është ndërtuar me mjeshtri të veçantë artistike mbi sfondin e natyrës n’agim, ku zotron një notë keqardhje e dhimbje që do të përshkojë gjithë poemën. Aty ku pikëllimi i tij arrin kulmin, natyra errësohet dhe përshtatet me ndjenjat e poetit. Vetëm me një varg të tillë del atëherë një pamje e plotë e situatës së turbullt në Shqipëri që të trondit: „Dhe ndër male n’errsin mblue pisha e liris’ shqymë e sosë“ Risto Siliqi është një poet me fantazi mjaft të zhvilluar. Përshkrimi i gjallë, tabllotë e bukura të natyrës etj., dëshmojnë për këtë. Sidomos tablloja dhe potreti në poezinë e tij janë dy mjete artistike që shquhen. Tabllotë e pejsazhit në mëngjez, gjatë ditës plot diell në buzë të pranverës, në mbrëmje, n’anë fshatit, buzë lumit a në mes të fushës së gjelbëruar, janë krejt reale. Në potretin e luftëtarit që bie heroikisht në fushën e betejës për lirinë e atdheut, a të vashës së bukur, janë shkrirë karakteristikat fizike me ato shpirtërore për të dhënë tamam tipin që duhet. E tërë poezia “Trathtorëve të kombit” p.sh është një thirrje dhe një pyetje mjaft e fortë. Rima zakonisht është ndërtuar mirë. Poeti i ka vënë kujdes rimës qysh në poezitë e tij të para. Tek të fundit ka një rimë të rregullt pa artificialitet. Ai fillon të vjershërojë në formë vargu me rimë të paqur ose t’alternuar dhe arrin të thurë poema të tëra strofike, poezi 16 rrokëse, e 8 rrokëse të rimuara gjithfarësh. Megjithëse jo me shumë sukses ai përdori edhe tingëllimin. Refrenin e përdor shpesh herë nëpër këngë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||