Letërsia Shqiptare

Më jepni bekimin tuaj
E marte, 19-06-2007, 10:59pm (GMT)

Të jesh flokëlagur nga shiu
Në qoshen gjysmë të errët të një lokali
Ngrohur nga fryma e pëshpëritjeve
E zëri i mbytur i një saksi,
Dhe të duash të rrëfehesh
Para njerëzve të tu më të dashur
Pa pritur çastin e vdekjes,
E t'u thuash
- Baba, ka shumë kohë që të kam tradhtuar!
- Burrë, ka ca kohë që të kam tradhtuar!
- I dashur, ka që dje që të kam tradhtuar!
Do të nisem nesër
Pa zbardhur drita
Esëll, me një çantë kryqëzuar krahëve,
Zbathur, me sandale kryqëzuar këmbëve,
Do të ngjitem në majën e atij mali të lartë
Ku jeton dhia e egër virgjëreshë,
-Ju lutem, më jepni bekimin tuaj!
(Dhe ata me siguri do ma japin
Se më duan shumë,
Por s'ditën të më mbajnë).


Lutje për atë që ikën
sipas lutjeve të
Nënë Terezës

Ndihmoje, o Zot
Atë që ikën
Ta marrë me vete kujtimin
Dhe atë që mbetet
Ta ruajë në vete kujtimin.

Ndihmoji, o Zot
Ata që ndahen
Që kur takohen
Mos shihen si dy të panjohur
Por të ndiejnë
Se nuk janë ndarë kurrë.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.