Rita Petro (Filipi) ka lindur në Tiranë më 13 mars 1962.
Në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Më 1993 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë Greke. Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe është aktivizuar në shumë grupe pune për programet, standartet, trajnimet që lidhen me lëndën e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë.
Rita Petro është bashkëautore në gjashtë tekste shkollore, redaktore e disa prej teksteve kryesore të letërsisë që përdoren aktualisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si dhe themeluese e revistës mujore për fëmijët "Alba" që shpërndahet në të gjitha këto treva.
Si poete Rita Petro ka botuar dy vëllime me poezi, të cilat janë vlerësuar nga kritika letrare:
Vargje të përfolura (1993)
Shija e instiktit (1998)
Në vitin 1999 ka fituar çmimin "Onufri" në Ditët Poetike të Verës, Elbasan. Që prej dy vjetësh (së bashku me z. Latif Ajrullain) drejton Shtëpinë Botuese "Albas" me qendër në Tiranë dhe Tetovë e cila si politikë botimi ka librat shkollorë.