Gjyshemira, flokëthinjura ime e dashur
si patën guxim të më thonë se ke vdekur
më vranë shpresën më hapën plagë në zemër
shpirtin ma thau loti gur i dhembjes
e më vërshoi ai lumë i mallit.
Gjysheurta ime, përralla e kënga
ata më thanë, po ti s'ke vdekur
jo jo në mua e për mua s'ke vdekur
urtësia ime, s'ju besoj fjalëve kob
as kështu siç jam në këtë amulli
po më thuaj njëmend, gjyshe - thinjoshja ime
a kam vdekur unë i mërguar a ke vdekur ti?
Jo jo
ti s'ke vdekur se amanetin s'ma the
kam vdekur unë
që s'ta hodha sipër as një grusht dhé!
Eh, dhembje, vdekje, e zezë jetë
gjyshe më thanë syhapur shkove
me mallin për nipat në kurbet
jetëzeza jetë - medet;
ti shkove syhapur me mallin për nipat
e neve rrugëve të botës na verboi malli
shpirt e zemër flakë na i kalli.
Njeriu syhapur në vendlindje vdes
po ne në kurbet të verbër nga malli
errësirë e dhembje mbrëmje e mëngjes.
E dashura gjyshe njerëzit ndërrojnë jetë
në atdhe s'vdesin jo - në kurbet vdiqëm ne
për së gjalli të mbuluar nga dhembja e malli
ashtu siç mbulohen kufomat me dhé.