Atje i dhunuar i ndjekur nga shtëpia
këtu i përbuzur i huaj pa shtëpi
armik i rrugëve - rrugët në sy
gjithë bota e vogël për çerdhen e tij.
Shpirti i shtegtarit det kurrë i qetë
lëngon të prehet s'paku njëherë në jetë.
Patjetër diku në një shtrat
që askush s'e di ku e kur
do të mbulohet me një jorgan dheu
e nën kokë do ta vërë një gur
po s'është i sigurt a do të jetë i tij edhe varri
që s'paku i vdekur të mos shtegtojë shtegtari!
***
Rrugëve
në botë i pa botë
dhembjeve
në jetë i pa jetë
plot dashuri
edhe në varr i pavarr
në këngë
pafundësisht - shtegtar!