Letërsia Shqiptare

Ditë – Natë e Nëmur
E hene, 17-12-2007, 08:07pm (GMT)

Ditë – natë e nëmur!-
Mallkoi gjyshja një shekullore
Pasi i mbaroi së treguari
Përallën e radhës mbesës lazdrane.
Në rrudha nuk i numërohen vitet,
As në duart e fishkura
S'i parashikohet fati,
Më as ëndërrat nuk i dalin.

Dhe vajza gjumin gëlltiti siç kapërdiu
Peshku ëngjëll luspë-artë smeraldin.

Dita vjen me çizmet gjith' baltë,
Cigare tymos,nganjëherë edhe hashash.
Epshin nginj me vajzat
Që "Ate" punë në ëndërr e kanë bërë
Vetëm me Princër Të Kaltër.

Rebelohet dita,
Mbas saj edhe vajzat,
Që virgjërinë pa drojë flakën,
Kurse çafrçafët e përgjakur
Përsipër ua hodhën gjysheve llafazane.

Djelmoshat hënën kafshuan
Që terri të mbrrinte nga rrugë e largët.

Nata ëndërrbraktisur zgjohet si lugat
U fikën dritat,zemra pësoi atak.

Duart dridhen
                         - rënkime e dhimbje.

Nëna e re qumësht për foshnjën s'ka
Veten harroi nga veshkat e thara.

Ende besonte tek mirësia.

Në terrin e gjërave të zhurmëshme
Iu fanit sikur mbrriti helikopteri bardhë.
Gjaku ëndërrën ia prishi,
Foshnja filloi sërisht të qajë.

Në çastin fatal
Shpërfilli dy milionët e udhëtimit,
Klinikat e heshtura,kujdestaret e natës,
Fytyra e foshnjës më pranë i erdhi
Për t'i derdhur lotët e mallit.

           * * *
Në çastet që terri
Vendin do t'ia linte agut
Gjyshja që ditë-netët kish nëmur
Lutej veç për gjumin e ëmbël të vajzës.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.