Letërsia Shqiptare

PRONËSI
E merkure, 20-06-2007, 12:00am (GMT)

Nga të “vërtetat” që i njoh
si në përmbajtje
si në sasi,
më mbeti një që s’di të ngrohë
pa fluks,
si natë pa dashuri.
Ajo që kam më spekulloi
me një preteks naiv më lodhi,
improvizoi
furtunë e gjumë
e gjysmën e rinisë më vodhi.

Kjo e “vërtetë” që mirë më njeh
tund kokën
e cigaren thith,
si ta lëshoj kur nuk më le
k’të ligj të rreptë që duart lidh.
Dhe qarkullon me emrin tim
ka fatin tim
në dorë, në vija
më ngjet kaq shumë saqë më tremb,
si impotentin dashuria.

* * *

Ka të “vërteta” që i prek
që s’duan shumë filozofi
kushtojnë pak
por të dërrmojnë,
sa një zhgënjim në llotari.
Një më e brishtë kryet s’e kthen
kozmikë e shtrenjtë si vetëtima,
ajo do FAT
dhe gjunjë të çjerrë
e jo k’të thes me psherëtima.
K’të thes me shpresa dhe k’të shqelm,
që sillet qark e më prish punë
që nën pushtet desha ti vë,
por nën pushtet pa drojë më vunë.


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.