Letërsia Shqiptare

I ETUR MBETEM
E marte, 25-09-2007, 09:25pm (GMT)

Në  kohë të vonë m´u shfaqe
Gjumin sysh ma nxore
Dhe leshrat e kresë m’ i ngrite thik
oh
dashuria
sërish në sprovë më vuri

Moj bollë
Nëpër trupin tim fjollë
Me ato flokë
Puhi mëngjesi  shprushe
Në mua

As je eva
As adami jam
As ty në dorë të kam

Të lash në livadhe
Anës së kronit
Te laku i tumës të lash
Nën rrasa ku nxirrte gurë im at
Të lash

Ç’ më sillesh rrotull
Në këtë moshë pa lëmoshë
Më dridh e më trandë

Mespërmes trupit tim
Udhë çelë e më shtrëngon
Me ato flokë
Me atë  trup pehrri

Moj
Eva pse s’je ti
Dhe unë Adami
Apo iku qielli
U mbyll sezami


Në Kanu  Leke u fshehe
Vajë  baladash u bëre
E këngë nënash


Nëpër  kopsht u përvodhe
Mes lulesh aromë u bëre
Kënaqësia ime e pashijuar
Ëndrra ime e paprekur

Si ta mbjell
Si ta krijoj
Kopshtin në shuplakë
E të të grish
Mes buzësh të të rris
Me puthje të të ujis


Moj belkëputur
Moj lule
Moj flutur

Moj mollë e ndaluar

Lidhmë shtrëngomë
M’u në zemër qëllomë

Në mua e mbi mua
Deri në ekstazë
Se ndryshe nuk shtrydhem
E nuk rrjedh si krua

Përherë i etur mbetem
Etjen tënde duke shuar

(11 fror 2005)



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.