Letërsia Shqiptare

TË NISESH ME AGIM
E marte, 25-09-2007, 09:27pm (GMT)

Po deshe ta shporrësh natën
Po deshe t’i ruash dy gishta fytyrë
Po deshe
Këndimin e tretë të gjelave harroje
Kënduan pushkët e Prekazit

Mos prit më
Po deshe me ag majat t’i pushtosh

Nxito

Agimi tashmë po zbret nga majat
Nëpër shtigje e shpatije
Po i mbush lugjet me eho lirie

Po deshe ta shohësh
Si ndritë në Dukagjin
Në Karadak
E në tanë Kosovën
Nisu tashmë

Me Agim
I pari mund ta puthësh Rrasën e Zogut
Të dashurën në Koshare
Apo nënlokën në Kaculin e Bacë Idrizit
Apo t’ët at në Plisoren e Hasan Alisë

Me Agim po nxitove
I pari mund ta prekësh një peizazh Kosove

Mund të bëhesh dhe liri e kësaj toke

Pastaj
Pastaj ashtu i paqtë prej lirie
Rilind e buzëqesh për çdo ag
Me sytë feniks
E  buzët zjarr
Nga Kosharja deri në Prekaz
Flakëron e kthjellon
Të lumen Kosovë



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.