Letërsia Shqiptare

Sabit Rrustemi
E marte, 25-09-2007, 09:35pm (GMT)

Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi është i lindur më 3 Prill 1959 në Terzijaj, fshat në afërsi të Zhegrës, Komuna e Gjilanit.  Shkollimin fillor e kryen në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë.

Në vitin 1977 boton poezinë e parë ne revistën "Zëri i rinisë" të Prishtinës.
Në vitin 1981, është shkrimtari i vetëm i Kosovës që burgoset për shkak të botimit të  tregimit  « Nën maskën e mysafirëve », të botuar në revistën « Fjala » më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstaratat shqiptare për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën.  Dënohet me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare.
Tek  në vitin 1990 boton permbledhjen e parë të poezive « Ku i la lisat era »  të dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.  Më pas boton edhe "Besoj në një diell" (Fjala 1992,)  « Variacione për lirinë », Rilindja 1997 dhe  « Ëndrra që puthet », Rozafa  2001, që të gjitha poezi si dhe dy përmbledhje tregimesh, "Pika e Zezë », Flaka e vëllazërimit, Shkup 1993 dhe "Maska e Mysafirëve" , Buzuku, Prishtine ,1997.
Në vitin 1994 ka botuar prozën dokumentare "Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës " nga shtëpia botuese « Plejada » nën drejtimin e shkrimtarit tashmë të ndjerë Beqir Musliu si dhe një album poetik "Natyrë me vaj" po nga kjo shtëpi dhe me parathënie të Beqir Musliut.

Sabit Rrustemi, një mandat ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës dhe përpos krijimeve letrare e publicistike, merret edhe me veprimtari politike.
Është laureat i një sërë shpërblimesh letrare ne poezi e prozë mes viteve 1979 -2005.

Është i martuar, baba i pesë fëmijëve.

Jeton në Zhegër.

Momentalisht ne pergatitje ka nje liber poezish



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.