UDHA E DOKËVE
Vuri themel
Ku sheh dynjanë
Në këmbë të veta rri
Kujt s’ i shkel në qafë
Për t’ parë matanë
As i kërruset kujt
Doka
Me të veten udhë
Plisoren ka përballë
Mëtej Kopilaçën
Pak më larg Lypetenin
Bjeshktë e Nemura
Dhe atë Grykë Rugove
Diçka arrinë me hapa
Diçka vetëm me sy
Në majën më të afërt
Bën kryq
Tjetrës i lutet në largësi
Vetëm oda e lidhë këmbëkryq
Dhe shtrati prej kashte
Për një sy gjumë
Udha e Dokës është e sertë
Ters
Si kaçaku i shkretë
E hollë si vetë
Thikëz përpjetë
Të ngjitesh lart
Kah i madhi
S’ bën
Se
Then qafën pastaj
Përplasesh tatëpjetës
Doka nuk gënjehet
Vetëm para gjakut
Dhe kryqit
Rrëfehet
Deri në të mbramën frymë
Shkup e Shkodër s’i harroi
Në Stamboll
E shpunë
Me përdhunë
Jeta nuk Iu dhimbs hiq
Kur pështyu në Muhaliq
Njëherë kam le, tha
S’muj me vdekë përdit’
Zoti I madh
S’ e la vetëm
Erdhi pastaj një Dokë tjetër
Fije e gjatë
Kjo udhë e Dokëve
Fije e pakëputur gjaku
E oxhaku
Sa në këtë botë
Sa në botën tjetër
Kërthizë amësh
Brezash e emrash
Asnjë kohë s’ ikën
As vjen
Pa një Dokë
5 Tetor 2006
KANDILAT E DOKËS
U ndezën kandilat mbi varrin e Dokës
Në kurrizin e gurtë të gurinës
U ndezën
E po bëjnë dritë
Për shpirtin e Dokës
Dritë po bëjnë
Se kush I ndezi
Nuk e pamë
As Dokën kur u ngrit përshpirtshëm
Dhe u nis
U nis I forti e I shkreti Dokë
Rrugës së gjatë
Për tek ai det I zi
Që e m’ loi n’mërzi
Ai det
ah në atë det
I mbeti më e ëmbla dashuri
II
Kandilat ndizen
Ndizen e nuk fiken
Doka ec e ec e ec
Nëpër natë
Ec
Ajo e ecur s’ ndalet
Kapton lugjet
Malet
Me detërat përplaset
E s’ ndalet
As kandilat fiken
Derisa Doka kthehet
Në varr rimbulohet
Me gurët e kaltër të gurinës
Ata gurë s’ janë gurë
Lotët e pashkrirë të Dokës janë
Sytë e kaltër të Prenës
Ato kokrra sysh
Dokës
As në atë botë
S’ I hiqen
III
Kandilat ndizen
Ndizen e shkrihen
Të tjerë kandila sjellin
E Doka s’ ndalet as shihet
As prej dritares
As blinit nën shtëpi
Te kroni I gurtë thonë e kanë parë
Me Prenën duke lyer gishtërnjtë
Duke bërë dashuri
Kryqas lidhen e rrëfehen
Ata ishin vetë
Nën dritën e kandilave
Gjurmë s’ lanë
As gjëmë
Për zotin u lutën
Në emër të zotit
Martirë te besimit u bënë
Dashurinë flijuan
Zoti ish me ta
Të dashurit e tij u bënë
IV
Dokës I shkoi jeta ters
E nuk u dha
Udhë të gjatë bëri
E s’ ju bë boll as në Stamboll
Kot se e pranguan
Nën barqe kuajsh e zvarritën
Dhe kryqin qafesh ia shkulën
Ai mbeti Dokë
sërish bëri kryq
e u kthye prej nga erdhi
as një pikë lot’ derdhi
Ters I shkoi jeta
Kjo e shkurtëra
E shkreta
Në Ters u mbyll
Fikall
Duke pritur Prenën
Se mos po del prej Lugjesh
Se mos po ngjitet kroit
Doka në kurriz
Me kandila ndezur
Të fikur kurrë s’ mbetën
Sytë e tij
Për ta parë dhe një herë
Për t’ fundit herë
Sykaltrën Prenë
*Doka - Dokë Karadaku nga fshati Terzijaj, njëri nga të syrgjynosurit e viteve 1846 – 48, që mbijetoi torturën a gruan ia hodhën në det, turqit, gjatë transferimit për në Mihaliq të Turqisë.
(5 Gusht 2006)