Letërsia Shqiptare

ATDHEU REAL
E merkure, 06-02-2008, 06:04pm (GMT)

(varianti i mbramë i datës 30 Kallnor 2008)

Atdheu real nuk është faqe interneti
Ku ti hyn përmes një ndezjeje kompjuteri
I paregjistruar
E pa kod mbrojtës

Atdheu real ka një pikë ku fillon
Ku mbaron
Ka dhe një rreth me gurë
E me mal

Dhe fusha me lumenj

Atdheu real s’futet n’ kutizë
As n’ kornizë

As xhepash se nuk e nxënë

Atdheu real
Shtrihet mëtej një syri të mprehtë
Mëtej një hapi të rreptë

E nuk është pa emër
Pa votër e motër
Dhe pa një pshellak gjaku

Atdheu real përndizet
Përmes një qafeje me prush
E njomet me një varg të gjatë krojesh
Ku mbijnë e përjetësohen
Ninulla nënash e një mal baladash

Atdheu real shihet nga një Rrasë Zogu
Ku vallëzojnë agimët
E iso mbajnë dedë gjon lulët

E mblidhet në një majë Kaculi
A Kodër Tupani
Në krye të çdo moti

Atdheu real s’është dhe pa një Plisore
E pa një zot
Të cilit i rrëfehemi
E marrim bekimin e Tij

Atdheu real
Eh atdheu i njëmendtë
Është edhe pjesa ku shkelim
Ku shkulim ku herrim

Është edhe pjesa ku mbjellim besimin
Bukën e motmotit

Dhe pjesa ku takohemi ku puthemi
Pjesa ku mbijnë lulet e dashurisë
Ku pa dashje ngriten muret e vetmisë
E prehje gjejnë eshtërat e njerëzisë

Atdhe real
Është edhe pjesa ku mungojmë
E trokasim parreshtur
Në Amën e shkëputur

Ajo preket e shihet
Po nuk arrihet
As shijohet
Pa ia falë Palcën e Gjakut
Palcës së Dheut

Atëherë
Vetëm atëherë
Fitohet atdheu Etnik
Krijohet Kodi Mbrojtës
Dhe Liria e plotë për të gjallët



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.