Letërsia Shqiptare

DITA KUR E ÇLIRUAM SHKUPIN
E merkure, 06-02-2008, 06:06pm (GMT)

Konkursi letrar “Flaka e Janarit 2008”
Poezia që mori çmimin e parë

Sabit Rrustemi

DITA KUR E ÇLIRUAM SHKUPIN

I.

Një ditë më parë
E matnim me sy prej Gurit të Zi.

Po shihet si n’ shuplakë,
Tha Idriz Seferi
Nesër do ta kemi në grusht.

Po hyj Unë i pari,
Kërceu Isë Boletini!
E Ti, qitja rrethin, m’loma shpinën
Se k’to shtigje ma mirë i di.

Me ba me mbetë, trupin ka kush ma nxjerr.
Këta plisabardhë, të hollë e të gjatë
Nuk më lënë vetëm!

Pikëpjekjen Te Ura e Gurit e lanë,
Aty ku lidhen dy anët e Bardharit
Nëpër brinjët e shqiptarit.

II.

Me Dy Korrik të Nëntëqindedymbëdhjetës
Qëlloi e martë mortja e marrtë,
Dita kur e çliruam Shkupin prej Këmbës Turkut!

Këmbëzbathur e të uritur,
Me nga një grykëhollë trupuam për midis Kryeqendrës.

Xhama nuk thyem, plaçkë nuk bëmë.
As shami prishëm se ishim ushtri.

Kancelaritë e Kombeve u çmeritën
Prej shkresave kur ju shkuan:
- Nuk qenkan hajdutë!
Ushtri e re plisbardhësh,
Me Trimin e Grykës e Burrin e Kullës
Zunë vend e po mbajnë rend.

Te Ura e Gurit, në shenjë triumfi
Tetëmbdhjetë mëzetër u bënë fli,
Bardhari përkohësisht i kuq u bë!

Isa me Bacë Idrizin prisnin Hasan Prishtinën
- Hajde burrë, ngule Flamurin e shpalle Mëvetësinë!

Mos nxitoni, thoshte Urtaku
Se na mbytën bërrylat dhe e kajtmja!

Nëpër Evropë bridhte Ismajl Qemali,
Në Selanik ende shpurthte Turku,
Pritja e tepruar na qëlloi në Thembër.

III.

Dita kur e kthyem Shkupin
E martë qëlloi, mortja e marrtë!
Shtatë Kombet na dogjën me Moratorium.

Në besë të saj na shkeli Serbi,
Sot e atë ditë mbetëm pa Shkup!

Idriz Seferi ndan mustakët
E Isë Boletinit ende i dridhet koka:
- A u mbush mend kjo Evropa

Një ditë më parë e pamë si n’ shuplakë dore,
Me Dy Korrik Nënëtëqindedymbëdhjetë e patëm në grusht.
Sekush na la pa Shkup ende s’ e morëm vesh!



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.