Letërsia Shqiptare

Unazë dheu
E shtune, 23-06-2007, 09:27pm (GMT)

Erdhe me plis të djegur në majë
me faculetë të bardhë nëne
të lidhur katër cepësh me nyje malli
Për në shtëpi mora atë lot dhe

Ky dhe i Kosovës
mban erë molle
erë shpirti me duhmë zjarri
e vakësie t ´ëmblit të nënës
erë varri erë lirie

Mbrëmjeve në dritë të hënës
fëmijëve do t´ua sjell
Galdimit e Albinit
tri herë rreth koke
që tër natën të ëndërrojnë
se shëtisin në grunaja të bukës së re
me xixëllonja në ballë

Do t´ua sjell rreth koke
Albinit e Galdimit
t´ua nyjëzoj shpirtin me Kosovën
me unazën e dheut të përndezur
do ta shijojnë për çdo mëngjes
dhe do të mësohen me erën e tij
rrugës qumështore përmes qiellit
do t´ i pluhuros yjet me prushin e këtij dheu

Galdimi dhe Albini
Kosovën do ta gjejnë të bleruar
edhe pas njëmijë vjetesh
kur ta puthin për herë të parë
kanë për të ditur
se kan puthur Diellin e vet…



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.