Letërsia Shqiptare

Degë ulliri në ëndërr*
E shtune, 23-06-2007, 09:35pm (GMT)

Me malin e kallur mbi kokë
Ujiti lulet në verandë
Që fëmijët të kenë pranverë në dritare

Përmes etjes së zhuritur në lëkurë të gjarpërit
Kaloj hejzën e shkretëtirës
E në prehër mbaj thërmija buke
Të merr pakëz cicërimë
Fluturimi gri i dallëndyshës drejt vendlindjes

Në natën me hënën e kuqe
Në majë gishtrinjsh marr flakë në yll
Ta ndritërij rrugën e fjetur 
Dhe ëndrrën   e fëmijëve ta zë para agimit
E në atë ëndërr
Lë një zog një lule
Fytyrën e blertë të nënës e degën e ullirit

*Fituese e çmimit Agim Ramadani, 2006.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.