Letërsia Shqiptare

BRAKTISJA
E merkure, 20-06-2007, 09:46pm (GMT)

Shtrirë në shtrat dhembjeje ngjante si Gjergj Elez Alia që priste kumtin e
ardhur nga të tjerë rradhë për tu çliruar nga kjo botë e cila i kishte
falur vetëm lule që kishin aromë dhembjeje dhe vetmie. Me vite të tëra
kishte folur vetëm me gjuhën e heshtur e cila nuk deshifrohej nga ata që
nuk kishin kaluar nëpër tunelin e gjatë të sakrificave ku kishte shkelur
këmba e tij. Për vite të tëra, i ngujuar brenda guacës së vetmisë, kishte
ndjerë mungesën e një vaji fëmijëror; mungesën e njerëzve që bëhen të
bezdisshëm me bisedat e gjata për gjëra të rëndomta. Ai gjithmonë kishte
qenë i braktisur dhe asnjëherë nuk kishte kërkuar nga të tjerët t'ia
shkarkonin këtë barrë nga supet e tij edhe pse kaherë kishte pritur që ta
vizitonim, ne që e kishim harruar.
Dhoma, brenda së cilës ai kishte kaluar vite të tëra, ishte e errët. Në
një raft ishte një fletore e vjetër dhe një laps i shkurtë i gdhendur keq,
me të cilin tevona ai shkruante fragmente të shkëputura nga jeta e tij.
Dora e tij e ngathtë, mu si ndonjë korier, çonte kumtet e ardhura nga
zonat e thella të trurit të tij në fushën e bardhë. Shumica e fletave të
fletores ishin të grisura. Do të ketë pasur në netët e gjata çaste
dëshprimi, të cilat do t'i kenë grisur ato kumte.
Ai dëshironte të thoshte diçka, por asnjëri nga ne, që në çastet e fundit
i qëndronin pranë shtratit nuk e kuptonim se ç'dëshironte të thoshte. Sytë
e tij ishin të ngujuar në drejtim të raftit ku ishte fletorja gjysmë e
grisur. Muskujt e gojës, që tani nuk i nënshtroheshin vullnetit të tij,
mezi shqiptonin tingullin "f". Shkronjat tjera ishin aq shumë të largëta
sa ai nuk mund t'i mblidhte dhe t'i rendiste rend. Ata tani kishin dalë
nga kontrolli i pushtetit të tij ndaj fjalëve.
- Fletoren? - e pyeti njëri.
Ai nuk insistoi më të mblidhte shkronjat tjera që duhej ta ndërtonin
fjalën që dëshironte ta thoshte.
Sytë tanë u drejtuan nga fletorja. Sytë e tij, ku tashmë me siguri kishin
filluar të mjegulloheshin pamjet, u drejtuan kah koftori. Dëshira e tij
tani ishte bërë aq e qartë sa secili nga ne e kishin lexuar. Asnjëri nga
ne s'do të miratonte atë dëshirë edhe sikur ta dinim se do të na ishte
mirënjohës dhe do të na falte pse e kishim braktisur. Secili nga ne (këtë
ia thamë njëri - tjetrit më vonë) dëshironte që fletoren, gjysmë të
grisur, ta kishte pronë.
Në mbrëmje acari që bënte jashtë, kishte hyrë padiktueshëm në dhomë dhe
ishte derdhur në trupin e tij. Ai, që disa herë e kishte mposhtur vdekjen
gjatë jetës, ishte nisur drejt një atdheu të ri, për t'u çlodhur në një
ishull të vetsmisë dhe heshtjes, ku çastet nuk shkaktojnë dhembje të
akullta...
Ne kemi vetëm fletoren që e ka shkruar vetmia e plagosur nga dhembjet që
kullojnë edhe në shpirtrat tanë,
ne që i duam njerëzit atëherë kur na braktisin përgjithmonë...
2. "...Janë tre gjëra në jetë që shkaktojnë dhembje: pleqëria, sëmundja
dhe vetmia. Mbi të gjitha vetmia. Vetëm në vetminë e plotë njeriu e njeh
thellësinë e jetës. Kjo është e dhembshme, tmerrësisht e dhembshme,
fatalisht e dhembshme. Dhembjet e vetmisë janë shumë më të tmerrshme nga
ata që mund t'i shkaktojë një sëmundje, sa do e rëndë të jetë... Në
pleqërinë e thellë njeriu i ngjan një fëmije që ka nevojë për njerëzit e
dashur që të mund t'u rrëfehet, ose të kërkojë nga ata mëshirë. Është si
një fëmijë që ëndërron të braktis shtëpinë vetëm që t'i provojë prindërit
se sa e duan... Atëherë, më shumë se kurrë, i duhet prezenca e njerëzve,
zhurrma e tyre, bisedat që shpesh mund të na duken të parëndësishme...
...Ju që tani ndjeni neveri për njerëzit dhe që dëshironi së paku një çast
vetmitar ku do t'i ktheheshit tërësisht vetvetes, në fakt ju kërkoni t'i
ktheheni jetës. Gjithë ato çaste, ato gjëra të padeshifruara, dëshironi
t'i riktheni dhe t'i jetoni sërish d.t.th. dëshironi t'i ktheni ato pamje
të mjegulluara, ngjashëm si fytyrën e një të dashure që nuk qartësohet në
kujtesën tuaj, në atë mbretëri të thellë të errësirës që fshehet matanë
syve tuaj, siç nuk ndodh rasti me fytyrat e të tjerëve që nuk ju bëjnë
përshtypje. Kjo nuk ndodh me ta sepse nuk u keni kushtuar kujdesin tuaj,
prandaj edhe fytyra e tyre është e qartë, thuajse reale. Mund t'ua dalloni
çdo imtësirë. Ndërkaq me njerëzit e dashur ndodh e kundërta. Shfaqet pamja
ireale, sepse atë e keni kërkuar te ato gjatë tërë jetës. Mu ashtu
rishfaqen edhe imazhet që përmbajnë në vete fatkeqësi të shumta dhe nuk të
lënë të qetë. Asnjë çast. Andaj kërkon që së paku për disa orë të kesh
dikend pranë dhe t'i rrëfehesh. T'ia shqiptosh klithjet. Të çlirohesh nga
ato. Së paku të krijosh idenë se duke folur për fatkeqësitë i flak nga
qenia, siç e flakim një copë të hidhur pështyme. Dhe, mbase, atëherë
ndjehesh i lehtësuar...
...Shumë njerëz kanë provuar, me vetdëshirë, të mbyllen në kullën e vetmisë
ku i janë kthyer tërësisht vetvetes, por, qoftë vetëm për një çast, siç
ndodh me mua, në këtë natë të vonë ku në qelq përplasen krokama, kanë
dëgjuar kumtin: Jashta kësaj bote ka krijesa të ngjashme si ti. Provo që
tu rrëfehesh. Vdekjen ta kesh më të lehtë. Ti ke nevojë për këto krijesa.
Sa do që të jenë të mjera, janë pjesë e jetës sate. Dhe pas këtij kumti, i
cili ka ardhur nga zonat e errëta të universit të qenies, kanë zbritur nga
majat e vetmisë dhe janë bërë pjesë e asaj bote tokësore, së paku për një
kohë...
...Si një njeri i barasvlerësuar me një qenie mitike, isha i papranueshëm
nga njerëzit e tjerë, që ushqejnë jetën me gjëra të zakonshme; që nuk i
janë kthyer asnjëherë vetvetes. Ata nuk dinin ta çmonin dashurinë time.
Unë u falja dashuri, ndërsa ata përbuzje... Ata asgjë nuk kanë ndryshuar,
as sot e kësaj dite, por unë e ndjej mungesën e tyre. E atyre që më kanë
braktisur. Më kanë flakur nga kujtesa... Unë jetoj diku në hiç. Jashta
koordinatave që i njohin dhe i ngulfasin njerëzit tjerë, të kënaqurit, të
gëzuarit, që çdo natë dëgjojnë gumëzhimën e fëmijëve të tyre, qortimet e
gruas që mendon se e ka humbur edhe atë pushtet të paktë. Kjo është shumë
e natyrshme... Unë gjatë gjithë jetës kam dëgjuar zërin e gjësendeve që më
rrethojnë. Si njerëzit më tallnin me palëvizshmërinë, me ngrirjen, me
vdekërimin e tyre. Disa herë i kam lëvizur që të mos ndjehesha i braktisur
dhe i ngrirë si ato; vetëm të krijoja idenë se jetoj mes qenieve të gjalla
që vetëm për nga forma dallojnë nga njerëzit...Me atë kukullën skaj dhomës
kam biseduar me vite të tëra. Vetëm ajo, që duket e pashpirtë, mbase e ka
ndjerë pikëllimin tim. Vetëm ajo i ruan ato fjalë në vetvete, por asgjë
nuk mund të tregojë sepse i kam folur me gjuhën e heshtur. Me gjuhën e
vetmisë... Fjalët që thuhen në heshtje nuk shqiptohen kurrë, nuk
interpretohen, sepse nuk përcillen përmes veshit në mendje, por
drejpërdrejtë, pa ndihmën e asnjë organi. Pyeteni kukullën dhe përgjigjet
do t'i zbuloni diku në qenien tuaj. Pas shumë vitesh vetmie që dhemb
pamëshirshëm...Dhembjet e shkaktuara nga vetmia janë shumë më të tmerrshme
se sa dhembjet që mund t'i shkaktojë një sëmundje apo ngathtësia e
pleqërisë..."
I lexova këto rrëfime shpejt e shpejt. Ishte natë e errët. Dhembja më
ishte mbledhur në gjoks si një topth që pret të shpërthejë, si një bing
-bang për të krijuar më pas planete të tërë dhembjeje në qenien time.
Kalova shumë faqe. Doja të arrija sa më shpejt në faqen e fundit ku mes
tjerash shkruante: "Kjo fletore duhet të vijë me mua edhe në anën tjetër".
Ishte një testament i cili i jepej më shumë vetvetes dhe i cili nuk u
plotësua kurrë.
Si asnjëherë në jetë nuk jam ndjerë më i braktisur...



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.