Gjithnjë e më shumë largohem nga një ishull ku ende jeton një fëmijë, i
cili ka shumë iluzione për jetën. Sa më shumë rritem aq më shumë treten
iluzionet.
Si fëmijë ëndërroja të bëhesha futbollist. Kurrë s'u bëra. Më pas luftëtar
që do të çliroja nga të gjithë armiqtë të dashurën e zemrës sime. Do t'i
thenim të gjitha rregullat e të mëdhenjve e do të martoheshim si të
vegjël, ashtu si fqinjët tanë.Asnjë armik nuk e vrava, as i theva
rregullat e më të mëdhenjve. E dashura ime e vogël iku dhe kurrë më nuk u
kthye. Kur vdiqën këto iluzione, fillova të merresha me libra. Lexoja e
lexoja. Me orë e ditë të tëra. Shëtisja nëpër vise të ndryshme, në
civilizime tjera. Ishte kjo një shetitje fiktive. Te secili shkrimtar
shihja një mesi. Secilës fjalë i besoja. Më kishin thënë se shkrimtarët
janë engjuj dhe çdo libër ishte i mirë. Në jeta vërejta të kundërtën. Pra
humba edhe këto iluzione.
Dikur fillova të shkruaj. Do të bëhem shkrimtar, u thoja shokëve. Do të më
njihnin të gjithë, do të më lexonin në libra leximi a historie. Unë do të
isha i lumtur sepse do ta kisha fituar pavdekësinë. Dikur e pashë se kjo
nuk është fare e rëndësishme. Se duke shkruar s'e fitova dot përjetësinë,
por vetëm mposhta bezdinë që më rrethonte vazhdimisht. Pavdekësia filloi
të më duket gjëja më idiote që e pretendojnë njerëzit.
Më pas gjeta ngushëllimin te një vajzë. Te e dashura ime, të cilës,
shpresoja se do t'i plotësoja çdo dëshirë, se prindërve të mij do t'u
mundësoja një pleqëri të mbarë e të begatë dhe se do t'i gëzoja me
diplomën e fakultetit. Gjithashtu kisha iluzionin se do të kisha shtëpinë
time, një veturë luksoze, një jetë komode. Dhe këto iluzione u tretën, si
shumë iluzione të tjera. Jo nuk më dhimbsen këto iluzione që treten
përgjithnjë, por tmerrohem se s'më ka mbetur asnjë iluzion. Ky është
shkaku që më shtyn të kthehem sërish te ai fëmija i atij ishulli të vogël
të cilit dua t'ia vjedh disa iluzione, sa për të freskuar ditët e
zhveshura pa asnjë gjeth iluzioni. Fëmija nuk do të shqetësohet nëse e
heton se ia kam vjedhur disa iluzione, sepse ai ka shumë të tjerë.
Fëmijët nuk e dijnë se të rriturit janë vjedhës të mëdhenj iluzionesh.
Këtë do ta kuptojnë kur do të rriten, atëherë kur do ta ndjejnë se sa
shumë i kanë paguar jetës, e cila nuk blen asgjë me para po me iluzione,
të cilët fatkeqësisht nuk shumëzohen si paratë...