Letërsia Shqiptare

UDHËTIMI
E merkure, 20-06-2007, 09:48pm (GMT)

 - Për ku udhëtoni, zotëri?
S'di prej më erdhi ky zë i ëmbël. Ktheva kokën pas dhe pashë plot udhëtarë
që koteshin. Shikimi mu ndal tek një femër e re dhe e bukur, e cila sipas
të gjitha gjasave mund të kishte bërë atë pyetje dhe pasi nuk kishte qenë
e interesuar për përgjigjen rrinte indiferente.
- Për ku udhëtoni, zotëri?
Ishte po i njëjti zë. Sërish ktheva kokën pas, por kësaj here të gjithë
udhëtarët ishin të zgjuar dhe pëshpërisnin emrin tim. Do të përgjigjem,
mendova. Po, do të përgjigjem dhe pikë...
- Për askund, zonjushe! Hë, jeni e kënaqur?!
Ajo nuk foli. Të gjithë më shikuan të habitur. Pas pak autobusi u ndal.
Shoferi oshfau rëndë, ndërkaq konduktori pasi i shikoi të gjithë udhëtarët
zbriti poshtë. Autobusi sërish nisi, ndërkaq unë nxorra një gazetë që e
mbaja në çantë dhe bëra kinse e lexoja.
- Për ku udhëtoni, zotëri?
Sërish ktheva kokën pas, por kësaj herë nuk pashë asnjë udhëtar.
- Ku shkuan udhëtarët? Përse zbriti konduktori? - e pyeta shoferin. Ai më
shikoi me habi. Sipas tij unë kisha qenë udhëtari i vetëm në autobus. Kjo
vërtet ishte një lojë e çuditshme. A nuk kishte pak më parë në autobus
plot udhëtarë që koteshin si arinj, e pastaj me sy të zgurdulluar
pëshpërisnin emrin tim? A nuk zbriti konduktori pas ofshamës së shoferit?
A nuk ishte aty një vajzë e bukur që me zërin e saj të ëmbël formulonte
pyetjen: - Për ku udhëtoni, zotëri? A nuk i thashë se udhëtojë për askund?
... Të gjitha këto pyetje ishin për shoferin e autobusit, por edhe ai
mungonte...



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.