Shikoja përtej dritares peisazhin: dru të zhveshur, zogj si pika të zeza
që ndotnin liqenin, anije që koteshin, karrike parqesh të zbrazura,
kallamishte që ngjanin si qime të pakta në kokën e një tullaci. Si nëpër
mjegull filluan të më shfaqeshin fytyrat e njerëzve më të dashur, që i
harrojmë për një kohë të gjatë e që mjafton vetëm një çast vetmitar, larg
zhurmës, larg obligimeve të përditshme, për ta kuptuar se sa na kanë
munguar në jetë, se sa madhështor kanë qenë brenda thjeshtësisë së tyre
për të cilën aspak nuk kemi qenë të vetëdijshëm, vetëm nga një shkak: se
kemi shikuar vetëm në sipërfaqe.
"Këto janë mbeturinat e fundit të kësaj vjeshte!"
Ky zë i njohur më erdhi nga një tjetër kohë. Me të isha takuar vetëm disa
herë në jetë, por ai vlente më shumë se sa të njohur të tjerë, me të cilët
rrin bashkë me ditë dhe vite të tëra dhe e din se kur do të takohesh
sërish do t'i dëgjosh të njëjtat biseda.
Më vinte shumë keq që, përmes magjisë së fjalës, nuk mundja ta vizatoja
këtë peisazh në letrën e bardhë. Më shumë se asnjëherë ndjeja mungesën e
fjalëve që t'i shprehja ndjenjat e mia, jo pse doja të shkruaja diç për të
tjerët, por doja të kisha diçka për vete, ngjashëm siç bëjmë një fotografi
për të ruajtur aty kujtimet e një çasti dhe kur e shohim, pra kur zhytemi
thellë në atë çast të fiksuar, kthehemi në një tjetër kohë dhe ndjejmë
mall ose dhembje, varësisht se ç'përmban ai çast. Pas marrjes së vendimit
që të mos shkruaja gjithnjë e më tepër shfletoja fletat ku kisha shënuar
diçka, ngjashëm si një duhanxhi i pasionuar që pasi ka vendosur të lërë
cigaren e sheh pakon e saj me mallëngjim. Gjersa i lexoja ato që kisha
shkruar më bëhej se jeta ishte vetëm një varg fotografishë të panumërta që
lëvizin vazhdimisht. Pra, një varg pamjesh që humben drejt pafundësisë,
udhëtojnë me gjithësinë që zgjerohet ose kthehen drejt pikës fillestare që
quhet BIG-BANG prej ku rrjedh ekzistenca jonë njerëzore. Mbase nga një
grimcë e atij shpërthimi.
Më vinte shumë keq që nuk mundja të vizatoja këtë peisazh, me të gjitha
finesat e tij, përmes një fjalie të vetme.
"Secila fjalë ka historinë e vet. Duke i njohur ato qindra mijëra histori
mund ta thuash atë që s'e thonë dot mijëra apo miliona njerëz. Fjalët i
nënshtrohen njeriut atëherë kur ai ua njeh historinë...". Sërish zëri i Tij.
Kësaj rradhe vinte nga thellësia e qenies sime. Me të u takova rastësisht
në një kafene. Ishte i dehur. Pas një shenje plot mirësjelljeje iu afrova
siç i afrohet viktima vrasësit. Ai më vrau në heshtje, me pak fjalë.
"Sytë i ke të mbushur me copa dhembjeje", më tha. E kundërshtova. Desha ta
mashtroja se isha shumë i lumtur.
"Të vetmuarit e njohin sojin e tyre. Lumturia është vetëm maskë, me të
cilën fshehim fytyrat tona kur hyjmë në mesin e të lumturve. Ti ke brenda
shumë zëra që nuk të lënë të qetë. Shpirti yt është çerdhe pikëllimi".
Pas pak hyri dikush në atë mes të mbështjellë me tym duhani dhe e
grushtoi. Kur Ai e morri veten e pyeta për këtë skenë të tmerrshme.
"Kam thënë një të vërtetë diku. Me shigjetat e fjalëve kam gjuajtur
ëndrrën e tij, që ta zgjoja nga ajo gjendje e fjetur që prodhon vetëm amje
mashtruese, por, si shumica e njerëzve, edhe ai, nuk dëshiron të kthehet
në këtë botë të ballafaqohet me të vërtetën, sepse ka frikë të
ballafaqohet me përgjegjësitë që duhet t'i mbart edhe ai. Fundja ne jemi
ata që grushtohemi e jo që grushtojmë..."
"Kjo nuk është e drejtë", i thashë.
"Ky është fati që kemi zgjedhur, mallkimi hyjnor. Soji i njerzëve që ka
brenda vetes dashuri të paharxhuar dhe që atë dashuri ua fal të tjerëve
gjithmonë keqkuptohet. "Zot falua mëkatet se s'dijnë ç'bëjnë!" A nuk tha
kështu Jezui kur e kryqëzonin.
"D.m.th. duhet t'i durojmë edhe grushtat?"
"Edhe kurorën me therra! Ne japim kumte, por të gjithë nuk janë në gjendje
t'i pranojnë ata" .
Pimë deri në mëngjes.
"Tani duhet të ngrihemi", i thashë
"Ku të shkojmë", më pyeti.
"Në shtëpi! Ku tjetër?!"
"Ah, po. Më presin personazhet. Ka një kohë të gjatë që nuk kam biseduar.
Patjetër, kësaj vjeshte, më duhet ta sajoj botën tjetër. Dimrit nuk
preferoj të ndërtoj asgjë. Kam shumë ftohtë. E di çfarë? Njëri nga
personazhet është poet, por ka vendosur të mos shkruaj më se i duket punë
e kotë. Ai nuk e kupton dot se letërsia mbase është asgjë, por është
ngushëllimi i vetëm që e mban gjallësojin tonë. Për të kemi më shumë
nevojë se sa gjithçka tjetër. Jo pse do të bëhemi të pavdekshëm, po pse
arrijmë të zgjojmë brenda vetes lirinë, njeriun, t'i shohim gjitha finesat
e kësaj bote, të cilat mund të duken fare të parëndësishme, por janë shumë
më të vlefshme se sa gjërat që i shohim përditë. Janë si një puthje e
papritur e një vashe të panjohur, e cila pasi na fal atë humbet për të
lënë pas vetëm kujtimin dhe shpresën se ajo do të shfaqet sërish në jetën
tonë...". Ai vazhdonte të fliste gjatë. Turbullimi që i vinte nga vera në
vend që të ngatërronte mekanizmit e tij të mendimeve, i jepte forcë,
ngjashëm siç e stimulon një sportist një mjet dopingu.
"Mendon se ai s'do të shkruajë më?" - e pyeta.
"Ah. Jo, jo. Ai detyrimisht do t'i kthehet tavolinës së punës, shkrimit".
"Po ti a nuk ke vendosur ta përjashtosh nga bota që je duke e sajuar?"
"Shkrimtari as nuk pranon, as nuk përjashton. Krejt varet nga dikush
tjetër: nga rrethanat, bie fjala nga lëvizja e një gjethi, nga një çelje
dere, koha me shi, nga një shkrepje e momentit në trurin e tij. Gjithçka
është e padefinuar. "Shkrimtari krijon nga kaosi dhe magma e botës",
thoshte një shkrimtar. Në sytë tu ka dhembje, brenda qenies tënde ka shumë
zëra".
Ai më shikoi gjatë. Pastaj më kapi për krahu dhe më tha: "t'i heqim
maskat".
Nuk di se ç'deshti të thoshte. As që desha ta pyesja.
"Ti do të shkruash apo jo?"-më pyeti. Në sytë e tij pashë se si u sajua
një pikë loti, brenda së cilit mu duk se ishte dendësuar gjithë dhembja e
kësaj bote. Në shpinë, gjersa e shikoja peisazhin, fillova të ndjeja një
barrë të rëndë, kurse në kokë disa shpuarje që më shkaktonin dhembje të
tmerrshme. Ceremoniali kishte filluar. Sërish më kishin vënë kurorën në
kokë. Krahas dhembjes së tmerrshme, kisha dëshirë të njihja edhe më
historinë e fjalëve plaka e të harruara. Zërat më vinin nga të gjitha
kohërat. Ishin kumte. Më duhej sa më parë t'i shkruaja. Vjeshta ishte kah
fundi.