Është një maje që të fton si një vashë për të të falur trupin e saj të
brishtë. Ti nisesh drejt saj. Që në çastin kur fillon të ngjitesh te
secila krijesë njerëzore sheh nga një armik të përbetuar që synon ta vrasë
idealin tënd të ngjitjes lart. Armik ke edhe krijesat tjera, ku mund të
fshehet intriga njerëzore. Armik ke diellin që t'i nxin pamjet dhe ta humb
orientimin. Armik ke akullin nën këmbët tua që ecin në një drejtim. Ti ke
vetëm armiq. Edhe gjymtyrët, që mund të mos i nënshtrohen vullnetit tënd
gjersa ngjitesh drejt majës ku valon vetëm flamuri i atij që është ngjitur
i fundit - flamuri i fituesit. Është pak e rëndësishme kush është ngjitur
i pari. E rëndësishme është se kujt i valon flamuri...
...Dhe kur arrin në atë maje, nëse arrin ndonjëherë, ti se ndjen, por ato
që kanë mbetur poshtë, pra njerëzit e vegjël dhe të pavlefshëm (se kështu
duken ata nga lart), pëshpërisin se ke ndryshuar shumë. Po këto pohime
vdesin thellë në qeniet e tyre. I vret hija jote e madhe që shtrihet kudo
në qeniet e tyre.
Ata thonë, vetmevete: -Kështu ndodh me secilin që ngjitet në majën më të
lartë që quhet FRON.
Maje e cila të fton si një vashë e brishtë të ta fal humbjen, të cilën e
ti e ruan si trofe dhe e shkëmben vetëm me jetën tënde.