Letërsia Shqiptare

E VËRTETA PËR PERANDORIN E VDEKUR
E merkure, 20-06-2007, 09:51pm (GMT)

"Këtu pushon Perandori X. që i frikësohej çdo qenie njerëzore". Glauku
lexoi mbishkrimin në rrasën e varrit dhe ofshau. Ai nuk e dinte se kush
ishte ky Perandor, në ç'kohë kishte jetuar, në i kishte dashur gratë apo
jo. Duhet të ketë qenë një idiot i zakonshëm, që historianët, këta poetë
pa imagjinatë, duke mos ditur të bënin art kishin shpikur këtë gënjeshtër
të madhe që t'i besonin pastaj edhe vet, tha vetmevete dhe vazhdoi rrugën
thuajse nuk i bëri aq shumë përshtypje mbishkrimi. Në të vërtetë ai
shtirej se s'i kishte bërë përshtypje. Fjalia e mbishkrimit i qarkulloi
disa herë nëpër kokë. Ai nuk ndjehej i qetë as në zyrën e tij. Vera, një
nëpunëse që punonte në të njëjtin vend pune e hetoi se Glauku bluante
diçka në kokë. Kur ajo ia shprehu këtë, Glauku vetëm buzçqeshi për ta
mashtruar atë se s'kishte ndodhur asgjë e veçantë. Për herë të parë në
jetë i kërkoi Verës cigare. Në kohën e drekës nuk zbriti në menzë. Disa
herë e pyeti Plutorin për jetën e Perandorit X. Përgjigja ishte e njëjtë:
"Perandor më i tmerrshëm në historinë njerëzore. Gjakatar. Vrasës.
Përdhunues...". Ndonëse kishte ngulmonte të dinte më shumë për të, nuk
morri përgjigje më të plotë. Fjalët "gjakatar", "vrasës", "përdhunues",
nuk e ngopnin kërshërinë e tij. Si është e mundur që jeta e një njeriu të
cilit iu nënshtrua çdo qenie njerëzore të përmblidhej vetëm me një fjali
të vetme, i tha Verës së habitur, pa mos i sqaruar për për cilin njeri e
kishte fjalën. Kur ajo ngulmoi të dinte më shumë për njeriun, "jeta e të
cilit ishte përmbledhur vetëm me një fjali të vetme", Glauku kishte vuri
buzën në gaz dhe u largua, duke marrë misterin me vete.
Glauku asnjëherë nuk kishte qenë aq shumë kureshtar. Si rëndom atij i
bënin përshtypje vetëm gratë e bukura. Më parë se sa të bisedonte për
ngjarjet që ndodhnin gjatë ditës, ai preferonte t'i vardisej Verës dhe të
kërkonte nga ajo një natë, e cila për të ishte më e vlefshme se sa një
jetë e tërë e mbushur me biseda për gjëra të rëndomta për të cilat nuk ia
vlente të diskutohej fare.
Vera, e cila ishte një grua që ia kishte ënda t'i mundonte meshkujt, ia
lejonte Glaukut t'ia prekte gjinjtë e fortë apo t'ia lëshonte dorën mes
këmbëve, por kurrë nuk ia kishte falur as një natë të vetme. Vera që dinte
t'ia hudhte mjegullën mbi kokë Glaukut edhe kësaj rradhe kishte menduar të
sillej ashtu, mirëpo indiferenca e tij e kishte bërë kurreshtare. Ajo e
dinte se Glaukun e mundonte diçka, por buzëqeshja e tij nuk e jepte
përgjigjen e plotë, në këmbim të së cilës Vera do t'ia falte një natë aq
shumë të dëshiruar nga Glauku, i cili tashmë ishte në një botë krej
tjetër. Ishte në kërkim të një njeriu, jeta e të cilit përmblidhej vetëm
me një fjali.
Ç'është ky perandor i çuditshëm që i frikësohen edhe historianët, mendoi
dhe shtriu shikimin lart në tavan, ku iu duk se lexoi fjalët e
mbishkrimit. Ai nuk e dëgjoj as përshëndetjen e Verës, e cila tashmë bëhej
gati për të ikur pasi kishte përfunduar orari i punës. Glaukut nuk iu
kujtua se përshëndetja e saj ishte ofertë për një puthje. Vera hodhi
mantelin në krah dhe doli. Tek zbriste shkallëve iu kujtua se Glauku as e
kishte përshëndetur. U kthye sërish që ta paralajmëronte se orari i punës
kishte përfunduar dhe se ai tashmë duhej të ikte. Kur ajo hyri në zyrën e
tij ai vazhdonte të rinte ulur në kolltuk me shikim të drejtuar kah
tavani. U desht që ta trazonte disa herë mendjen e tij të mjegulluar që ai
të kthehej në këtë botë. Arsyetimi i tij për ta refuzuar ofertën e Verës
për ta shoqëruar nuk ishte bindës. Pasi iku Vera me puthjen që ia vodhi pa
e diktuar fare, Glauku u ngrit nga kolltuku, veshi pallton dhe doli. Gjëja
e parë që i ra ndër mend ishte ideja që të mos kalonte nga rruga që
shpiente srejt varrit të Perandorit, por një forcë e çuditshme e
padefinuar e tërhiqte drejt asaj fjalie që qarkullonte në kokën e tij,
ngjashëm si një refren kënge që përsëritet vazhdimisht kur gjilpëra e
magnetofonit nuk mund të kalojë në vijën tjetër të pllakës. Ishte hera e
parë që kishte kaluar nga ajo rrugë e cila e tërhiqte me një forcë të
çuditshme.
Sakaq iu kujtua Vera. Fytyra e saj e bukur. Trupi i saj i rregullt. Frika,
si rrëshirë e ftohtë iu derdh nëpër trup. Edhe ai ishte një nga qeniet
njerëzore që ndjente frikë nga Perandori X. Iu duk se ky perandor i
çuditshëm do ta thirrte në mbretërinë e vet që t'ia tregonte jetën e tij,
pa mos i dhënë mundësinë që të kthehej në dimensionet e kësaj bote t'ua
tregonte të vërtetën të tjerëve.
Çdo vendim tjetër pos atij që të kalonte nga varri i Perandorit, në të
cilin kishte një ndërhyrje bëhej i pavlefshëm.
Nga varri filloi të dilte tym dhe të formësohej një siluetë njeriu. Glauku
kurrë nuk kishte besuar në fantazma. Shekspirin, që e lexonte me aq ëndje
Vera, e pandehte si të sëmurë mental që kishte frikë nga fantazmat. Njeriu
përfundon aventurën e quajtur jetë ditën kur ia ndezin qirinjtë, i thoshte
Verës, pastaj fillon hiçi, asgjëja, harrimi. Jeta, i thoshte Glauku asaj,
është një ëndërr e gjatë që kurrë nuk arrijmë ta tregojmë sepse gjithnjë
jemi pjesë e saj. Ajo mund të tregohet vetëm në të qindtat e sekondës, aq
sa zgjat mundësia e njeriut për ta treguar jetën e vet në kufirin jetë -
vdekje. Edhe sikur të kishin kohë më shumë ne s'do të dëshironim ta
tregonim, i thoshte asaj, sepse do të na dukej punë e kotë.
Në raste të tilla çdo njeri do të ikte me të katra. Por në qenien e
Glaukut kërshëria për të ditur më shumë rreth Perandorit ishte më e madhe
se frika.
- Unë jam Perandori X. hija e të cilit tmerroi çdo qenie njerëzore. -
Ishte një zë kumbues.
Ç'perandor idiot, mendoi, si gjithë perandorët edhe ky ende nuk dëshiron
të hjekë dorë nga pushteti që ndërtohet duke i frikësuar njerëzit. Tashmë
këtë pushtet dëshiron që ta ndërtojë përmes fantazmës së vet, mendoi.
Fytyra e Perandorit X. që ishte formësuar kishte ngjyrë të kuqremtë.
Glaukut iu duk shumë i zakonshëm. Kishtë ca sy të vegjël të humbur në
zgavra. Hundë pak të shtypur, sikur t'i mungonte ashti. Rreth syve kishte
ca njolla të zeza. Sipas të gjitha gjasave, mendoi, ka pasur probleme me
tensionin e gjakut dhe sakaq iu shfaq fytyra e Verës dhe njollat e zeza
rreth syve që shënonin fillimin e ciklit menstrual.
- Vërtet nuk të bën përshtypje rishfaqja ime? - ishte një pyetje që më
tepër Glaukut iu duk si një thirrje për ta mëshiruar se sa një pyetje
perandori, pas së cilës si rëndom nuk pritet përgjigjja, por heshtja e
amshuar, harrimi, vdekja...
- E çuditshme! Si ka mundësi që me një pamje kaq të zakonshme të tmerrosh
njerëzit. - tha Glauku. Shikimi iu ngulit në rrasën e varrit ku lexoj
vetëm "nuk sundojnë". Mjegulla e lëshuar sipër varrit ia pamundësoj ta
lexonte fjalinë e plotë. Perandori e shikonte dhembshëm. Zëri i tij
kumbonte.
- Në fakt unë nuk e sundoja botën siç më pandehnin njerëzit, por ishin
njerëzit që më sundonin mua. Njerëzit kishin nevojë t'i përkuleshin
dikujt. Unë isha i zgjedhuri i tyre. Idhulli. Unë isha vetëm një aktor që
duhej të sillesha egër me ta. Sa më tepër që bëhesha i mëshirshëm ata
tmerroheshin e kjo do të thoshte se e kuptonin që unë aktroja, se nuk isha
idhulli. Kjo bindje e tyre mund të mposhtej vetëm përmes egërsisë. Me më
shumë vrasje dhe gjak. Dhe veproja ngase kisha frikë nga vdekja. Përmes
saj unë e ushqeja jetën time që e doja më shumë se sa një femër që nuk
pata kohë ta dashuroja, sepse më duheshte të vrisja, të vrisja... Gjithnjë
besoja se ky ceremonial do të ishte i përkohshëm. Se edhe unë do të mund
të çlirohesha nga sundimi i njerëzve, nga pushteti i tyre, nga roli që më
kishin caktuar. Kjo ishte tepër e vështirë. E pamundshme. Kishte vetëm një
zgjidhje: të ndërroja rolet. Ata të bëheshin perandorë, kurse unë sunduesi
i tyre. Por në këtë rast do të duhej të isha unë i vdekuri. E përse, përse
të vdisja kur kisha mundësi të jetoja duke u ushqyer me jetërat e tyre. A
nuk është jeta ime më e vlefshme se sa jetërat e shumë njerëzve të tjerë?
- Jo! - bërtiti Glauku. - Jo. Jeta e shumicës është më e vlefshme se sa
jeta e një njeriu sa do i përkryer të jetë ai.
- Edhe unë kështu kam menduar deri sa nuk u bëra perandor, mirëpo pastaj
gjithçka ndryshoi. Nga lartësia e fronit njerëzit të duken të vegjël, të
parëndësishëm, si të tillë ata ngjajnë në miza që nuk të dhimbsen kur i
shkel. Pastaj ata vet e dëshironin një gjë të këtillë. Po të dëshironin
diçka tjetër ata do ta kishin, por ja ata dëshiruan një perandor të egër
që do t'i vriste dhe po ai perandor vetëm egërsi u fali.
- Ti kishe mundësi të sundoje edhe pa mos vrarë!
-Unë e fillova me gjak, me vrasje, andaj ashtu edhe do ta përfundoja rolin
tim që ma caktuan njerëzit. Ata vet më zgjodhën. Andaj vet e dëshironin
gjakun dhe vdekjen e cila u shtri edhe mbi njerëz të tjerë që nuk e donin
këtë, por çdo shmangie nga roli ishte fund i jetës sime...
Glauku ishte shtangur. Sakaq i ishin kujtuar bisedat e nëpunësve të tjerë
që qeshnin me njerëzit që vriteshin gjersa ata lartë, në zyrat e tyre, ua
futnin duart nën këmisha nëpunëseve dhe ua shtërngonin gjinjtë. Sakaq iu
kujtua Vera, fytyra e saj e bukur, gjinjtë e saj të fortë. Iu kujtua edhe
Plutori i cili nuk kishte dashur t'i fliste për jetën e Perandorit X.
Tymi kishte filluar të ngjitej drejt qiellit. Gjithçka ishte përhumbur.
Fantazma kishte zbritur në varr apo ishte ngjitur në qiell së bashku me
tymin. Këto fjalë nuk ishin shënuar në asnjë libër historie. Në gurin e
varrit tani kishte një mbishkrim tjetër: "Këtu pushon X. që e kishin
sunduar njerëzit e kësaj bote..."
Vera kishte arritur. E shikonte e habitur Glaukun që nuk u ishte
përgjigjur thirrjeve të shumta të saj. Glauku e hetoi prezencën e Verës që
qante. Ndjeu një lehtësim nëpër trup. Kurrë më nuk do të kthehem në zyrën
time, i tha Verës, të cilës nuk harroi kësaj rradhë t'ia kërkonte natën e
cila shtrihej para tyre dhe i ftonte të bëheshin pjesë e saj.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.