Sipas dekretit të firmosur nga Lartmadhëria në sheshin e kryeqendrës do të
duhej të bëhej një pikturë me përmasa të mëdha që me bukurinë e vet do të
magjepste çdo kalimtar dhe do të tërhiqte vizitorë nga të gjitha anët e
botës. Në vend të ngjyrës së kuqe, që duhej të dominonte në pikturë, do të
përdorej gjaku i foshnjave. Piktorët, që e kishin pritur me entuziazëm
këtë ofertë të Larmadhërisë, ishin gati. Puna mbetej tek mjekët. Ata,
përmes pompave speciale, duhej të thithnin gjakun nga damarët e foshnjave.
Në dekret parashihej që secilit prind t'i paguhej gjaku i foshnjës, që
paraqiste zemërgjërësinë e Lartmadhërisë, siç shkruante në dekret. Çdo
mospajtim do të thoshte mossolidarizim me idenë fisnike të Larmadhërisë
dhe rebelim kundër të bukurës, artit, për të cilat gjëra ligji ishte shumë
i rreptë.
Banorët e kryeqendrës, për të dëshmuar solidarizimin me këtë ide të
Lartmadhërisë për krijimin e veprës monumentale artistike, siç do ta
quante një nga piktorët e nderuar, prisnin rend në hyrje të spitalit
shtetëror ku thithej gjaku i foshnjave dhe posa përfundonte punën mjeku
ata delnin me foshnjat e vdekura në krah.
Piktorët kishin propozuar që piktura të kishte dimensione më të mëdha se
sa parashihej në dekret. Këtë e lejonte edhe ligji, i cili garantonte
lirinë krijuese të artistëve. Shteti nuk i dënonte kurrë artistët. Ata
ishin shtresa më e respektuar nga Lartmadhëria. Drekat dhe darkat solemne
në sallonet perandorake për artistët ishin rëndomësi. Falë kësaj dashurie
Lartmadhëria gëzonte respektin më të madh nga artistët që secili i kishte
kushtuar emrit të tij ndonjë vepër artistike. Dënoheshin vetëm
përdhunuesit e artit. Në mesin e piktorëve kishte pasur propozime që
piktura prej gjaku t'i kushtohej Lartmadhërisë, mirëpo, këto ishin
kundërshtuar nga vet ai. Lartmadhëria që edhe vet shkruante poezi,
pikturonte, kompozonte dhe merrej edhe me publicistike e kritikë kishte
deklaruar se duke lejuar që kjo vepër e madhe t'i kushtohej atij do të
mund të lindte dyshime te armiqtë e Perandorisë se piktura nuk bëhej për
masën e gjërë popullore që do të kënaqej nga bukuria e pikturës, por
thjesht për qëllime personale. Lartmadhëria thoshte se arti duhej të bëhej
për të tjerët, ndërsa që të realizohej një pikturë monumentale duhej liria
krijuese e piktorëve, ndërsa bërja e një portreti cenonte kreativitetin e
piktorëve. Nuk ka rëndësi nëse do të isha unë në pikturë ose jo, thoshte
ai, është më e rëndësishme që ajo të jetë e bukur. Edhe unë, shtonte ai,
dua që të kënaqem duke e parë pikturën. Nëse ju, u thoshte piktorëve, do
të pikturonit portretin tim, atëherë unë s'do të ndjeja kënaqësitë që e
krijon arti. Piktorët i kishin mirëpritur këto ide fisnike dhe modeste,
siç i quanin ata.
Gazetat shkruanin vazhdimisht për projektin që duhej të fillonte së
shpejti. Sipas tyre ky ishte një ndër kontributet më të mëdha të shtetit
për artin, andaj çdo prind do të duhej të ishte krenar që gjaku i
foshnjave të tyre i shërbente të bukurës, artit. Çdo flijim për artin
është fisnikërim, shkruante një shkrimtar, i vlerësuar nga kritika
letrare. Gazetat nuk shënonin asnjë rast kundërshtimi nga prindërit,
fëmijët e të cilëve do të varroseshin me të gjitha nderimet e shtetit,
ndërsa shpenzimet e varrimit i mbulonte vet Lartmadhëria nga arka e vet
personale, si një kontribut modest për artin, siç thoshte ai. Sipas disa
shkrimeve gazetareske kishte pasur prind zemërgjërë që kishin tentuar vet
t'i hiqnin shpenzimet, sepse, siç shkruanin gazetat, shteti u bënte atyre
nderin më të madh. U kërkonte fëmijët. E cili prind nuk do t'ia falte
foshnjën shtetit që tregonte aq shumë dashuri për to? A nuk ishte piktura
monumentale e të gjithëve, ndërsa foshnja vetëm e prindërve? A nuk ishte
interesi shtetëror mbi të gjitha interesat tjera personale? Kishte pasur
propozime që ditën e varrimit të foshnjave të organizohej një festë e
madhe shtetërore. Kështu pyesnin e shkruanin gazetarët...
Kur piktura, me përmasa më të mëdha se sa e kishte paramenduar
Lartmadhëria, ishte gati, të gjithë që kishin merita të njëjta ndjeheshin
të lehtësuar.
Kjo është një vepër e të gjithëve: të atyre që kishin falur gjakun e
fëmijëve të vet; të mjekët që ua kishin thithur gjakun e foshnjave me
pompa; të piktorëve që të përgjakur me net të tëra kishin bërë pikturën;
të gazetarëve e shkrimtarëve që kishin frymëzuar njerëzit për ta përkrahur
idenë e fisnike të Lartmadhërisë...
Kështu fliste kryesuesi i punimeve përpara turmës krenare që e shikonte
pikturën e veçantë që s'gjendej askund tjetër pos në vendin e tyre...