Është mirë
ta dish
Unë jam refugjat
Tash pyete veten
Sa mund t'ju do
një i huaj
Dikur
I kam pasur përplot
Qiejt
Dhe qershitë
Eh, dikur…
Oborret
Fushat
Pemët
Lumenjt
I kam humbur
Thjesht
Ndihem keq
Pse jam gjallë
Tash gjithçka është asgjë
Asgjë si ky rresht i gjatë buke
Lënë i kam
Hënën e ftohtë
Erën
Zogjtë
Varret
Dhe pak njerëz
Rreth maleve
Është lehtë të bisedosh
Me njeriun që i ka humbur të gjitha
Të kam marrë për të çmenduar
Kur flisje për provimin e Historisë
Dhe më citoje mendime filozofësh
E unë bëhesha se nuk e dija se
ç'është njeriu për njeriun
Dikur fillove të më pëlqesh
Thoshe kur të kthehem
Do ta jap provimin "Historia e Ballkanit"
E bashkë do t' i gjejmë
Hënën dhe varret
Çdo mëngjes
dëgjonim lajmet
Në radion e vogël që patëm blerë në treg
Sa e mërzitshme bëheshe
Kur pyesje sa bomba kanë ranë mbrëmë
Unë i numëroja të vdekurit
Nga aparati i vogël
Bota jonë e madhe zvogëlohej çdo ditë
I rrumbullakonim me laps të kuq
Datat dhe muajt
Kur dëgjonim ç' thoshin udhëheqës shtetësh dhe komandantë ushtrish
Saktësisht nuk dihej asgjë
Saktësisht dihej se po bëhej luftë
Në një rresht të gjatë buke
Për 73 ditë jemi dashur
Jemi trishtuar
shpejt nisem të harrojmë
se është luftë