Letërsia Shqiptare

DASHURI REFUGJATËSH
E merkure, 26-12-2007, 08:21pm (GMT)

Është mirë
ta dish
Unë jam refugjat
Tash pyete veten
Sa mund t'ju do
një i huaj

Dikur
I kam pasur përplot
Qiejt
Dhe qershitë

Eh, dikur…

Oborret
Fushat
Pemët
Lumenjt
I kam humbur

Thjesht
Ndihem keq
Pse jam gjallë

Tash gjithçka është asgjë
Asgjë si ky rresht i gjatë buke

Lënë i kam
Hënën e ftohtë
Erën
Zogjtë
Varret

Dhe pak njerëz
Rreth maleve

Është lehtë të bisedosh
Me njeriun që i ka humbur të gjitha

Të kam marrë për të çmenduar
Kur flisje për provimin e Historisë
Dhe më citoje  mendime filozofësh
E unë  bëhesha se nuk e dija se
ç'është njeriu për njeriun

Dikur fillove të më pëlqesh
Thoshe kur të kthehem
Do ta jap provimin "Historia e Ballkanit"
E bashkë do t' i gjejmë
Hënën dhe varret

Çdo mëngjes
dëgjonim lajmet
Në radion e vogël që  patëm blerë në treg

Sa e  mërzitshme bëheshe
Kur pyesje sa bomba kanë ranë mbrëmë

Unë i numëroja të vdekurit

Nga aparati i vogël
Bota jonë e madhe zvogëlohej çdo ditë

I rrumbullakonim me  laps të kuq
Datat dhe muajt
Kur dëgjonim ç' thoshin udhëheqës shtetësh dhe komandantë ushtrish
Saktësisht  nuk dihej asgjë
Saktësisht dihej se po bëhej luftë

Në një rresht të  gjatë buke
Për 73 ditë jemi dashur
Jemi trishtuar
shpejt nisem të harrojmë
se është luftë



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.