Letërsia Shqiptare

RRËFIMET E NËNËS PËR VRASJEN E BABAIT
E merkure, 26-12-2007, 08:33pm (GMT)

(Babai ka dhënë shpirt më13 maj 1999, tre ushtarë e kanë vrarë në kopsht)

Babai gjithmonë
Zgjohej herët
Ushtarët e zi e gjetën
Duke  kositur bar
për gjingjat
 
Nëna thotë e kam parë
Kur e kanë çua në kopsht 
 
Me kujtohet
Vetë e ka pas thyer dheun
e kopshtit
Kur i ka pas
Mbjellë
Dhjetë trupa mollësh
Dhe një ftua
 
Para se të biem me fjetë
Natën e fundit

"Hejo"- më  tha:
"S' ka  shteg vere këtë verë" 

"Hejo" ka qenë emri i nënës
dhe i babait
Ata kurrë njëri -jetrit
Nuk i kanë thënë
Në emër
 
Tre ushtarët e zi
E kanë çua në kopsht
"Pse nuk je rrua" e kanë pyet
Babai ka qenë natyrë e butë
Dhe ka qeshur
Unë e di pse ka qeshur
Gjithmonë kur nuk i pëlqenin pyetjet
Qeshte
thoshte; ani ani…

Në ballkon kam qenë thotë nëna
Kur e kanë vrarë
Babai kishte dhjetë fëmijë
Një ma pak se kopshtin qe e pati mbjellë

Në Rozhajë

Dikush në Shkodër
Tjetri në Tiranë
Unë në Ulqin
Shabi i vdekur  në litar
Dy vëllëzër dhe një motër në mërgim
Dhe asnjëri nuk kemi qenë  skaj tij
Kur ka dhënë shpirt

Tërë ditën
I kthyer përmbys
Mbi barin e kositur

Vonë pas mesnate
Dy ushtarë  të  zbritur nga mali
e kanë varrosur afër dritares
Nga e cila kur ishte gjallë
zgjohej çdo mëngjes dhe shikonte
a është shkrirë bora në bjeshkë



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.