1.
Ëndërrojmë të dy të ndrojtur
fatin dëshirash përndezur
të lakuriqësuar e vrasim vetminë
Lebi – trëndafile moj
e ndiej aromën e trupit tënd plot afsh
dhe i gatshëm të jap jetën si viktimë
të kërkoj amshueshëm me t’vetmin
flamur në shpirt
dashurinë
2.
Bota s’ishte kthyer mbrapsht
as koha
Lebi – hyjneshë e dashurisë
atëherë
vetë Zoti ishim
tash
në dy skaje të botës
mua dhe ty
dhembja na lidh
3.
Në pafundësi lotësh
dergjemi
Lebi – nuse për amshim
Vdekja ime – Lebi
4.
Ngjyrë e një dhembjeje
përjetshëm
unë dhe ti – Lebi
athua në cilën hartë
do i gjejmë zemrat tona
shpresa ime është thinjur
Lebi
5.
Ata ngulën shtizën
në thellësi të shpirtit tonë
e na thanë:
“ëndërroni yjet”
Nga jeta
e prerë në zemër
rrjedh gjak
Lebi
Lebi
Lebi…
6.
Lumenj e detëra do shterojnë
do vazhdojë afshi ynë
Lebi
puthjet tona plotjetë
tutje do shtegtojnë
Lebi im
Lebi…
Sa shumë të dua
Dashuria ime – Lebi
Lebi im
O Lebi…
7.
Në shpirt malli na mbeti
çdo gjë jona:
zjarri i pashuar
këta shira rrëke
Lebi im
kë presim
çmenduria ime e vetme
Lebi