Letërsia Shqiptare

Syçka ime, Lebi
E diel, 03-02-2008, 01:49pm (GMT)

1.
 
Ti je krejt e butë, syçka ime, Lebi
trëndafil pa të cilin dita s’lind
yjendezur, belëkëputur, e tejdukshme
lëkurëmollë je, Lebi im
 
prandaj,
prej flokut tënd bëra  botën
rrugët qiellore bëra
diejt verorë të kohës:
të  freskët e plot ndriçim
 
2.
 
Lakuriq, ti je më e hareshmja e botës
vallja e jetës je syçka ime: e vetmja  që dua
Lebi,
me shpirtin prej qumështi
e trupin aromë dielli
 
 
Lakuriq, ti je si një anurkë
afshi  yt i nxehtë vërshon venët e mia
Lebi im,
e gruri yt i arrirë
 
3. 
 
Lakuriq, ti nuk urren - kaltëron qiellin
Lebi im,
gjuha jote lëng qershize mbi trupin tim derdh
një kalli gruri në buzët tua përhumbem unë
 
4.
 
Syçka ime, amshimi im
në liqejt malor të kokës sonë
varkë dehjesh lundron tmerrshëm
 
dhe kjo çmenduria na bën të pavdekshëm
mua dhe ty syçka ime,
Lebi,
Lebi im


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.