Vjen nata mysafire e pa ftuar,
Me pallton e saj mbulon çdo anë.
Në rrugë eci duke ëndërruar,
Netët plot gjumë ikën dhe vanë.
Gjumi im ti larg shtegtove,
Mes akullit, dëborës i zbathur,
Mes baltrave me këmbë të mavijosur,
Me shpejtësi vrapove duke mardhur.
O gjumi im! Ti kurrë s’u ktheve,
Andaj shpesh herë mendova për ty.
Shpellën e largët ku dreqin e gjete?
Apo vetë me duar e ke grrye?
O gjumi im! Ti kurrë mos ardhsh!
Netët pa gjumë unë adhuroj;
S’ka gjë pse mbes sy pangopur,
Diçka unë shkruaj, diçka mendoj.
Kavaje, 22 Janar 1963