Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E premte, 16-05-2008, 03:07pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Shefqet Dibrani
 
Nga libri ''Qershia e pikëlluar''
E shtune, 19-01-2008, 03:48pm (GMT)

Shefqet Dibrani

Nga libri “QERSHIA E PIKËLLUAR”, vjersha, Prishtinë 1997

1. SHQIPËRI VENDI IM

Nënë Shqipëri - vendi im,
më bën djalë që s'plaket kurrë,
më jep zemër, më bën trim
forcë më jep, më bën burrë.

N'gadishullin e trazuar
je lis me degë të gjata,
rri pa thyer, pa përcëlluar
nga rrufeja e shtërngata.

Kokën lart, imja Shqipëri,
ballëndritur, paç bekime :
paç shëndet e lumturi
mos mek shpresën, këngën time.

2. DETI ADRIATIK

Det i bukur dhe i gjerë
që shkëlqen buzë vendit tim,
shkëmbinjtë dhe brezaret
përballë të rrijnë.

Vijnë e të futen në gji:
Vjosë, Seman, Bunë e Dri
këta damarë të Shqipërisë.

Në verë tek ti lëshon shtat rinia
fëmijët rreth prindërve e vizitorë
të largët josh bukuria jote,
Adriatik, o det ç’begaton Dheun tim. 

3. KOSOVA

Në betejat më të rrepta,
në rrebeshet më të mëdha
gjithmonë bota e pa.

Pati burra të patrembur
pati dhe trima me fletë
që me duar priten rrufetë.

Tani për Kosovën, këtë bukuroshe
do çelin lule me lirinë,
bashkë me brezat që do të vijnë.

4. KURORË FËMIJËS PA EMËR

Tym u ngrit  përpjetë
vendi ra në zi,
shkretëtira mes gjelbërimit
thau filizin e ri.

Dhe u kërrus nënë e re
me gjëmë e me dënesë,
për lulen e këputur
n’petale pa rënë vesë!

Martirë ende pa lindur
ti re pse nëna jote
fytafyt me barbarët
u lëndua mes shqote...

Dhe ajo n’demonstratë
u sul mes mizërisë,
ti mbete n’atë shtrëngatë
dëshmor i lirisë.

5. PËLLUMBESHA E PAQES

(Nënës Tereze)

U shfaq pëllumbesha  n’trojet
arbërore,
në derë të fisit mori uratën.
Nëpër dyer varfanjake trokiti prore
me ngulm luftoi urinë, lëngatën…

Nga larg pamë mrekullitë e saj
edhe ne vogëlushët kosovarë:
Dorë e saj lidhte lot e vaj
t’skamnorëve me shpirt të vrarë.

Gjatë priti sa ia hoqëm çelësin derës
për ta kthyer edhe n’shtëpinë e vet,
Tha: erdha, dhe faleminderit,
dhe iku duke na uruar shëndet!

6. NËNTË PLAGË

(Gjergj Elez Alisë)

Lëngove nëntë vjet në shtrat
nga nëntë plagë në shtat,
nga bajlozë e përtej detit
plagë t’hidhura kish marrë atdheu.

Vendit menduan t’ia marrin nderin
haraç vashat tona sorkadhe,
u ngrite me nëntë plagë në shtat
bajlozit i dole përpara.
Në fushëbetejë mbrohet nderi
i atdheut dhe i shtëpisë
me nëntë plagë u çove nga shtrati
për hir të Nënë – Shqipërisë!

7. BARTËSI I SHKRONJAVE

(Theodor  Haxhifilipit)

Me hejbe mbi supe u ktheve
në to gdhendur në plumb,
alfabetin e shtrenjtë shqip
që nga kurbeti i solle...

Ti udhëtar i rrallë
për dritën që e solle nga larg
populli të përjetëson me mall
me filma e me këngë

U bë një shekull qëkur jetove
shpirti yt pastë dritë!
Ti që bëre aq shumë
për gjuhë e për dritë

8. KRYETRIMI I DRENICËS

(Azem Bejtës)

Vite të tëra maleve kalove
kundër hordhive, barbarëve,
pushkën nga dora kurrë s’e lëshove,
porosi e pate prej të parëve.

Pushka jote që buçiste
Ishte gjëmë e tokës stërgjyshore,
Që t’mos shkelej nga këmbë e huaj
Në beteja u hodhe prore.

Dhe sot armik i përbetuar
nuk rri i qetë në Drenicë,
sa herë kujton të kaluarën
sërish sulet çmendurisht.

9. JEHU I NJË PUSHKE

(Shote Galicës)

Kur linde në radishevën kreshnike
filloi kuja në shtëpinë tënde,
sipas zakonit të grave
për fatin e zi që të priste.

Babai yt mori n’dorë takën
e nga kulla shtiu pesë herë,
shenjë se n’shtëpi lindi një trim
ky nder i bëhej vetëm djalit!

Erdhën  këtë gëzim për t’uruar
pasi i thirri jeh i pushkës,
kur mësuan që lindi vajzë
heshtën buzët duke kafshuar.

Vitet kalonin dhe ti u rrite
me legjenda e me tregime
yt at hetoi se n’qenien tënde
bulonte e sertë një trime.

Ninulla  i pate këngët kreshnike,
që me sharki dhe ti këndove,
thanë se u shkel zakoni
sharki e pushkë janë veç për burra!

Krismat asnjëherë s’u ndalen
betejave e n’luftëra të pafund,
krisma që dhe sot jehojnë:
n’Drenicë, n’Kosovë – gjithkund.
 
10. RAPSODI

(Dervish Shaqës)

Në ballë të oxhakut
ulur mbi gurin e ngrirë
rapsodi kosovar
n’dorë merrte sharkinë...

Ngadalë lëshonte zërin
që hovej përpjetë,
njësoj si dikur trimat
që suleshin n’rrëmet.

Tërë një histori
me tela sharkie betoi,
e dhembjet e kurbetit
po mbi ta mëkoi.

Kur e merrte malli is shtëpisë:
“moj sharki, t’u këput’ teli”
zjarr i jepte sharkisë:
“Kosovën e pushtoi serbi...”

“Kur ta ktheva Kosovë shpinën”
qe refren i këtij rapsodi,
është refren i dhembjes sime
për eksodin e një kombi...

11. QERSHIA E PIKËLLUAR

Degët e qershisë
kuq me kokrra ndritur,
por ishin shumë lart
për t’i arritur.

Rretherrotull fëmijët
i përpinin me sy,
në ninëzat e tyre
shkëlqim e lakmi.

Dhe erdhi një burrë,
përkuli një degë,
dhe hëngri me shije
qetë e pa brengë…

Ia nisën fëmijët
duke e lutur,
që edhe për ta
kokrra për t’këputur.

Nuk u lodh për fëmijët
ai farë burri gdhe,
u ngop, xhepat mbushi
dhe iku tutje…

Aq ishte pikëlluar
qershia atëherë
tjetër s’kish lulëzuar
në asnjë pranverë!

12. LUMI

Është udhëtar i nisur
nga e bjeshkës gushë,
me valët stolisur
deri poshtë në fushë.

Nga qyteti në fshat
nga fshati në qytet,
udhëtar i palodhur
pa përtesë rrëshqet.

13. QYTETI IM

Qyteti im
është më i stolisur:
me godina të bardha
dhe me zëre t’ëmbël  fëmijësh.

Rrugëve hapërojnë
dhe ngjajnë në lule,
hapësirë zbukurojnë
me fjalë e buzëqeshje.

Lapidari
përmes qytetit bën roje
nderon dëshmorët
që i dhanë jetë e dritë.

14. LIQENI

Në Batllavën e vjetër
Pendë ngritën një herë,
Lumenjve t’Gollakut
U vunë frerë.

Çdo lumi i thanë :
- mjaft ke bredhë,
tani e tutje
do kesh tjetër rrjedhë!

15. UDHË E MBARË

Një shirit i zi
Shtrihet mes luginës,
Mes kodrash vazhdon
Dhe përmes lëndinës.

Dy binarë të pafund
njësoj të larguar,
kufi s’kanë askund
për t’u bashkuar.

Mbi ta  lokomotiva
rëndë trokëllin,
dhe fyelli i saj
me mall fishkëllon.

Me muaj, ditë e orë
hiq pa bërë bisht,
udhëtarë, nxënës, punëtorë
bart rregullisht.

Para stacionit
këta dy binarë
botën e lidhin
me: Udhë e mbarë!

Me tren udhëtojnë
dhe hipin e zbresin, 
me zhurmë gjallërojnë
mbrëmjen dhe mëngjesin.

Ky tren i dëshirave
n’mot t’mirë, po dhe me erë
asnjëri pa pyetur
e merr, e sjell çdo herë.

16. MËSUESI

Mësuesi im flokëthinjur
si me një tufë resh,
vjen pas tingujve të ziles
i buzëqeshur para nesh.

Zëri i tij i butë
ka aq shumë ngrohtësi,
derisa na flet
e shpjegon mësim të ri.

Dhe kur kërkon sqarime
gjithnjë është i qetë,
s’ke mik më të mirë
më t’dashur në jetë.

Kështu nga dita në ditë
mësuesi im i ndritur,
gjithë gaz hyn e del
zërin pa e ngritur.

1980

17. MEMECËT

Pranë e pranë rrinë
në gojë nga një dry
na flasin me sy...

Ata janë heshtja e heshtjeve
nuk ndiejnë gaz as lojë
buzëqeshin si me drojë...

Me ditë, muaj vjet
gjithmonë janë të pikëlluar
zërin e vet pa dëgjuar!

18. I  VARFRI

I varfri
Askund s’ka përparësi,
I varfri
S’ka t’vetin njeri.

Askush në botë
nuk e përfill,
tërë jetën e shkon
me rrënjët në diell.

Edhe kur i bëjnë mirë
e dini çka ngjat:
mu ajo mëshirë
t’varfrin e vret

1980

19. I VERBRI

Natyra i dha shëndet
e rritë të mbarë,
po bukurinë e jetës
kurrë pa e parë…

Por ai me shkop të bardhë
çan errësirë,
dhe me gishta kërkon
një shteg më të mirë.

20. PRANVERA

Shiu harboi barin
Blertë vallëzon n’erë,
Dielli me rreze, beharin
Solli derë më derë

Ja dhe dallëndyshet
Shigjetuan kah shtegu,
Te lumi sapo u lëshuan
Nga larg erdh lejleku.

Blertë fusha, ara, pylli,
Ngrohtë dhe n’shpirtin tim,
Natën, çiltër ylli
Na dhuron ngazëllim.

Dhe hëna është më magjike,
Stoli e stinës së re;
Si flutur më dukesh, mike
Në qiellin pa asnjë re.

21. VERA

Vera erdhi me vapë
Dielli përcëllon gjelbërimin.
Çuna e çupa me brekushe
Në lumenj e dete lahen
Si lejleku këmbëzbathur.

Vera erdhi me pemë e perime
Me të korra e me të shira,
Fëmijët pa detyra e me dëfrime,
Librin kanë lënë në qetësi
Dallëndyshja shëtit qiellit...

Vera është me vapë
E shiu më rrallë regëtinë,
Dita është më e gjatë
Ajo ikën kurrë pa ndalur
Portat e vjeshtës për t’i hapur

22. VJESHTA

Në vjeshtë ngryset moti
Retë dendësohen çdo ditë,
Dielli shfaqet më rrallë, vapa ik
Këngë bilbili s’dëgjohet
As shihet dallëndyshja duke shigjetuar
Pranë lumit s’është lejleku këmbëzbathur.

Keci i vogël është bërë ftujak
Bar e gjethe tharë marrin ngjyrë t’bruztë
Bujqit nxitojnë n’kopshtije e ara
Pemë e perime vjelin
Shkolla ka hapur dyert për gazin e fëmijëve.

23. DIMRI

Dimri vesh qyrkun e bardhë,
Erë e ftohtë fërshëllen.
Dordolecët kryeneç
Acarit i bëjnë sfidë
Derisa diellin kanë mbuluar retë.

Gjurmët e jetës mbulon dimri,
Dushkun e pemëve dhe lulëkuqet n’kopsht.
Lejlekë e dallëndyshe fluturojnë n’kujtime,
Fëmijët trash vishen dalin në shëti
Mbi borë rrëshqasin me sajë e me ski.

Dimri s’do t’ish dimër po të mos ish
Me ngrica, qirinj akulli dhe fërshëllima ere.
Me këngë e humor kalohen netët e gjata:
Gjyshërit tregojnë legjenda e përralla
Derisa të vijë e ngrohta pranverë.

24. DIELLI

Dielli buzëqesh në qiell lart,
dritën anembanë të gjithë gëzojnë,
verën na ngroh me diskun e artë,
në vjeshtë retë e mbulojnë.

Ku hyn dielli mjeku nuk hyn,
pa diell lulet s’qelin petale,
as vera vjen, as gjethon shelgu
as skuqen dredhëzat në male.

Dielli me sa kujdes na ngroh,
hov na jep për jetë e dëfrime;
shëndet na fal me langjet
nëpër pemë edhe perime.

25. SI TË MOS ISHTE PRANVERË

Ai mars i asaj pranvere
me tmerre e lebeti erdhi,
lule e gjelbërim shkrumboi
tanke, helmetzi derdhi!

Marsi mesi u zvarrit,
ia behu prilli me mburoja.
(Çudi si i duroi toka?)
fëmijëve iu vra loja...

Plumbat mbi gjokset e njoma
në dasmën e thjeshtë, paqësore;
shpërtheu betejë e egër
mbi ëndrrën për një fitore.
 
Ai prill i tetëdhjetenjëshës
në buzë fëmijësh hodhi vaj,
nga vëllai motrën ndau
t’fejuarën nga dashnor i saj!

26. HËNA

Kur bie muzgu i parë
fytyrë e hënës si pogaçe ndrin:
herë fytyrëplote, herë si drapër
hëna stolis gjithësinë.

Pa hënë s’do kish bukuri
Në verë, vjeshtë, dimër e behar,
Ajo terrin e zhdavarit
Dritë bën sa mijëra fanarë.

27. FLUTURA

Flutura krahëshkruar
pranverë më pranverë
fustanin me pika
gërshetin mbi shpinë
rrobat me ngjyra zbukuruar
lule më lule duke fluturuar.

Nga lulja në lule se ç’titrim
aromën e tyre e ka ushqim,
edhe pas saj fëmijët nxitojnë
t’ia marrin atë bukuri
me harenë e ditëve plot dritë.

28. XIXËLLONJA

Xixëllonjë ti moj fenere,
jep sinjale në fillim vere;
dhe heq valle me kunadhe
skaj arave, nëpër livadhe

Xixëllonja xixëllinë,
me fëmijët heq valle,
duart e njoma e arrijnë
pastaj u ndrit nëpër balle.

29. TRUMCAKU

Vera kaloi dhe vapa
iku vjeshta plot me shi,
sakaq dimri ia çatisi
me dëborë dhe me stuhi

Nga fërfëllizë e dëborës
të gjithë mbyllen si nën dry,
thuajse nuk do kush dimrin
ta shohë fare me sy...

Nga fërshëllimat e acarit
mbi pullaz pranë oxhakut,
dhembshëm dëgjohet në të rrallë
zë i ndrojtur i trumcakut.

Është uritur i gjori
tëmotjet bora ka mbuluar,
dhe rrugët e fluturimit
dimri ia ka ngatërruar.

Ciu, ciu, ciu
trumcaku cicëron
miqtë e tij dhe thërrimet
kështu pareshtur kërkon.

Sa hapet derë e shtëpisë
apo n’ahur dikush shkon,
trumcaku më flatër mpirë
atë ngathtë e shoqëron.

Një ditë me acar
me borën gjithkah shtruar,
e ftova trumcakun
bashkë për të drekuar.

Shpejt ai ma kuptoi dëshirën
afër sofrës erdh e u ndal,
sa çukiste thërrime buke
mua më bëhej zemra mal.

Sa mbushi gushën me bukë
lëvizte kokën si xhan,
sikur më tha faleminderit
e u katrith në tavan.

Nga një kënd i dhomës n’tjetrin
herë n’dritare, mbi tavolinë,
me hare ai bredhërinte
gjithë gaz mbushi shtëpinë

Mirëpo, me t’u hapur dera
cicëriu nja dy-tri herë,
sikur na tha lamtumirë
iku, fluturoi në erë...

30. TRENI I FUNDIT

Fushë – Kosovë, platforma në shkujë,
stacion i parë në udhën pa kthim
muaji mars e shpirti më ngrin.

Ora njëzetetre e sa
kur altoparlanti alarmon
diç të re a të kobshme thotë:

veni re, veni re!

Dëgjohet një zë i gjorë,
po afrohet treni afarist...
të gjithë pasagjerët
dolën në peronin e dytë
pastaj ikën në Dhé të huaj.

Rënkim i rëndë
nga rrëshqitja e dhembjes mbi binarë
mes pasagjerëve përbindëshi u ndal.

Të gjithë nxitojnë me valixhet ndër duar
me familjarë duke u përqafuar,
e lotët djegin platformën.

Sërish me vini re, vini re, pasagjerët
sugjeron
që t’i nxitojnë përqafimet, amanetet
e rrugë të mbarë t’urojmë me gjysmë zëri.

Sakaq u shfaq Mitrovica sikur plakë
çdo çati në qytet me ngjyrë
t’përhitur e të plumbit të rëndë

Pashë dhe kombinatin “Trepça”
tym t’zi villte për dritë të hënës,
gjëmë e tij vinte si gjëmë e nënës.

Të gjithave ua ktheva shpinën
në dritare treni m’u varen kujtimet,
heshtjen mora me vete dhe lotët...

Nisi biseda e heshtur  mes meje e vetmisë
mes acarit të ikjes dhe territ të natës,
që Kosovës vatrat po i zbrazen.
 
Ç’porosi më jep, o trevë, lokja ime
për gjeneratat në mërgim,
për ata që ta kthyen shpinën.

Hukaste treni gjithë mallëngjim
kurbetçinjtë mblidhte porsi nizamë
dhe mallin e atdheut me vete ua merrte.
 
Më në fund mbërrijta në Dhé të huaj
Ku ka gjuhë dhe traditë tjera
Dhe jeta duhet nisur nga zeroja.

31. KURBETI

Erdha për pak ditë në dhe të largët
dhjetë vjet u bënë e shpresa po më venitet,
që të kthehem në gjirin e vendlindjes.

Njëri mund të humbasë krahun
dikush tjetër këmbën ose syrin,
ndërsa unë i humba të gjitha.

Meqë jam gjallë e me humbje të mëdha
lus Zotin t’më ndihmojë,
që sonte atje të zbres për darkë.

32. MIRË SE VINI MËRGIMTARË

Mirë se vini mërgimtarë
mall e brengë mos t’iu shkallmojnë,
se Kosova i ka të vetat
që mbase dhe i teprojnë…

Mirë se vini, mërgimtarë
me ato t’hershme kujtime,
ju përkëdhel treva si më parë
me të rejat pikëllime…

33. LEGJENDA E UJQVE

Në çdo dimër t’madh
kur ditët, netët ngrinin,
ujq të tërbuar
mbi kope na binin...

Fshatarë e fshatarka
ngriheshin në këmbë:
me kmesa, sëpata
priten  për t’ua zënë.

Po s’bënin punë
sëpatë as këmesë,
ata ishin shumë
dhe ishin të pa besë!

Ujq të tërbuar
me tërë lukuninë,
n’për fshatra u lëshuan
pasi shkretëruan malësinë.

Copëtuan pa mëshirë
me qindra bagëti,
krerët më të mirë
dhe qengjat e ri...

Fshatarë e fshtarka
Nga dëmi që pësuan,
Katundet lanë shkret
Nëpër qytete shkuan...

Menduan se n’qytet
do të gjenë qetësi,
ujq të mos shinin
gjak e kërdi...

Po n’qytet shpejt
zunë për t’u mërzitur,
nuk kishin fshatin
ku ishin rritur.

N’qytet s’kishin arat,
bagëtinë as bulmetin
shpejt u penduan
pse mësynë qytetin.

Fshatarë e fshtarka
që shkuan n’kurbet
u mësuan dhe me ujqit
që ishin në qytet...

Ca kohë me ujqit
disi bashkëjetuan,
por papritmas bishat
sërish u tërbuan.

Fshatarë e fshatarka
prapë humbën shpresë,
mësuan që egërsirës
nuk i zihet besë...

Qëkur nga përvoja
një urti na mëson:
ujku ndëron qimen,
por jo dhe – zakon...

1981  


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Nga libri ''Pse e urrej Kadarenë'' (19-01-2008)
Nga libri ''Larg pikon Hëna'' (19-01-2008)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Shefqet Dibrani

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]