Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 17-05-2008, 04:49am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Shefqet Dibrani
 
Nga libri ''Ditar mërgimi''
E shtune, 19-01-2008, 04:00pm (GMT)

Shefqet Dibrani

Nga libri “DITAR MËRGIMI”, poezi, Prishtinë 1998.

STUDIO MËRGIMTARI

Kanata me dyer të çara
Dhoma e ndryrë me dhembje eksodi
Malli përcëllon e zëri i këngës tretet ndër dhëmbë
Kujtimi mbetet peng mbi supe pa zbarkuar
Nga plasat e derës hyjnë
rrezet që puthin përditshmërinë

Rri në mur një kartolinë me peizazhe atdheu
Copëza gazetash mbi tavolinën e bukës
Varur rrobat e trupit në ndryshkun e viteve
Kundërmojnë djersën e dhembjes sikurse enët e palara
Që presin duart me kakusha ushqimin e ri ta gatuajnë

Radioja prej së cilës vijnë halle të mëmëdheu e
këngë dashurie
Kujtimet rikthehen andej nga nisi mërgimi
Copëza psherëtimash mbulojnë vetminë e telekosur
Mërgimtari ngrys ditët e gjata e netët pa gjumë
Në studion e tij plaket pa dashje edhe heshtja

Studioja e mbuluar me shtatë palë vetmi
Me të vetmin ndryshim dhembja përtërihet në atë mesë
Për të mos mbetur i vetmuar e shoqëron mërzia
Qetësinë ia prish vetëm një flutur kur në dritare bie
Duke i kujtuar dashurinë në një kohë rinie

KU TË SHKOJ NË BUZËMBRËMJET E MIA

Ku të shkoj në buzëmbrëmjet e mia
Ka rënë terri është ndezur dashuria
Shpirti po më digjet zemra po më tretet
Ku të shkoj në buzëmbrëmje pashë natën
Kur zemra ime tashmë kallet

Vitet kanë shkuar ujëra kanë kaluar
Dita rrjedh si krua nata burg i zi
I vdekur në këmbë e dukem i gjallë
U treta unë për ty
Mërgimi më treti vallë

Ka rënë terri në buzëmbrëmjet e mia
Ku të shkoj të kalëroj epshet t’i shfrenoj
Si qyqe degë më degë të dal e të vajtoj
E gu-gu e gu-gu për buzëmbrëmjet e mia
e ciu-ciu e ciu-ciu të më kthehet dashuria

Në pasqyrë prek dhimbjet e mia
Djersa më bëhet akull
Hijet më dëftohen terri më afrohet
Veç grerëza e milingona kanë hyrë në veshët e mi
Vetmia jetën ma ka nxirë

Ku të kthej në buzëmbrëmjet e mia
Udha kah më treti vaji ku më mbeti
Sytë mu verbuan era shtëpinë ma treti
Në det dashuria si valë puthjen përpinë
e shpirti im këtu sall grinë

PASDREKAT E MËRGIMTARËVE

Në ora dymbëdhjetë gjithmonë mërgimtarët
hanë bukë
Për jetë ngritën pasditen ta mplakin
Kurse dhembjet i bartin si lehona fëmijën e saj

Kazma e lopata nëpër duart e tyre
kakushat gravojnë
Pasdrekat e dhembjes ata sprovojnë

Malli i vendlindjes ju shkrehet bashkë
me djersën e ballit
Ndër buzët e thara ju pikon gjaku

Rrudhat e fytyrës pikturojnë tragjedinë
Flokët e thinjura nga koka iu bien

Ahet e ohet me kujdes i lëshojnë
Pasdrekat e mërgimtarëve janë të gjata
Ashtu si varret e vdektarëve qëndrojnë

DASHURINË PENG TA KAM LËNË

Kam lënë dashurinë e gurëzuar në buzët e saj
Heshtja më kalli shpirtin nëpër pritjet e gjata
Dhembja m’u bë kurim rrugëve më shoqëroi nata

Kam frikë se shuhem pa të parë edhe një herë
Ankthi më kapërthuret në këtë terr e vetmi të thellë
Sytë m’u verbuan, zemra s’më grafullon

Kam në kopsht një lule trëndeline
Kur të vijë pranvera frutin e saj në vazo qite
Me një këngë kthimi mbushulloje ardhjen time

Kam lënë për ty dashurinë peng të gjallë
Malet do t’i kallë e detin do ta thaj
Në prehrin tënd mbi shtratin e bardhë do ikën nata

ROMANCË MALLËNGJIMI

E dashur
Të kujtoj sa herë kthej në dhomë
E ty nuk të gjej shtrirë mbi krevatin e bardhë

Karafilat
Më dalin përpara e puthja tinëzare
Dhe gjoksi yt në rreze hënë përplot rruzare

Buzëkuqi
Në mollëzat e faqeve të mia ende dihet
Dhe pëllëmba e dorës shtrirë mbi ije dashurie

Vetmuar
Kam mbetur kujtimet përherë përtërij
Shpresa më venitet djalëria ik së bashku me hijen tënde

Këtu shiu regëtin e regëtin pa ndalur
Veç tash kuptoj se jemi larg dhe dashuria më kallë

Buzëmbrëmjeve
Kur të merr malli për mua
Dil nëpër fusha me yjet ço dashuri

Pastaj
Këput një manushaqe hënës tregoja sekretin tonë
Ndoshta si meteor nga qielli ylli im të përqafon

NË VEND TË RAPSODIVE
 
(A. Moisiut)

1.A një shekull udhë u dasht

Në varr me ty një Unazë Moisi
Rri si trupi, dërmuar nga udhë e gjatë
Po më shumë se për Ty ish Moisi
Nderim për artin e madh

Më shumë se famë lavdi
Tërbim dhe mpiksje ai çast
Kur zoti Baserman unazën
Me ty e përcolli në varr

Rrugë të gjatë nëpër art bëri
Unazë e të madhit Infland
Njësoj si fisit tuaj
Mynxyrat s’ju ndanë

Unazë e shqetësuar që s’gjen prehje
As në këtë çast
Rri mbi trupin tënd në harresë rri Moisi
Vetëm një shekull udhë na u dashtë
Deri sa të vijmë këtu në Markotë te yti varr
   
1994

2. Për në Markotë

Nga Durrësi u nisa me varkë për në Markotë*
Rruga më treti e në Selanik piva një kafe të hidhur
Me aeroplan kalova mbi teatrin e Sarajevës
E pashë të tërin larë me gjak nga tragjedia
Në shkallët e tij Evropa bënte sehir
Si qiell i bruztë Rijekës shikimin ia lash
Erdha ndër Alpet zvicerane e të gjeta
O vëlla i shpirtit zemrës e përpëlitjeve shqiptare
Po të sjell nga Kosova një tufë helm
Aktrim hamletian nëpër rrugë dhe sheshe
Larë me britma shurdhuar me lotët
E shtatëmijë nxënësve
Ndërsa artistët nëpër rrugë shëtisin
Me duar në xhepa e me zemër të thyer
Në emër të drejtësisë Teatrit Popullor
Dryni iu vu më s’ka amfiteatër as lojëra aktorësh
Nëpër bulevarde shikojnë tragjedinë moderne
Post skriptum vetëm për shqiptarët dhuratë
Adresuar nga Ferri i Dantes
Të sjell nga Shqipëria o vëlla një këngë malli
Të sjell nga Atdheu lotin e shqetësuar
Lotin e Lokes marrë në portin e Durrësit
Shpirti i saj shpirti ynë nuk qetësohet dot
Për derisa prehesh Moisi në dhé të huaj

Zvicër, mars 1994

*Markotë-Marcote;  Vendi  ku gjendet varri i Aleksandër Moisiut. **Botuar në monografinë <Moisiu dhe Moisiu> të Shaqir Foniqit, Prishtinë 1994. Faqe 90-91.

SI TË JAM NË GAZETË

Miq
Ç’të bëjë të jam në gazetë
Vargu im të mos ketë pengesë

Miq
Ç’maskë duhet vënë
Të jem në gazetë përherë

1994

IKJE PA ZHURMË

Nëse iki nga irrealiteti
Rruga më shpie në realitet
Ju mos më mbuloni me dënesje
Në rrugën ikanake tatëpjetës së re

Se hallin e mallin copërisht do ta ndajmë
Shqetësimet e mia do t’ua fal miqve
E në realitet kthehemi bashkërisht edhe një herë

Me gjithë ata që parajsën ma bënë ferr

Sankt Gallen, 18 qershor 1995

BRENGËN NUK E TRET GJUMI

Nën hijen e blirit
I gdhenda kujtimet e ikura
Në tavernën e mbuluar me gota të zbrazëta
Pa pritur një gjeth nga dega u këput
E dy lot nga syri i lokes
Ashtu të ujshëm
Në gotën e kristalit u rrokullisën
I pashë të lodhur e mallëngjyer
Që ishin e mërzia i kishte kapluar
Për përgjumësinë në kohë pa kohë që bëra
Rrugëve të pafund me helmin emigrues
Ndërsa buzët e thara për dashuri ç’janë çarë
Një of të stërshoshur nëpër hallet e mërgimtarit
Në grykë gota e derdhur ofshamën ndalë

Me një të ngritur që sosa mortmërgimin tim
Që më la gërdhuz rrugëve të pafund

Gjaku im kur më pa ktheu kokën mënjanë
Lëshova këngën esull për fundokët e pafund
Brengen time nuk e tret as gjumi

GJENEZA E RRËNJËVE

Pa ardhur  dakiku
Nuk po dalka shpirti

Mentë e njeriut qenkan me rrënjë
E rrënjët tona edhe në varre janë

Kurse themelet  në këtë vend
Maten me shekuj

PUESHTETI SHPIRTËROR

Në kohën kur
Vetëm zemër e Kombit
I jep darkë jetës

A duhet jeta t’i shërbejë
Pushtetit shpirtëror
E zënkat t’i lëmi për më vonë

NË DASMËN E MOTRËS

Tani ti ike larg moj motër
Robinë mbase s’do mbetesh përjetë

S’je e lirë më me lodrat e fëmijërisë
As me gazin e shkujdesur të rinisë

Sepse tani u bëre grua me burrë
Sapo të shkelësh pragun e huaj

Por ah ti po shkon në vend të ri
Me buzë në vaj motër dhe pa liri

Kthehu kthehu  moj motër përsëri
Dhe na përqafo fort e me dashuri

ECJE

Eca tehut të shpatës
Gjersa tehun e topita

Eca buzë lumit
Gjersa lumin e shterrova

Eca skaj dritës
Gjersa dritës ia mora shkëlqimin

Eca përballë besës
Gjersa e munda tradhtinë

Eca gjithë jetën me kokën lart
Ndanë kryeulurve

Eca tehut të shpatës buzë lumit
Skaj dritës përball besës

Eca gjithmonë me kokën lart
Duke u qëndruar të gjithave pranë

NË NJË SHTËPI TË ÇMENDURISH 

Secili vjen me mençurinë e vet
Deri në mesin tuaj
Të çmendur ju thonë
Pa dashur të dinë gjenezën
Se si erdhi çmenduria tek ju
Apo e gjitha ndodhi
Nga marrëzia e njerëzve normalë

Dallimi esencial mes jush dhe atyre
Është segmental
Ju pranoni se nuk dini
Jetoni nën mbikëqyrjen e tyre
Me mjaftë harmoni
Ata gjithmonë mendojnë se dinë
Në të vërtetë ata dinë mirë
Por pa pranin tuaj dallimi është i vogël

NJERIU ME SYZA

Ai ka sy dhe mbi sy syzet
Në mes syve dhe syzeve pabesinë

Ai ka sy dhe mbi sy syzet
Në mes syve dhe syzeve vakuumin

Ai ka syza por nuk ka sy
E nëse ka sy i mungojnë syzet

Ai ka sy dhe syza
Dhe prapë lexon së prapthi

Ai ka e s’ka sy, ai ka e s’ka syze
S’ka rëndësi edhe nëse i ka të dyja

Në kohën kur i mungojnë mendtë

URREJTE APO DASHURI

Dikush mërgoi për ta dashur atdheun më shumë
Të tjerët mërguan nga urrejtja që kishin për atdheun

Gjersa të parët duke dashur atdheun e dëmtuan më tepër
Se sa ata të tjerët që ikën nga që kishin urrejtje për atdheun
 
Ata që urrejnë nuk i bëjnë qoftë edhe një hile tjetër atdheut
Sigurisht mosdashja e skajshme  nuk toleron lëndime të reja

GAZETARËT

Në dorë gazetën
Shkop i së vërtetës
Egoizmin në shpirt
Pranga hekuri
Censurën
Gënjeshtarë të pacipë
Tradhtisë nuk ia kanë frikë
Cinizmin ideal e parim
Dhe pabesinë

Kod moral
Dredhinë
Të bardhën e nxijnë
Me të zezë
Siç nxihet letra

Kanë refrenin
Nxirësit e jetës
Stafi më i përbaltur i lirisë
Me të vërtetë
Janë gazetarët


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Nga libri ''Qershia e pikëlluar'' (19-01-2008)
Nga libri ''Pse e urrej Kadarenë'' (19-01-2008)
Nga libri ''Larg pikon Hëna'' (19-01-2008)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Shefqet Dibrani

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]