Shefqet DIBRANI
Nga Libri “STREHËT E GJAKUT”, poezi, Prishtinë 2000
I. STREHA IME PIKON GJAK
Pikat e gjakut
Quk-quk zhbirojnë gurët në themelet
e kullave shekullore
pa pikë fryme shurdhër ranë mbi dhé
thika e përgjakur qëndrueshëm rri
në dorën e farës së gjinisë me rrënjë tekanjoze
Në agsholit pranveror e vranë pëllumbin
pushbardhë
bashkë me vrullin e rritës së shenjtë
nga oxhaqet e fisit tim të pashuar
pikëllimi villte krimin vazhdimisht
që kur këmbë e barbarit shkeli trollin tim
Molla në oborr të shtëpisë preu bulëzimin
sqepi i krimbit, qershisë ia pikoi syrin
ninëzat e kuqe rrodhën si lot për faqe
korbi i zi korb solli tmerrin atë ditë
në agsholin tëmbëlor në prag
të shekullit të ri
Kur pushka e parë shkrepi mbi të
u trand deri në çmendi sikur të ishte bishë
pikat quk-quk rrodhën gjakun e zi
krimi e tragjedia nuk kishin kufij
Na pshurrën pragun, na fëlliqën oborrin
streha ime vazhdimisht pikon gjak
gjak e flakë, flakë e gjak për çdo natë deri në ag
Natë ishte. Kujtuan askush s'i kishte parë
po ylli i fatit shqiptar sodiste tragjedinë
e rrezet e hënës deri pranë oxhakut kishin zbritur
Nga një urë e padjegur në zjarr
tymi fitil shkonte përpjetë
te retë çonte lajmin për krimin që ka parë
syrin nuk ia ka turbulluar as cipa
e blertë e hirit sipër rënë
Natë ishte. Gjithçka në gjumë
në shtrat në trojet e veta stërgjyshore
Hëna pikëllueshëm i kishte parë pikat e gjakut
kur nga streha ime
quk-quk në tokën time kishin rënë
dhe një lumë dhembjesh e hjekash
vërshoi nëpër kurmin tonë...
II. PEMA IME LARË ME GJAK
E shkelën grurin në arë e gardhiqet na i thyen
u ça porta, dera e shtëpisë u përplas
xhamat e dritares copë-copë ndanë rrugës ranë
fletët e librave nëpër u panë
Lumi përplot gjak e gjaku u nxi
plumbi mbi kokat tona zogut krahun ia plagoi
dielli u turbullua, lemeria e mori
lulja në livadh nga çizmja barbare është vrarë
bari i shkretuar në pranverë pa gafrruar ka mbetur
viçi tmerruar ndër fushë është fshehur
Pema ime u la me djersë burrash
breza të këputur duar të shkatërruara
klithma e tyre si ehu i këngës ndër dhëmbë
dhe rrënjët e pemës ujiten me gjak
Kokat si frutat kanë rënë…
III. VIZATIMET E BARBARËVE
Natën erdhi ushtri e pafarë
erë "shlivovice", kundërmim qelbësire
si djalli i zi kanë shkelur barin nëpër
fushën time
kanë kuisur këmbëzat e urës
ushtrinë e serbit nuk e mbajmë kurrën e kurrës
Erdhën natën, rrethuan shtëpitë
erdhën për të mbetur,
tërbimi theu degët e pemishtes sime
në pullaz tjegullat na i theu…
pastaj shiu quk-quk, si qull
shtratin e ka bërë ujë
Kaluan barbarët mbi ura në këtë anë
te kroi qetësisht presin frontin trimat
një pushkë një rrethatore e një copë
bukë të thatë, një fletë qepe në mes e dy kokrra kripë
Ka ditë që tymi nuk është ngjitur përpjetë
për mos t'i diktuar burrat ku janë në cilën bjeshkë
Kaluan ushtritë edhe lumin tash janë ngjitur
përpjetë drejt kullës sonë
në shtratin e nuses kanë fjetur tërë natën e gjatë
e diku në oborrin tonë kanë lëshuar qenin e tyre të lehë
Ushtri e pafarë
dalldisur i ka ra fushës së blertë
qerrja e topave dhe këmbësori e shkretë
kanë thyer misrin, kanë shkelur grurin livadhin
kanë djegur të dehur në odën e bijës sime
hungërojnë tërbueshëm e me thundra brinjët asaj ia
kanë shkelur
zvarrë tërhequr kopshtit nën degët e qershisë gjëmuese
me tehun e thikës majat e gjinjve ia shpuan
njëri ia thithte tamblin tjetri me raki plagët ia digjte
Nata bëhet sa një shekull rëndë
ndër muret tona në korridoret e kujtesës
çmendinë serbe barbarisht vizatojnë
IV. FËRFËLLIMA E GJETHIT NGA PUTRAT E BARBARËVE
Shiu tashmë ka harruar tokën e çarë sikur gjumi fëmijën
era gjethet fërfëllon, zhurma e ujëvarës prish ëndrrën
e natës
buzët e thara nga vuajtjet e ditës pema në oborrin
e shtëpisë fletët nga dega lëshoi
Zymtësia ka pllakosur ftonin dhe kumbullën në kopsht
pullazi pikëllueshëm në dy kahe shiun përçan
dhe gurra e ujit gurgullimën ka pakësuar
për një vuajtje që po afrohet
Ndan mexhës së arës barbarët po vijnë
me pushkë në krah, "shlivovicën" në grykë e bajonetat
në duar
Po vijnë të harbuar nuk ngjajnë me barin pas shiut
po vijnë për të shkretuar tokën
për t'ia prishur ëndrrat fëmijës
Barbarët rrapëllojnë uturimë lëshojnë
ata vijnë natën së bashku me krimin
bulëzimin e jetës për të prishur
Njerëzit kanë ikur pa plaçka në krah
Dhiarët përplot klithje fëmijësh,
gra të lemerisura. Ata nuk po shkojnë në ditë pazari
kanë marrë ikën janë futur malit për ta shpëtuar
vetëm kokën nga kosa e barbarit
Qerret me fasule, mbushur kovat me misër të zier
racion ditor
Vasha që deshi të bëhet nuse pajën me vete mori
rrinte në pritje të krismës habertare dhe "eh"-ut
të luftëtarit
çardaku mu në mes të malit
As natën njerëzit gjumë nuk fusnin në sy
ata në krahë të njëri-tjetrit në kolonë lëvarin kokën
për t'i përkëdhelur ëndrrat
Në pemishten time përsëri po thehen pipthat e shartuar
më tutje shtrohet rakia qengji nuk është lëshuar
nga torishta as lopa nga shtalla s'ka dalë
Kurse barbari me majën e thikës në trupin e kumbullës
në mur e portën e shtëpisë dhe në ballë të oxhakut
e mbi minder trininë serbe kudo vizaton
Rrugët e pazarit janë shkelur nga turma gjëmëtarësh
nga lindja e fëmijëve në fushë e në mal
me dhembje lehonat ardhmërinë më tutje për një
brez çojnë
V. NJË TIS MJEGULLE PO VERBON
Muzgu shurdhër po bie, një tis mjegulle po verbon
frika kaploi fshatin trishtimi ndër dhëmbë ka ardhur
ogiçët kthehen me kambana të çara të mbushura me bar
qenve turinjtë ua mbuluan me kova që "ham"-et e tyre
të pushojnë
patkonjtë kuajve jua mbështollën me pëlhurë
që lehtas nga bjeshka të zbresin në fushë
Bagëtia qetë-qetë zbret nga stanet bariu fyellin
ka braktisur
trishtimi e frika oxhaqet e odave ka pushtuar
rrugicat e fshatit të zbrazëta
as mjelëset e lopëve në prag të vathit s'dalin
Muzgu shurdhër po vjen, një tis trishtimi po verbon
frika pllakosi fshatin shurdhësia po kaplon
vetëm rrapëllima e barbarëve e prishi monotoninë
thikat e tyre thekshëm vezullojnë, ah barbarët
arritën kudo ndër trojet tona
Një gjel kryeneç alarmin lëshoi barbarët i pezmatoi
për t'u hakmarrë vranë qenin në zinxhir
në kope therrën ogiçin, dhenëve iu grahën përpara
e dhitë e kuqe na i lëshuan ndër ara
I kallën qerret e mbushura përplot ushqime
kuajve këmbët ua shëmtuan
e zogut krahët ia shpuan
Barbarët erdhën në trojet tona
me dhembje të theksueshme bari rritej në rrugë
Njeri i gjallë nuk lëviz
a thua ka mbetur dikush në jetë ditën që ka lindur
VI. ZËRAT NDËR DHËMBË PËRMBYTËN
A thua ka mbetur dikush gjallë a thua...
Zërat ndër dhëmbë përmbytën nga gulçimat
kambanat e tufave më nuk dëgjohen as hingëllimat
qentë i kanë vrarë njerëzit i kanë shpërndarë
ku e kah nuk di njeri i gjallë
Vera ka ardhur me retë sterrë
njeri i gjallë nuk ka dalë në derë
Arat u shkretëruan tufat u asgjësuan
troku i kuajve s'dëgjohet as qerret me qe rrugës
s'kalojnë
Hithra e gjemba mbushur kopshtet djerrë kanë mbetur
rrugët janë shembur udhët e bjeshkës kanë humbur
Nga mëngjesi e gjer në mbrëmje digjen
pëllëmbë për pëllëmbë shtëpitë. Rrobat e palara
nga djersa
kundërmojnë, fshati kundërmon nga shtazët e vrara
nga qentë e ngordhur
Tek-tuk nëpër fushë duket tufa e egërsuar
me gjinj të harbuar mjelësja nuk merr qumështin
e djegur nga vapa nga gjinjtë me hithra të regjur
Vera ka ardhur retë janë bërë sterrë
dera e shtëpisë është mbushur me therrë
në bjeshkë bari është rritur deri në gju
tufa mungon, s'dëgjohet zëri i Laroshit
lisat e trembur nga qetësia e harruar
pa zërin e grigjës e fyellin e bariut sa e trishtuar
Vetëm era ia prish qetësinë bjeshkës
e ndonjë qen endacak që i shpëtoi betejës
në asnjë bjeshkë zëra nuk ka më
as sopata e pylltarit lisit të rënë
as "ah"-u, as "oh"-u, as loja, as dashuri në
bjeshkë nuk gjen, kanë ikur të gjithë atje matanë
matanë shtatë brezave ku bren miza hekur
Shirat kanë ndërruar kahet ato ravijëzojnë
bari ka dalë mbi pragun e shtëpisë e
ferrat dritaret i kanë mbyllur
e qeni ka ngrirë në zinxhir
Nëpër pyll ujkonjat ushqejnë këlyshët
me tufat e ngordhura dhe me kockat e
njerëzve të vrarë, një shekull më parë
e tani, tani…
VII. SHIRAT VJESHTORË PO VIJNË
Shirat po vijnë, bari gufon e gafrron
dhe rrugët mbulohen me ferra
tashmë edhe dhiaret e bjeshkës së shkelur
janë mbuluar me bar edhe qentë e tërbuar
ranë në arë. As dëgjohet zë
as ka dalë bujku në fushë tashmë
shkretëruar është jeta, s'ka "lëshuar" as bleta
Ikanakë! Mos ëndërroni shtratin e butë, as
shtëpitë e padjegura as fshatin e katandisur
mos e kujtoni hijen në oborrin e shtëpisë
as tufën as bjeshkën krojet e akullta mos i kujtoni
atje barbarët tashti dergjen
Ikni shqiptarë nga kosa e barbarit
leni lopët çfarë keni të gjallë shpëtoni
kokën dhe bimën që mbani në duar
Tufa do ta gjejë bjeshkën me barin e harbuar
e ndër stanet tuaja ajo do të flejë. Mos u hidhëroni
mos i mallkoni pse bajgën kanë lëshuar në shtratin fierak
shtazë janë, po çfarë të bëjmë me barbarët.
Ikanakë! Në gjumë rrëmbyeshëm do t'u dali fusha
përpara
mos i mallkoni ëndrrat as shekujt plot vuajtje
mos i mallkoni kopshtet e pemishten
se bari nuk rritet në gjak
Ikanakë! Bëfshi gjumë të lehtë në tenda
mos mallkoni shirat vjeshtakë që po ofrohen
e dyshekun do t'ua lagin e trupin
do t'ua kalbin mos mallkoni
pse rrëmbyeshëm do të fryhet përroi ai do t'i
lajë gurët plot gjak e dheun
do ta bartë deri sa të dalë në kafkë
në një kafkë harrestare
Plepi do t'i lëshojë gjethet nga erërat vjeshtake
gjethet në tokë do të kalben ti mos
mallko dridhërimat e lisave nga ethet e murrlaneve
e ti floknajën tënde mos e lësho në erë kombi im
shpirti im ti mos u shqetëso as mos mallko
Mos i kujto të vdekurit as varret harro
çfarë ke parë çfarë ke përjetuar
as krojet e mbushura me eshtra as puset me gjak
mos i kujto ëndrrat e gëzueshme
as puthjen e fëmijës
mos i kujto krimet as kosën
që ra mbi kokat e luleve në livadh
Shirat vjeshtakë po vijnë varret
do t'i rrafshojnë e mbi to në pranverë
bari do të mbijë e kostarët
do të kthehen përsëri
Plugu një ditë një kafkë
mbi dhé ka për ta qitur. Ti mos u shqetëso
as mos e mallko umin e plugut pse
një kafkë mbi dhé ka nxjerrë
një kafkë harrestare...
VIII. NJË KAFKË HARRESTARE
Një kafkë harrestare - një kafkë harrestare
tinës fshatit është vjedhur ndër varre
kush e ka parë - kush e ka marrë
nuk di njeri i gjallë
Varret janë ladruar kockat janë tubuar
tinës fshatit kanë ardhur kafkën kanë marrë
një kafkë harrestare
Me maska në fytyrë me lopata në dorë
kanë rrëmihur e rrëmihur qetas ndër varre
me gjëmë natën për hënë pa bërë zë
gjersa kanë gjetur kafkën
kafkën kanë marrë
atë kafkën harrestare
që prej vitesh errësonte ndër varre
Varret janë ladruar kockat janë tubuar
fshehtas kanë ardhur vetëm kafkën kanë marrë
kafkën harrestare ndër varre
varret shkretuar gurët kanë rrëzuar
dhe me plugje pastaj i kanë lëvruar
Dhe me plugje lëvruar i kanë varret stërgjyshore
kafkën kanë marrë kafkën harrestare
në kujtesë ka mbetur vetëm kujtimi i zi
në katakombet tona shekullore...
IX. ERDHËN NDËR VARRET TONA
Ndër varret tona tinës për natë ranë
në pritje të mëngjesit me trasta në krah
gjetur na kanë
Për dhé na rrëzuan me çizme na shqelmuan
pastaj barbarët egërsisht u sulën mbi grat tona
Burrat i lidhën për peme në oborr
kosa shkëlqente në dorën e barbarit
priste të rrëzonte meshkujt përnjëherë
sikurse rrëzohet bari
Na ranë në pritje të mëngjesit në ikje
tatëpjetës së malit na ranë në vatrat stërgjyshore
aty ku prindërit tanë den baba den mbetën në këmbë
ata shkrepnin pushkën për lindjen e djalit
kuajt shalonin dhe vetë lëronin arat
dhe thërrisnin me sa gurmaz që kishin
eeej a dëgjoni gjallë jemi në këtë vend
dymijë vjet para Krishtit, Ilirisht kemi fol
dhe tashti shaminë na kanë vënë mbi gojë
Erdhën ndër vatrat tona për të na rrëzuar
krenarinë e barit vestar e lisat
që prekin qiellin si plisat binin
mëngjeseve herët e muzgjeve verore
shpresën vazhdimisht kishim në lindjen e diellit
Pemishtja vetëm ka mbetur. Secili më vete
kujton dhe pyet vetveten dhe ata që
s'janë pranë se si janë e ku janë
Udha nëpër mal është me të papritura
me kosa mbi kokë e thika në shokë
Dikush bie në kodrën e këtushme
tjetri bie matanë
me varre u mbulua ky vend në çdo anë
Fëmijët flasin me gjuhën e gjetheve
vetëm zogjtë i kuptojnë e degët rënkojnë
X. KOFKAT NË VARRE NA I KANË SHPLUE
Barbarët na çanë, gjymtuan e sakatosën
fëmijët flisnin me gjuhën e gjetheve, me zogjtë
kuptohen, në shkollë i dërguan
shkronjat me gaxharrema jua mësuan
Mësuan si nuk duhet dashur atdheu si urrehet vëllai
i mësuan si nuk duhet mësuar e shkronjat
me gaxharrema vazhdimisht trastën jua shpuan
Peng mbetën tek ardhësi, ardhësi ishte barbar
në shkollë të tyre na futën shpirtin na copëtuan
sytë i munduan e vaji në buzë gjithnjë na mbeti
Me kallam misri barkun ushqyem e këtë
shtat fidak e rritëm ngadalë. Disi shkronjat i mësuam,
e kur ato germa me qoshe na shpëtonin prej dore
gjaku curril shkonte
Në vend të Naimit, Vukun na dhanë, në vend të
Kristoforidhit, Njegoshin na urdhëruan, kur
i venim mbi shuplakë, duart vazhdimisht
mbusheshin me gjak, nga tehu i shkronjave
nga të thepisurat që kanë
Ndër varre gurët na i rrëzuan, në noteri
emrat na i ndryshuan. Vuajtje e pikëllim
pësoi kombi im, e kafkat ndër varre na
i shpluan - kafkat e fisit tim të pashuar
me shpirt të plagosur
Ne dinim të kujt jemi dhe dinim të
kujt mos të jemi, por barbarët na detyruan
edhe në shtëpi të flasim gjuhën e huaj
gjuhën e barbarëve, që na i ngritën kafkat
ndër varre - kafkat e fisit tim që gjallonte në vegim
Barbarët erdhën për mos me shkue
ndër vatrat tona donin me qëndrue
në qytete e katunde dyndeshin pa lindur
dielli në bujtina rrinin gjersa këndonte gjeli
Gotat i cakrronin mbi varret tona
(zakon i moçëm për sojin e barbarëve
dolli e aheng të ngritin mbi varre)
Kuajt tanë rrëmbenin dhe i ushqenin
me bukën e gojës, dhe shpatat i mprehnin
mbi trupin tonë. Barbarët erdhën gjithë
lemeri, erdhën dhe qëndruan
e mbi varret tona kanë kënduar
pastaj kafkat në varre na i kanë shpluar...
XI. LAVDIA E BARBARËVE
Shpatat preheshin mbi trupin tonë
nga mllefi këndonin nga qejfi dhunonin
bukën e magjës na helmonin, ujin na kanë pshurrë
me gruan e kurorës natën kaluan
me fjalë të rënda na acaronin
e me thika zemrën na shponin
Pemishten na dëmtuan, tufën na zvogëluan
barbarët çfarë u pillte kaptina kërkonin
me qafë lëvar jetën kalonim
Hullive të vuajtjeve e rrudhave të ballit
kanë kaluar si në shuplakë dore nëpër oborrin tonë
policë e ushtarë vrasës e kostarë
Kaluan ushtri pa prijësa e prijësat vinin më vonë
dhe bënin be se këtu do të qëndronin
ne jemi të lavdishëm të përjetshëm na thanë
dhe hëngrën kokën e vet dhe nxorën sytë tanë
Në çdo shtëpi shtatë filiza lindur kanë
lagjet u rritën në katunde, fëmijëve
në çdo çerek shekulli kosa ju binte përmbi
e ne si bari shpërthenim përsëri
me piklat e vesës së mëngjesit
e lotët e mbrëmjes
XII. MBI VARRET TONA ËSHTË LUAJTUR KOMEDIA
Kuajt tanë të shalës egërsisht janë harbuar
ka vite shqiptarët që s'i kanë shaluar
as bjeshkën e vet nuk e kanë bjeshkuar
as tufën e vet nuk e kanë lëshuar
as kopshtin kanë mbjellë as pemishten
as kanë biseduar me shqipen
Dasmat kishin harruar zakonet
kënga nga gjokset nuk vërgëllonte
as pushka habertare nuk qëllonte
E ne nuk qanim kur e zeza ra përmbi
e ne nuk kujitëm kur thika përgjakej
mbi trupin tonë
As oh as uh nuk bëmë nga gjëma në gjëmë
Varret na shtoheshin çdo ditë
ato zgjeroheshin vazhdimisht
(gurin mbi koka s'lejuan të rëndoka!)
Vjeshta me ujë të rrëmbyeshëm
i rrafshonte e në pranverë bari harrestar i mbulonte
Vinin kohëra të tjera e kosa binte
përmbi e varret e rinj
me ngushëllima të reja psherëtimash
Kafkat e vjetra kujisnin nga tragjedia
mbi varret tona zgërdhihej komedia
e ardhur nga skizmëria
XIII. PËRBALLIMI I DHUNËS
Kur e zeza ra si një topuz në trojet tona, barbarët
tashmë ishin kudo e ne u mveshëm me të bardha
kërkonim vetëm paqe e vëllazëri
butësisht na hynë në shtëpitë tona e
qetësisht na grinë
Me zemrën gur i kaluam të gjitha
krushqitë e reja i bëmë me ta dhe lak e gjak
na rridhte për çdo ditë
Edhe librin e tyre mësuam, gishtat
tanë i lënduam nga tehu i shkronjave
Dhunë libri na u bë përditshmëri, me kokë
varur tehut të shpatës ecnim vazhdimisht
vesës së mëngjesit ia kishim frikën
këmba rrëshqiste sikurse mbi barin e bjeshkës
plagët hapeshin si në frontet e betejës
Ligjin e kishin bërë dhunë e dhunën
përditshmëri
sejmenë e topuz, qyskistarë e krillash
vërsuleshin vazhdimisht e kostarët
rrëzonin barin vestar çdo ditë
Të zezat i kaluan vetëm atëherë kur
dhunën mësuam
e fëmijët Durim i pagëzuam
XIV. DIMRAVE KRIMET JANË ASHPËRSUE
Ende pa fshirë kosën e lagur me fijet e barit të njomë
që kostari rrëzonte pa pra
fjalët e buta dhe lapsi ndërmjet gishtërinjve
tashmë si një kunj vrastari
lëndonin vazhdimisht
Filluan bjeshkën me kalue e
në pemishtën tonë shqip është fol
e dritat e kuvendit nuk fikeshin deri vonë
Nga rruga bari u herr
e dritares ferrën ia kemi hjekë
dhe lëmashku në çati u pastrue
oxhaqet tymin shtëllungë kanë lëshue
E bjeshka ka mugullue, vuajtjet e zeza
i kemi përballue, nëpër plumba e nën tehun
e kosës tufën e kemi shtue
Arat e Kosovës vetë i kemi mbjellë
e kur bereqeti mirë asht bâ, e kur
vera ka qen e frytshme, në atë vit
tragjedia ka pllakosur
vinin barbarët
bashkë me dimrin e ashpër të krimeve
XV. NË SYTË E ZEZË MATNIM TRAGJEDINË
Bjeshkët tona janë pushtuar
e kurrë dru në to shlirshëm
nuk kemi marrë
edhe pse me bjeshkën jetojmë
Kroin tonë e përroin matanë
dhe fushën e begatueme më tonën
s’e kemi pasur
as ujin për ara as kopshtin rreth shtëpisë
dhe pemishten
as yjet përsipër
Xhelepçinjë e tagërmbledhës vinin rrebesh
tagër për tokë e shtëpi kanë mbledhur
për kopshtin e pemishten
tagër për bjeshkën e pashkelur
e lumin në fushë të paprekur për ajrin e ndotur që
thithnim dhe vesën mbi barin e butë
Tepricat kërkonin vazhdimisht
edhe për hënën që plleshmërisht ndrin,
për diellin rrezëllitës e shiun
dhe borën e madhe
kur dimrave fërfëllente mespërmes fërfëllazës
Barbarët me çizme vazhdimisht vinin
vjeshtave të vona dhe dimrave të fortë
shtëpi më shtëpi tagër kanë mbledhur
putrën e venin në vathet tona
...në sytë e zezë ne matnim tragjedinë
XVI. FUSHAT DHE ARAT MBETËN SHKRETNUEM
U pushtuan katundet tona pëllëmbë për pëllëmbë
Njerëzit e bardhë në stane shkuan
Veten e tufën për ta shpëtuar
Fusha dhe arat mbetën shkretë
Nuk i mbartnim dot
Karshi nga bjeshka dukeshin burimet e përrenjtë
e shkretë
të lashtat rrëzoheshin nga qentë e ushtria
vadat e ujit gjithkund i shkatërruan
dhe magjen e bukës përjashta e vërvitën
ardhësit jabanxhi
e në arat tona kanë hyrë kostarët e huaj
bereqetet shkeleshin nga thundra e dhunës
Arat tona tashmë i ka pllakosur zia
më nuk dalin argatët në mëngjes
duajt e korrur kanë fillue me u kalbë
e bima e re nga kokrra e grurit ka mbirë vetvetiu
askush askund nuk del në derë
është kohë pune apo verë
ku është barbari dhe njeriu
XVII. BARBARËT VIJNË NË FILLIM TË PRANVERËS
Barbarët erdhën ranë mbi tokën tonë
kur fara e grurit ishte hedhur në arë
kaloi dimri e pushtetarët zgjebën e sollën
në fillim të pranverës filluan
të shkelin brazë për brazë
e matën tokën tonë, kryqet ia vunë
dyert e shtëpive me pushkë na i çanë
ranë ndër pemishtet tona
pipat e shartuem i thyen
Ditët kalonin zgjatej robëria
askush në derë nuk dilte nga barbaria
As për ujë në gurrë s'kishim guxim të shkojmë
Barbarët vinin e kostarët rrëzonin
e ne perimet tona vet i kemi blerë
Bukën e blinim me mundin e fituar të djemve tanë përtej
shtatë dhembjeve e nëntë shqetësimeve
letrat e tyre na këndoheshin pa na ardhur
te shtëpia
vala e krimit rritej çdo ditë
kur ato letra nuk shkruheshin me shkronjat
me guxharrema e për tokën tonë
thoshin e jona është
XVIII. VUAJTJET QË KULLONIN GJAK
Toka e lagështueme nga bora që u shkri…
buka e ardhur në magje ka mbetur pa
pjekur në furrë
Burrat me fëmijë ngarkuar gratë
ju shkonin prapa shkonin për mos
t'u kthyer kurrë...
Barbarëve dyert e shtëpive
hapur jua kemi lënë
vetëm kuisja e tyre thyente trishtimin
që kishte pllakosur dhomat e vetmuara
qentë kalonin oborr më oborr për
të gjetur të zotët e konakut
edhe ata filluan të largohen
për në bjeshkë
pa bërë ham askend pa e lehur
Barbarët i rrafshuan pllajat
e plugun e tyre futën serbez
në arat tona
(ai na çante mespërmes zemrat)
e dhembja gjatë u ndje
kurse vuajtjet ende kullojnë gjak
XIX. ZËRA TË ÇJERRË
Para se të vijnë befas barbarët
fusha errësohet siç tërbohet era para shiut
ashtu siç shkreptijnë vetëtimat e para
vuajtje e mjerim të madh do të ndezë
fusha
Zëra të rëndë të një gjuhe çjerrëse
ashpër komandojnë
shpresa të mbytura që në dhé të çojnë
notonin mbi gjakun që shkonte rrëke
Kush mund të lozë "kollo" a këngë të këndojë
mbi trupat e masakruar të tragjedisë sonë
Shtrënguar në krahëror një vajzë
vëllait flokët ia lëmonte
buzën në gaz nga goja gjak i rridhte
lamtumirë vuajtje lamtumirë tragjedi
tha dhe ktheu kokën të flejë
Oh, një klithmë buçiti për të vëllain
... vëlla i bardhi vëlla munde
(vetëm për mua)
këtë dhembje në orën e ligë
XX. PËRSE DUHET BËRË PAJTIMI?!...
Kur nga toka minat t’i heqim
Kur t’i mbledhim njerëzit me pikëllim
E kur varret t’i renditim
Në raft librat kem me i palue
Pak sa plagët kanë me na pushue
Atëherë ndoshta duhet me u pajtue
Pa i mbushur të shtatat, dyert për kryeshëndosh
pa mbyllur
pa i rivarrosur shpirtrat e rënë nga bataretë e barbarit
pa i futur në varret e të parëve ku prehën
gjyshëstërgjyshët
pa e hequr shkrumbin nga buzët dhe pragu i shtëpive
të djegura
pa e shuar etjen me ujin e kroit dhe pa e larë trupin
nga turpi
pa ditur për të gjallët nëse janë gjallë dhe për të vdekurit
ku kanë rënë
dhe të shkapërderdhurit anë e kënd botës ku janë
ende pa dalë tymi nga oxhaqet e mbetura në këmbë
pa i hequr ferrat e pa dëgjuar palljen e lopës tek dera
pa e ndjerë hingëllimën e kalit e hamhamët e qenve
na thërrasin ata të sojit balosh
për t’u pajtuar, për t’i harruar këto tragjedi
e prapë barbarin ta fusim kumbarë në shtëpi
Na thërret një Lëmsh që emrin e ka Hëmsh
harroni kah jeni e kah veni, të kujt jeni e pse jeni
Krimi i zi deshi të na zhdukë nga jeta, të na fshijë
kujtesën
pajtohuni me barbarin na thoshte vazhdimisht
ai probatini i bërë katran zi
Na tha ky mik aq armik se veshët janë për të përgjuar
dhe bota ka dëgjuar
se sytë janë për të parë e jo për të vëzhguar
kurse hundët nuk janë për t’i futur aty ku s’duhet, aty…
e probatini Hëmsh vazhdimisht miqtë e tij do
t’i bëjë Lëmsh
Ky mik kaq armik ka logjikë muzhiku e zbritur ka
nga katundi i Barbarisë për t’i bërë zi shqiptarisë
Vijnë dhe do të shkojnë edhe të tjerë “muzhikë”
por jo më nga Evropa e zënë pisk
Ata janë zëra mortar që përbëjnë
një klikë
një klan
një strukturë
muzhikësh
që ndërrojnë fytyrë e qëndrime më keq e më zi
se sa minifundet prostitutat buzë bulevardeve të natës
E probatini thuaja ka zbritur nga mesjeta e egërsisë
E kur fjala e tij ndër shqiptarë s’ka më bereqet
na la testamentin se ka ndërmend të vdesë
Po, po vdiq kur dëgjoi se në Veri të Llapit
hyhet në Kosovë me dokument identiteti
Kurse në testamentin e shkruar në gur te varri
Lexojmë:
“shpirti i muzhikut paska pëlcitur nga inati?!…“
***
UNË DHE LUMI
Ai rrjedh...
Unë jam këtu
Ky është kundërshtimi që më lind
Unë s’e di a hahem
Ai është i pijshëm
Kjo është themelorja e dallimit
Unë lumit ia shoh të gjitha fshehtësitë
Ai mua nuk m'i di xhelozitë
Ne jemi në kundërshtim
Ai rrjedh... vazhdimisht
Unë nuk lëviz... asnjë çikëz
Kjo është e kundërta e kundërshtimit
Ai lëviz dhe është i vdekur
Unë i shtangur në një vend dhe jam gjallë
nëse me të vërtetë jam gjallë
BALADA E MOTRËS XIFË DUKE IKUR NGA PRISHTINA
Përmes zërave të ngrirë më thuaj fjalën e mërdhirë
Motra ime Xifë me Nënën si u ndave atë ditë
Dhembjet bien si breshërima zjarri mbi faqet e tua
E përpive kupën e helmit të shpirtit të trazuar
Motra tha: "Po zbrazët qyteti, vajtën moj nanë"
Nëna iu përgjigj: "Nuk më tremb ushtri e pafarë"
Motra ia ktheu: "Ikim nga tirani i Serbisë"
Nëna ju përgjigj: "Nuk dal jashtë dhe sikur të kallet kulmi i shtëpisë"
Dhe mendja trandej atë çast të lig
Vargoni pafund, njerëz në panik
Dikund në rrugët e Prishtinës, Nëna ra
Lemeria e klithmës sate shpirtrat shurdhon pa pra…
Nëna mbet me frymë të ngrirë diku në rrugë e thëllime
Ndarja juaj Motra Xifë vjen nga kohërat bizantine
Ik moj bija ime, Nëna ndër dhëmbë emrin tënd mbllaçiti
Mbarë të vaftë rruga, fëmijët kujdes, ah , sa i ka dashur nipërit
Amanet djemve atje ku bren miza hekur, në ato vende…
Nëna mbet me frymë në Prishtinë e komën ia solli policia serbe
S'të la barbari as t'ia puthësh ballin atë fundmarsi Motra ime
Nëna mbet me frymë. Ajo rron diku në rrugë e gjëmime
Prishtina e zbrazur përtej Vetërniku
Vargu ikanak trondit Kaçanikun
Në mes të egzodit e ankthit të ngrirë
Motra ime vrapon të gjejë fëmijët
Të fundit herë kokën ktheu atje ku filloi tragjedia
Për të përgjuar mbi trotuar ndarjen nga Hyjnia
Gjëmtarët shtoheshin në zbrazjen e Prishtinës
Në thua merrnin mbi dhembjet e Hamides
S'ma thotë zemra sytë s'më besojnë
Shpirti m'u dridhka pse jam në këtë botë
Rron Nëna ime sa të rrojë Prishtina
S'mund të vdesë Nëna sa nuk vdes Liria
Ajo do t'i bëjë ballë vdekjes e shtrëngatës
Se Motra Xifë s'deshti ashtu të ndahet
Lokja shqiptare të zi e ka shikimin
Ushtari, polici serb, po na shtypin syrin
Ushtojnë topat granatohet përditmëria
Vetëm me robër në shtëpi të vet ka mbetur Prishtina
Tërë ditën e lume rrinte ulur, natën si engjëll bënte roje
Është grua e fortë dhembjet e qytetit mundi t'i duronte
Tragjedia e ndarjes ndodhi atë ditë në Prishtinë
Po zoti për t'i bashkuar shpirtrat kishte lënë mirësinë
Parajsë të shpëtimit kishte bërë në Shkup, Kukës e Kumanovë
Dhe urën e pjekjes e kishte lënë në Tetovë
Ajo është trimëreshë, i bëri ballë mortjes bizantine
Dhe motra Xifë do të kthehet një ditë rrugëve prishtinase
Në pranverë ikanakët do të kthehen palë-palë
Nëna që ngrysi tragjedinë i shikon me fytyrë të vrarë
Pastaj nga dritaret e shtëpive sodit këtë mrekulli të shkretë
Gruaja fisnike që sfidoi demonët e shekullit XX
Ke shpresë Motër në këtë ditë që avitet si pishtar
Se një fund i fundshëm është dikund... e ne mbetemi shqiptarë
Zvicër, 2 prill 1999
BALADA PËR BABAIN DHE MOTRËN BAHRIE
(Tim eti vrarë më 18 prill 1999)
Uturimë shkoi fshati atë mëngjes prilli
Barbari vuri putrën në gardhe dielli
U trandën dhe të vdekurit në varre
Si teh kose befi vdekja bizare
Bija tha: "Barbarët erdhën, kullat po i kallin"
Babai ju përgjigj: "Nuk braktis shtëpinë pa e pëlcitur ballin"
Bija ia ktheu: "Ikim Baba nga serbët e tërbuar"
Babai ju përgjigj: "Udha të shpie… matanë mali s’është rrëzuar"
Ec moj bija ime luginës së përroit, kujdes, pa panik
Qëndron, pragu i shtëpisë nuk më le të ik…
Motra ia puthi ballin Atit atë ditë prilli
Në ndarjen tragjike sikur pushoi dielli
Shpejto drita ime, rrënjë e ardhmërisë
Babai po shkon në altarin e lirisë
Motra mori malin nën breshërtë…
Babai mbyllte dyert nga hordhitë
Njerëzit shumoheshin në zbrazjen e katundit
Lamtumirë Troje për herë të fundit
Babai tha: "Nuk iki sa të jam gjallë"
Bija ia ktheu: "Nuk zhbihemi as nga ky djall"
Qëndroi im At’ pas pragut të shtëpisë
Ah, qe thyer vetë kulmi i gjithësisë
Gërdofci pëlciti dyerve iu vunë skllapë
Vetëm Babai e Xhaxhai kanë mbetur zhapë
Me bastun në dorë ah sikur malin ta kishte mësyrë
Në ninxat e syrit nxinte një mënxyrë
Ecte Bahria si zog i plagosur në përpjetën e malit
Apo mbi dhembjen e gurtë në ballin e Babait
Sa shekulli zgjati ajo ditë
Bjeshka largohet, bjeshkë më prit!
Në çdo krua Motra lëngonte
Të Atin e vet mbi ujëra shikonte
Kaluan ditët, hekur, hekur, hekur
Pa marrë lajmin për t'et se ka vdekur
Babai ra në pragun e shtëpisë
Motra u kthye në agun e lirisë
Me duart e saja varrin ja zbuloi
Plagët e plumbta me lot ia mbuloi
Mortën e sollën plumbat e barbarëve…
Ndjesë pastë në tokën e të parëve
Gërdofc, 9 korrik 1999. Ditën e zhvarrimit të babait