Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 17-05-2008, 04:52am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Shefqet Dibrani
 
Nga libri ''Endërr e njëjtë, tokë tjetër''
E shtune, 19-01-2008, 04:21pm (GMT)

Shefqet Dibrani

Nga libri “ËNDËRR E NJËJTË, TOKË TJETËR”, poezi, Podujevë 2007

NË  NJË ZYRË INTEGRIMI

Mes gruas dhe dy fëmijëve
Ngjitem shkallët e Bashkisë
Korridori në të majtë, pastaj dhoma 07
Vjeshtë e vonë, viti i sivjetmë
Më duket se data ishte njëzetë
Na futën për të dëshmuar sa jemi integruar
Pikërisht në ora nëntëmbëdhjetë

Unë thashë:
“I fik dritat si të gjithë fqinjët përreth
Hamë bukë e pimë ujë, ndonjëherë edhe verë,
Gdhihem herët, në punë dal si çdo herë
Askush nuk ma ka dëgjuar zërin, as pipth kurrë s’kam bërë
Blej në shitore ato që i blejnë të tërë
Puthemi në rrugë e ndër sheshe
Sa për t’u dukur të moderuar
Lahem në banjë publike pa brekë
Ecim në dy këmbë si çdo homo sapiens
Me sa di, kur kam lindur, edhe mua koka më ka dalë së pari
Më kanë thënë se kam lebetitur,  gjë që s’e bën vetëm shqiptari...“

Në regjistrin e lindjeve s’kam asnjë shënim,
As vërejtje a padrejtësi a gjë tjetër për t’u kujtuar,
Më kanë larë me ujë të vendlindjes, është i kulluar...

Hëëëm, bëri i pari zyrtar,
Mos do të na bëjë humor ky qytetar?!  

Keni folur gjuhën tuaj, kur mbi dritare
Perdet i keni lëshuar?-
Zyrtari II pyeti duke na vështruar
Me reflekse xhamash të thyer fare.

Gruaja iu gjegj me gjysmë zëri:
Po, zotëri, predikoj gjuhën time
Vetëm për dy fëmijët e mi... bile edhe në ëndrra.

Refrenin “hëëëm” e përsëriti edhe një zyrtar matanë,
Keq, shumë keq, - kanë murmuritur të tan’

Të shqetësuar nga ky kundërshtim fëmijët kanë pvet:
“Vallë, cila është gjuha e nënës për ne, vërtet?”

Zyrtarët u vrenjtën: “Ç’është ky diskutim?”
Dhe nxituan për të marr vendim,
Thanë: “...dëshmi e cekët për integrim?!“

Tashmë ankthi i absurdit më kishte lëshuar
E ëndrra e trishtë kishte mbaruar.
Drithërimat përshkonin ndjenjën si një frikë,
Mos jam në shekullin e kaluar? Dhe pikë.

Se në oborr këndesi mëngjestar
Lëshoi kumtin për një ditë të re përplot margaritarë. 
    
Rorschacherberg, 20.11.2002.

ZJARRET DHE MËRGIMTARËT

Zjarret brambullojnë të trishta,
Madhështore natën.
Zjarrëshuesit janë në kundërvënie të shpeshta.

Zjarret e luftës dogjën njerinë...
Në kohë paqeje të djegurit i gjejmë në piedestale.
Revolucionet rrëzojnë malet,kurse fushat i bëjnë varre.

Zjarri i dashurisë djeg shpirtin rinor,
Netët shkurtohen, dritat shuhen vonë.
Ndjenjat ndizen, kur buzët prekin gjinjtë diellorë.

Zjarret e poetëve hovin në letër,
Ato të muziktarëve në instrumentin e vjetër
Piktorët ravijëzojnë ngjyrat e jetës patjetër.

Ah, sa trishtuese zjarret që digjen e kallen
Nga brenda e përbrenda qenies mërgimtare
Ata bëhen tym e shkrumb, se jan pa vatra fare.

Oh, zjarre që prore digjen kur mbi tokë errësirë bie,
Zjarre që zemrat përvëlojnë mërgimeve,
Flakët ndezin mallin e atdheu të agimeve...

CH - Appenzell, mars 2003.

NË BAHNHOFSTRASSE NË ZÜRICH*

Në Banhofshtrase në Cyrih
kafja pihet si në kinosallë
përballë tyre njerëzit nxitojnë
të tjerë me pano në gjoks e shpinë
thërrasin për paqe e qetësi
në vendin që njihet për parajsë e drejtësi

Në Banhofshtrase në Cyrih
ulëset rreshtohen si në kinosallë
atyre që pinë kafe
prapa shpine mos t’u kaloi jeta

Në parkun e gjelbëruar
Hajnrih Pestaloci **
ia mëkon dhembjen një fëmije
ndër këmbët e tij mbi barin e shtypur
flenë udhëtarët e pa udhë
të cilët zgjohen vonë shumë vonë
në një ditë përplot punë, por pa ata...

CH - Zürich, Bahnhof str.
11 korrik 2003.

*Bahnhofstrasse Zürich – Rruga e hekurudhave në Cyrih
** Heinrich Pestalozzi

UNË NUK SHKOJ NË NEW YORK

Në Nju Jork kisha ndërmend të shkoja
Mbi Kullat Binjake të puthja qiellin të dashuroja
Nga poshtë epshet të ngjiteshin lart në buzët e mia
Me ashensor malli teksa dyndej njerëzia

Tani s’më shkohet në Nju Jork
Kur atje sipër mes reve u shfaq i paudhi
Bashkë me Kullat gërmadha u bënë puthje e dashuri

Imazhe avionësh, çojini djajtë në arrati!

Zvicër,  11 shtator 2001.

NË VEND TË GËZIMIT NDIEJ DHEMBJE BIRI IM

Dibranit në 8 vjetorin e lindjes

Në këtë vend të braktisur nga dashuria
Ku më kaplon vetëm dhembja e mërzia

Puth në ditëlindjen tënde ardhmërinë
Por një hije kobzezë më terron sytë

Më shfaqen shekujt dhe luftërat gjakatare
Më del fytyra e babait kur e nxorëm nga varret

Më shkrepin xixa nga mermerët e ballit 
Të gjitha kanë ardhur për ditëlindjen djalit

Ja tek është vjen rrotull përplot mbushullime
Si dritë e përjetoi edhe puthjen time

Mes moshatarëve në Visin e trazuar
Fëmijërisht flasin gjuhën e bekuar

Gjuhën e etërve dhe të shkëmbinjve të parë
Erdhi gjuha tjetër si një e çarë

Lotët rrjedhin faqeve siç shkojnë vitet e mia
Qan zemra e fshehur nga dashuria

Nuk shkëputem dot nga ky mërgim i terratisur
Bukuria e pa mëshirë që na ka lektisur

S’ka natë pa natë po mëngjesi më zdrit
Vij në shtratin tënd dhe të puth dy sytë

Të lëmoj kokën ëndrra ardhmërie
Kobi i zi sa më larg çdo shtëpie

Vitet rrjedhin sa shekujt rëndojnë
Dita bëhet e rënd sa malet me borë

Unë do të iki nga kjo botë biri im
Po të lë ty se ku as vet nuk e di

Si pëllumbi në lis ku rreh erë e fortë
Vetëm do të jesh në këtë botë

Si tufane do fryjnë dhe vitet tua
Do më gjykosh i rreptë apo nuk do më gjykosh mua

Teksa do të jem më vetëm dhe më larg... në varre
Kam bërë për ty apo s’kam bërë hiç fare

Ndoshta do t’i mallkosh përpjekjet e mia
Do harrosh shumë gjëra s’të lë pasuria

Ti je një engjëll bir im Dibran
Syri i babait në qerpik të mban

Po dhe mali tundet kur bie tërmeti
Ç’ishte ajo njollë në fytyrë nga erdhi

Që zemrën ma nxiu si një tragjedi
Ishe i vogël për gjithë atë zi

Gjithë ato thika luftëra që na kapluan
S’e besoja dot se kishe për t’i përballuar

Dridhesha pranë teje o rrënjë e dritësisë
Njollat e natës në lëkurën e ardhmërisë 

Ulur galuc kam pritur në anë të portës
Si qeni kur rri roje s’merr frymë para botës

Tani më rëndojnë pyetjet va e pa va
Nishani në fytyrën tënde përse ç’kumt ka

Nuk di përgjigje as nuk kam guxim të qaj
Toka e të parëve sjell natën e saj

Mallkimet e shekujve na kërkojnë ne
Tagri i dredhive duhet paguar bre

Jo ti jo le t’i kryejë babi mjeshtëria e tij
Eja biri të shëtisim dhe flasim përsëri
 
Ndjehem më mirë po më kap për dore
Shiko malet përreth me këtë vel  bore

Ngjajnë malet këtu me malet tona
Ku thundra e fatit njëlloj bën plagë edhe gropa

Eja biri im eja të dalim dorë për dore
Se kthimin nga vetvetja nuk e gjejmë prore

Rorschacherberg, 28 dhjetor 2003.

RROTACIONI STINOR

Vjeshta
pemët i zhvesh lakuriq
që Dimri t’i gjejë në shtratin e bardhë
i përkëdhel gjersa avull t’u dalë
pastaj Dimri ua ha palcën e ngrirë

Dimri ka pushtet erotik
i pushton pemët ashtu si burri gruan në shtrat
dhe kur vjen pranvera ato sikur çlirohen
tamam si gratë buzëqeshin e bulëzohen

Harlisur nga Pranvera lëngjet u shkojnë curril
bletët thithin nektarin 
fluturat përreth fluturojnë
zogjtë në çerdhe u këndojnë brezave të rinj
një jetë të re ka lindur
thotë poeti

Për çudi pemët nuk flasin si gratë
edhe ato përplot fruta trupin e kanë
lëngjet dielli ua mpiks në Verën e gjatë
si gratë në shtrat
dhe unë dua t’u këndoj krenarisë së pemëve
dhe të grave
në Vjeshtën e ankthshme të moshës

Me gjokse të fryra si gratë
begatohet me fruta Vjeshta
bashkë me fëmijët tryezat mbushen
edhe me zërat e ardhmërisë

Dimri, ah, Dimri si një plakush i parruar
me rroba të vjetra dhe pushtet që s’është më i ri
përsëri pemët ah pemët janë si gratë
vetëm nën pushtimin erotik
janë të lira dhe botën e kthejnë në shtrat ndjenjash.

Tetovë, 18.10.2003.

KLIENT NË LANGSTRASSE NË ZÜRICH*

Në Langshtrase në Cyrih
Vajzat lirshëm ecin me gjinj të harbuar
Me gaz në buzë
Turbulluese sa botën e kanë turbulluar

Kur sytë u harbuan
Përpara i dola njërës, fjalët ngurruan
Ajo ndaloi e qeshi si ajo
Fjalët ah fjalët përsëri u ngatërruan

Ajo qeshjen përsëriti si e dashuruar
Në marrëzitë erotike
Hodha duart mbi trupin e saj të bardhë
Mes gjinjve alarmantë

Ah, flokëverdha qetë më mikloi
Më fal se tani s’kam kohë për dashuri
Plot qeshje të përgjysmuara iku
Duke më mbyllur njërin sy

I shtangur mbeta aty
Ëmbëlsinë e asaj puthjeje
Duke kujtuar
Pa emër dhe adresë
Si çapkën i porsa emigruar

CH - Zürich,  25 tetor 2003.

* Langstrasse - Rruga e gjatë, vend ku prostitucioni ushtrohet si zeje.

PASQYRA E THYER

U thye pasqyra dhe copat
u përplasën ndanë dashurisë

Jo jo s’kam hall pse u thye dashuria
as pasqyra

Halli im është gjetiu
se u pa fytyra e thyer e botës

Andaj sa mirë që u thye pasqyra
që të shohim më mirë shëmtimin

29.11.2003.

NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK

Sa herë që shkoj në kopshtin zoologjik
Më shtohet admirimi për kafshët e egra
Po aq më shtohet dhembja për njeriun
Që tallet egërsisht me to

Ato vazhdojnë qetë, qetë
Jetën që ua caktoi njeriu
Ai që shkroi edhe Kartën e të Drejtave
Për Liri me tela gjembaçë të rrethuar

Ai perandor i përhershëm
Ka shtrirë mbi jetët e tyre
Edhe të drejtën e talljes
Kurse ushqimin ua mat me peshojë

Njeriu di të kërkojë të Drejta e Liri
Po di edhe të shfrytëzojë drejtësitë
E një ligji të lig
Që ua ka verbuar gojën vizitorëve

Andaj jeta është bërë kopsht zoologjik
Me Karta për të Drejta dhe Liri(?!)
Njeriu vepron për përftime
Edhe kundër ligjit të Natyrës dhe të Zotit

Prandaj o Zot
Vazhdo t’i falësh këta mëkatarë
Që shpikin robërinë e tjetrit
Rrethuar me gjemba vrastarë

Në kopshtin zoologjik,
CH - Gossau, 14.09.2003.

SHEKULLI NË MES INICIALEVE "V. ZH."

(Miqësisht Visar Zhitit)

I.
Jeta është prolog, miku im,
ti ke një si biletë për hyrje në një si kinosallë,
ku tregohen ndodhitë, po më shumë zymtësitë e tyre.

Jeta është prolog me mure,
me labirinte dhe katakombe, ku të përcjellin
fantazma të gjallësh.  Me vuajtje shkruhet tejjeta e njeriut
në Kujtesën e Ajrit, mbase testament origjinal i mëkatit
që përshkonte tejpërtej varrit 
ndanë dashurisë dhe ferrit mortar
hijet mbeten vazhdimisht, shtriganë jetënxirës,
që shtojnë vuajtjen e njeriut, bile edhe në Jetën e fundme
edhe në Ferrin e Çarë, po sidomos në
Funeralin e Pafundmë
që vjen rrotull botës për të marrë mirësinë tonë,
aq sa ka mbetur.

Në mijëvjeçarin e ardhshëm kurthet janë
lëngata mbi jetën e njeriut
se dikush është i interesuar t’ia vërë kujën poetit
ta gozhdojë metaforën e lirisë në një derë të kalbur,
ardhmërinë ta lërë pa kah...ah...

Në mijëvjeçarin e ri metaforat e dashurisë
do të shkruhen për kofshët e mavijosura të muzave
të cilat para se të prostituojnë në shtëpitë publike
i prostituoi Pushteti Popullor në fundparajsën mortare
në burgjet e Qafë Barit a të Spaçit
që murmuritej se s’janë, nuk ekzistojnë si Ferri,
po ato janë dhe mbeten Ferri

Provinca jonë krijuese u mbulua me bunkerë
mburojë për shkrimtarët kooperativistë
kanalet mes nesh i lidhnin si ura lëkundëse pabesitë,
të marrë ishim dhe kishim afër, ndanë pragut,
dyer përgjuese komshinjsh, kobe,
madje mund të spiunonte
te brigadieri edhe gruaja që flinte me ne në një shtrat 

Tragjedia e komedisë sonë u luajt në Burrel e Ballsh
në kufij, në zyra policie, kukuvajka qëndronte mbi
kulmin e shtëpive të Parlamentit Popullor
leninka e rendit të ri botëror kukaste  ku-kunë e saj
deri në ditët tona

Shemra përcolli eksodet e reja biblike përmes Adriatikut
më ’90 e ’97 dhe tokës Dardane më ‘99
kështu braktisëm mijëvjeçarin e trullosur
nga ploja e absurdi.
Atë mijëvjeçarin që pllakosi trurin modern të njeriut
se filli i saj është nisur dymijë vjet më parë
se dymijë vjetët që dimë,
atëherë kur njeriu qe shndërruar në majmun
dhe majmuni nuk u bë kurrë njeri
ato që thotë shkenca e biologjisë nuk është shkencë,
është hakmarrje, ngërç, le ta themi: përrallë moderne
për emancipimin njerëzor, e dimë se njeriu
nuk u emancipua kurrë, ai mbetet shtaza më e tërbuar
në gjithë planetin tokësor, u zhvillua teknika,
që të jemi sa më inteligjentë në luftë
dhe të kemi sa më shumë paqe mashtruese,
ke të drejtë, kur më thua kështu, miku im, Visar,
po ta mërmëris emrin, se ndjehem më i pasur në shpirt,
po shemrat vazhdimisht u bënë peng i dashurisë hyjnore
i mrekullive që nuk zbritën mbi truallin tonë
 
Ishin lidhur nyjshëm magjitë si tel me gjemba
në kohët moderne të krimit barbar, kur kujdestaronin 
eprorët e  SIGURIMIT që siguruan Fermën e Zezë
për të tharë trurin njerëzor edhe për një shekull më vonë


II.
Shekulli që shkoi ishte vdekja, ringjallja juaj.
Ngjallen profetët, miku im, e di, të shoh ty, ju ishit
profeti vetë, ju gozhduan si Jezuin, por shpirti mbijetoi,
urna nuk digjet, por jo vetëm ajo. Digjej mes inicialeve
poezia. Shoh si vallëzojnë flakët.

Njeriu krijoi kohën, thua ti, e koha punoi
për shenjtërinë e njeriut, unë e besoj, se je ti,
që e mbylle Ferrin
pasi ja pe fundin, sado që mendohej se s’ka fund,
po një fund i pafund erdhi, e sollët ju nga pusi
në ditëgëzimet tona
erdhi si vetë profeti që shkoi në qiell
për t’i vëzhguar krimet rituale që bëheshin në tokë...

Si gjethi në degë lëkundej trupi juaj,
dallditë ngriheshin si dallgët e detit,
(me pasione për një varg si guxove që u flijove?!)
vdekja s’është më e madhe se jeta, thua ti,
megjithëse jeta nuk mjafton, vdekja jo dhe jo,
kurse ti jeton në atë që shkruan
dhe ajo që shkruan jeton duke shkuar te të gjithë
dhe te ata që s’janë,
i the dhe ato që jetojnë përtej vdekjes
përtej ferrit – poezitë.
Se ferr deshën të ta bëjnë jetën dyndje e mizori barbare,
egoistët, harraqët e ligj, që prore i hodhën shpirtrat në çatinë
e shtëpisë sate, kurse ti ëndërroje qiellin e hapur
përplot dashuri, me yje që binin si shi i ëndërrt
dhe një lot si kristali të rëndonte në qepallën e syrit
lëkundej bota në atë pikë loti...

Koha duhej të ishte e jona, e njeriut dhe ti e krijove atë
përsëri jo për ta jetuar vetëm si Kronos, as për ta gëzuar
mes dhembjes së të tjerëve, por për ta tejjetuar, thellë, jetë
brenda jetës, qoftë me vargun poetik
do t’i lëmë mënjanë poezitë e hapura 
tani sa jemi në këmbë të hapim dritaret
le të hyjë në shtëpinë tonë pranvera e këtij shekulli
që sapo ka nisur

Vlerësimi zakonisht bëhet
kur të biem në pozitën horizontale
atëherë kur t’ia zgurdullojmë sytë tavanit të zbrazët
por miku ime prania jote i pengon mëkatarët
të shfajësohen
ata mund të derdhin lot (të të tjerëve) për profetizmin e
poetit, atëherë kur heshtja do të pllakosë gjithësinë
bashkë me planetin tonë të kaltër dhe të turbullt
vetëm atëherë ne bëhemi të nevojshëm
vetëm atëherë kur më nuk jetojmë

Vitet e më pastajme janë të mykura si vet krimi
bëhen lëvdata mortare e kundërlëvdata
në çastin e kalimit matanë, por poezia vetëm të kthen
në tryezën e bisedave dhe të bën të pranishëm vazhdimisht
do të jesh përherë në mesin e njerëzve
prandaj lum poeti që s’është marrë me cikërrima,
që i merr uji.

Për t’u bërë sovran i pa prekshëm, i pa arritshëm
duhet qeshur për të gjithë, por sidomos duhet qarë për të
gjithë, tani ata që përkëdhelnin mungesën tënde,
i xhelozon zilia,  s’e durojnë kafen me ty,
edhe pse i duronin prangat
në duart e tua...

I vyer je miku im vetëm
atëherë kur nuk je në mesin tonë
a kur të kalosh në amshimin tënd, të tjerë
gëzueshëm mortojnë, madje do të ngritin  dhe dolli
sepse sado që mbolle pemën e dashurisë
hija jote pengonte rrezatimin e së keqes

Vetëm vdekja, miku im, të bën të afrueshëm
dhe shumëfish të pranueshëm

I gjallë mos prit këtë bekim perëndie
as Zoti nuk bekon njeriun mëkatar
prandaj duhet zgjedhur njëra rrugë miku im
të vdesësh për t’u bërë i pranueshëm
apo të gjallërosh për të të urryer edhe ata pak miq
që shtiren se kanë mbetur

Lodhur shkon jeta dhe ti pranove të jetosh
sigurisht e dije se i kishe vargjet për të shkruar
ishin gjëma, dënesje a këngë kishtare
dukeshin si ngazëllime hyjnore,  ishin dashuri e madhe,
e ç’rëndësi ka, fryma po, ishte e njeriut, djersa e burgut
si djersa e vdekjes, vitet e mykura, që ti i pastroje
si kockat e jetës.

Vdekja miku im është takimi me çlodhjen, 
Unë varrit s’i frikohem, është vendi i pushimeve të gjata

Vdekja përtej vdekjes është e dhembshme
por ju shënuat tejjetesen e mundimshme
një vetëdijesim të zi për të nxjerrë në pah
artin e mosrespektimit për të gjallët
por fama, miku im fama është urtësia e konvertuar
që do të bëjë ushtimë
se të gjithë meteorët nga qielli bien po në qiell,
edhe në tokë bien, kur s’kanë kohë digjen.

Në mes të inicialeve të emër mbiemrit tuaj
është luajtur tragjedia, kjo s’ka dyshim,
shekulli është plakur, ajri ka kujtesë, thua ti,
shkronja prej ere, po kur është nisur shekulli,
i bardhë ishte si bora mbi male,
u përgjak, nga dielli yt i dytë, që e plagosën rëndë,
por dhe u nxi, jo nga tymtarët, por nga egoizmi prej bishash.

III.
Fati i Poetit është poezia, të gjithë këtë e dinë
të vuash për poezinë si ai,
sakrifikon jetën për të dhe jeton prej saj,
pasi mbyllet dhe kapitulli i fundit i jetës
çfarë rëndësie kanë fama dhe pasuria që vjen prej saj?

Kujtuan se të dënuan pse shkrove poezi,
po ti i dënove të gjithë me poezinë tënde,
kemi frikë të të lexojmë, se jemi mëkatarë,
edhe në burg poezia të ushqeu shpirtin,
ajo, lavirja magjepse, që të përkëdhelte vazhdimisht
çonit dashuri bashkë edhe në praninë e gardianëve,
por ata nuk shikonin, dashuria nuk shikon,
na shikon dashuria.

Të flijosh gjithçka për dashurinë e poezinë
kurse poezia ta rriti famën si njeri
dhe dashuria t’i zmadhoi flatrat

Të vdesësh përditë nga pak për t’u rritur fama
apo të jetosh thjeshtë për ta rritur famën, ç’të zgjedhim?

Durohet burgu i punës? Shtëpia?
Si rrinin profetët? Si të burgosurit në birucat e Burrelit?
Dil shëtitu i vetmuar si në shëtitoren e burgut
i përgjuar pa guxuar të shkosh më tej, është e ndaluar,
ku është liria, vëllai im, po edhe smira si një tjetër burg...

Të mos jetosh për shkak të poezisë
dhe poezia të të mbajë gjallë - ç’kontradiktë!

Ndruajtshem  shëtitej poeti në oborrin e burgut
natyrisht kishte ndrojtje nga rojat e burgut
dhe shëtit tani në paqe, ndruajtshem përsëri,
në hapësirën e pafundme
po edhe burgu ka druajtje nga ty...

Pse?!... As unë nuk e di, ti vendose të jesh poet
A të zgjodhi fati?!

CH - Rorschacherberg, shkurt 2006.

NË OTRANTO RREZJA E HËNËS NUK E KA KAPUR IMAZHIN E LUTJES

Atëherë kur dita filloi të humbte duelin me muzgun e lodhur
Në fundjavën e një dite të trishtuar ndodhi një ndodhì e pa ndodhur

Shpresat ndizen si motorët e skafeve për të arritur bregun e qetësisë
Mbushur përplot premtime për të nesërmen e vazhdimësisë

Karakatina sikurse vetëtima humbi në valët e detit të trazuar
Mes errësirës rrezja e hënës përthyhet mbi ujin e turbulluar

Shpresat e tyre po gozhdohen mbi valët e detit
Në ëndrrën çmendurake me hovet e rrëmetit

.................................................

Zërin e mbytën gulçimat e zhgënjyera të shtrëngatës
Ëndrrën e mirë e ka sfilitur terri i natës

Thekshëm si plasë uji humbshëm këlthet një smirë
Zbritur nga Perëndia për të ndaluar ëndrrën e mirë

Në mes të valëve një britmë e hakërruar
Klithma sipër klithmave në errësirën e trishtuar

Hijet e njëri tjetrit bëheshin enigmatike
Duar e përqafime në ato çaste tragjike

..........................................

Uji përmbytën ëndrrat me plot tatuazhe
Shkojnë shpirtrat lart qiellit me yje si në plantazhe

Trupat poshtë detit të pafund
Bien si gurët në fund të pafund

Vështrimet e hutuara fiksohen mbi shpresën e tradhtuar
Mendjet e turbulluara deri në mosbesim
Edhe dora e dashur tashmë është mashtruar
Si lulet e vyshkura bien këngët në këtë tmerr-mërgim
Ëndrra e trishtë si fustaneli i nusërisë
Fërgëllon me ndjenjat e qetësisë

..............................................

Tashmë mbi sipërfaqen e ujit lundron shpresa e lagur
Fotografi kujtimesh që fundosjen kanë refuzuar
Kukulla që pa dashje nga duart e fëmijëve janë shkëputur
Hijet e purpurta që terratisin çastin e gabuar

Po shkojnë trishtueshëm drejt amësisë
Tamam si në legjenda faraonësh ku kuajt e bardhë  ikin drejt thellësisë

Në thirrjet mortare mbyllen kaptinat e jetës në pozicionin vertikal
Kurse sumbullat e frymës së fundit pushojnë së dali mbi rrafshin horizontal
Kështu bëhet vetëm Kryqi mbi dashurinë
Është nëmë mallkuese pse braktisën shtëpinë

Atje poshtë fillon lteri i ujshëm në jetën e amshuar
Deti i fsheh oguret si mesazhet e tëhuajsuar
Për një të ardhme kaq të gozhduar

Në Otranto as rrezja e hënës s’ka arritur të kapë
Imazhet e fundit  në lutjen që u përhap...

Tragjedia e Otrantos, 28 mars 1997.

NË KOSOVË EDHE DREQI PLAKET

Poetit Rrahman Dedaj

Në Kosovë po plaket dreqi
s’ka më as gjëra të paprekshme
as dashuri të paputhshme
të gjitha sikurse orëkeqi
     po përtërihen

Dreqi plaket në Kosovë
çdo gjë është e prekshme
dashuria është lart
as me shkallë nuk arrihet
  liria ende nuk shijohet

Poet jam nga Visi yt i pafjalë
të kam mallkuar nga ky Vend i largët
të kam nëmur tërë stinët e mia
për një fjalë për një Unur

Në Kosovë dreqi po plakët
po ti ku m’je strukur dashuri
se pjella e keqe këtu vetëm është përtërirë
  dhe askush më nuk bën çudi
Në Kosovë  dreqi plaket
njeriu vdes i ri dhe i uritur
liria edhe për ty edhe për mua
është e huaj edhe këtu në mërgim
edhe në Dheun tuaj

Në Kosovë po rrafshon orëligu gërmadhat
për t’u dukur më i shëmtuar
për çudi të të gjithëve kanë filluar
të ecin këmbas mbi këtë tokë
plot me vuajtje përplot me dhembje

Në Kosovë dreqi plaket
dashuria vdes me ngadalë
ardhacakët bënë piedestale
pastaj edhe për një shekull
liria ka humbur kuptimin

CH - Rorschacherberg, 28 nëntor 2003.
   
UNË DHE QENI

Unë flas ai ham
Unë hesht ai lëpihet
Unë qesh ai shtriqet

Shpenzova kohë dhe nerva
Që një qen ta bëja shok

Ham - ham bëri me qesëndi
Kështu e ka qeni por çfarë pret nga njeriu

Tash unë flas ai çjerr
Tash unë hesht ai dhjenë
Tash unë qesh ai përmjerr
E unë zgërdhihem
Për syzet që i ka vënë mbi sy

Vetëm tashti e kuptova se më shumë
se i pabesi, vlerë ka njeriu

Nuk duhet kafshuar qeni për t’iu hakmarrë
Sepse me inferiorë është informatori
Me zemër të zezë si purgatori
Dhe anomalë më shumë

FJALA E LIRË

Fjalë e lirë është e vërteta
po për të shkohet në gjyq të vërtetë

E vërteta është një gjë aspak e vërtetë
liria kufizim i vetvetes

Ajo që thuhet për lirinë e shprehjes
është vetëm marrëzi juridike

Liria e shprehjes dhe fjala e lirë
janë të robëruara nga nocionet e interesit

CH - Rorschacherberg, dhjetor 2003.

GJYQ NË ZÜRICH

Vendosa të hesht
mos të bëzaj
ah
një pordhë e theu heshtjen

Më falni

Ekologët thanë:
“keni ndotur ambientin”

Po gjyqi pse ndodhi?

17 dhjetor 2003.

PËSHTYRJE

Kanë pështyrë përpjetë në sy
Kanë pështyrë teposhtë në gji
Kanë pështyrë anash fëmijët
Kanë pështyrë përpara ardhmërinë
Kanë pështyrë përmbrapa historinë

O Zot ku të pështyj më
Se më pështyhet o Njeri!

Shtator 2005

I ZI

Londër 22/07/2005: Policia ka qëlluar mbi 27 vjeçarin
brazilianin Jean Charles de Menezes  se ka dyshuar për
bombardime vetëvrasëse në Stacionin nëntokësor
të Stockwell Tube në jug të Londrës.

U vra një brazilian i zi në një metropol
ku kishte vetëm njerëz të bardhë
ishte apo s’ishte terrorist kjo s’ka rëndësi
rendësi ka që u vra
dhe u qëllua aq gabimisht
në një vend publik përpara kamerave
ishte i zi si zija dhe nxitonte s’dihej për ku
nxitonte, por breshri automatiku e rrëzuan përdhé
dhe nxitonte por asgjëkundi nuk do të shkonte

Policët ishin të bardhë nga lëkura por
uniformën e kishin më të zezë se vrasja
qëlluan në metro mbi brazilianin e zi
para gjithë botës përpara kamerave

Ra njeriu i zi mbi asfaltin e zi 
ngjyrosi këmishën dhe  vendin përreth me gjakun e kuq
dhe i erdhën familjarët
e vajtuan siç vajtohet
u përgjak vajtimi shekulli harresa
që ca policë shkaktuan një dhembje metropoli botëror

Sa keq bota është ndarë në të bardhë e në bëma të zeza
dhe në zi me lëkurë të pafajshme nate.

Zvicër, 22 korrik 2005.

MISIONARI I PAQËS

Ibrahim Rugovës

I.
Misterioze Dardania me atë qiell të vrenjtur
udhët e saj kërkojnë Shpëtimtarin
nga gjëma dukej se ra tërmeti
qielli me yje ngrysi mortin atë ditë atë natë
na ngurtësoi zia
kudo në botë u hap pikëllimi ynë për Misionarin e Çështjes
që ra si lisi mbi tokë
dënesa u ndje gjatë, trishtimi i kaploi jo vetëm të gjallët

Nga toka në qiell të janarit shkoi pikëllimi 
u mërzitën engjëjt  në dimrin e ashpër përplot acar
u tundën ndjenjat siç tranden nga tërmeti trojet
çaheshin akujt dhe akuj zemra jonë
binte dhembja copë-copë nga përflakja e mbufatur
mbi gjokset djaloshare 
kurse lulet këputeshin nga shtrëngimi
në duart e ngrira fëminore 
Përkulje o Zot para tempullit, dashurisë
para urtësisë, para mirësisë
Erdhi erë e fortë siç sjell çdo herë janari
me ngrica zemre plot thepisje akujsh
ranë iluzionet, loti piku në tokën e dhembjes
e dhembjes s‘i vinte keq pse prishi dashuritë, shpresën
deri sa jashtë në acar fikej një qiri,
në vend të tij një tjetër ndizej
Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë
Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

II.
Hyre si Engjëll në thellësinë e shpirtit dhe dalëngadalë
heshtur e butësisht bëre strofull në zemrën e njeriut
askush s’të kuptoi sa thellë ishe futur në rrënjët tona
Ujana që sillte ujëra të turbullta u bë ujëvarë e kthjelltë 
ku zbardhëllente ardhmëria gjithë kristale dhe dritë

Skamja jonë matej me një kothere buke e një kokërr kripe
në pranverë zakonisht hanim një copë ëndërr me një gjeth qepe,
një kokë hudhre na bënte mirë,
sidomos për sytë, por ruheshim
nga fqinjët të mos na binte goja erë dhe humbëm udhën
në oborrin tonë për vite nuk pamë dritën pas derës por shkëlqimin
e thikës barbare që na rrinte mbi kokë
Shpresën kishim humbur se do ta arrijmë shekullin tonë
e për çudi as ky shekull s’qenkësh yni  
na paska grabitur emri dhe misioni i një profeti
që vazhdimisht thyente arra netëve të gjata
e dimrave me borë
Të atyre dimrave alpinë që bën rrasat e akullit
dy metra të trashë,  të cilat gjithmonë na rrinin mbi ëndrra
Acar dimëror ku ngrihej sqepi i shqiponjës
pastaj as dielli i verës nuk i çmpinte kurrizet tanë 
sepse siç thamë: thika na rrinte mbi kokë dhe
këmbët na pikonin gjak
Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë
Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

III.
Ndër përroska gurgullima e ujit vazhdimisht  prishte
qetësin e poetit që kërkonte metaforën
e besimit të fjalës apo tradhtisë

Shemra na rrinte në tehun e shpatës, në çatitë tona
kurse kumria këndonte në pranverë
lejlekët pastronin moçalet e mbushura përplot bretkosa
Ujana e madhe kishte mbuluar pusin e dashurisë
shpresën për të tashmen dhe të nesërmen që nuk po vinte
e kaluara ishte lanë në harresë
Por rrodhën yjet nga qielli dhe mbushën grushtet tona
dhe ja çova këtë rrëke yjore Engjëllit tim
atij që mbron jetën time
ardhmërinë e tim biri të sapo lindur, kurse Durimi
që moti ka shkuar të bëjë homazhe mbi trupin tënd
te vona ishte pagëzuar në uratën tuaj që e përsërisje 
në çdo fund jave gjatë gjithë shekullit,
gjatë gjithë dashurisë
Kortezhi hyjnor sjell mes reve shpirtin tënd, po funerali 
i trupit kurrë s’do të soset si në romanin e Visar Zhitit
që kishte parë vdekjen mes rrathëve danteskë në ato kodra
ku s’kishte bar e as hënë se ishte tharë gjithçka si kafkë e funerali ikte,
linte pas varreza, kurse në arkëmort, më në fund,
në epilog u zbulua se ishte brenda i gjalli që shkruante

Te vona ne u zgjuam sot pak më vonë dhe temperatura
minus 17° C na i ngriu shpresat si kristalierë mortore
te vona neve nuk na bëhet vonë edhe nëse funerali
shtyhet për nesër, i themi mikut tonë Visar Zhitit,
sepse ka dy mijë vjet që “funeralin e pafundmë” e
ndjekim nga pas, teksa heronjtë i vargojmë në robëri
Je i pari Engjëll që ke marrë udhë drejt Kodrës me Diell
ku  tani do të prehesh në përjetësi, se përjetësia është
thjeshtë bashkim tatuazhesh, çastesh... ëndrrash më shumë.

Shpirti yt, e di, nga qielli do të shndritë sofrën tonë
te vona ne nuk zgjohemi se në Barakën ku kryeje
meshën e fundjavës aty ku predikimet i bëje Ti
Misionari Ynë
tani meshtar është hija jote dhe prapë predikon, se ne
nuk e njohim atë që nuk njeh as Zot, as qiell,
as tokë, as Atdhe
bastardin e fjalës së parë e të fundit, i të shkruarës dhe
të pashkruarës, por ishte lutja jote që pagëzoi lirinë.

Te vona ne dimë t’i shajmë vitet e tjetrit,
kur është i madh,
sidomos atëherë kur nuk është në mesin tonë
bile më lehtë ia pshurrim varrin, po ne i falemi Fjalës
që na fale, ah, sikur ta dimë atë Fjalë-Uratë
që të mundemi, të mundemi të falim,
të mundemi të fitojmë
duke mbetur shqiptarë
 
E për ty që s’kishe armë çdo fund jave kishe fjalë lutjesh
e sikur ato t’i mori Kryqi  dhe Amenin tuaj ne na fali
Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë
Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

IV
Engjëlli Ynë u shkëput dhe kaloi mëtanë ku nuk flitet më
na kundron si atëherë kur i kthenin shpinën dhe i miratonte
e vazhdimisht kërkonte fuqinë e fjalës, Durimin
Edhe kur ishte rob, megjithëse ndjehej Zot
mes atyre që flisnin edhe kur nuk duhej
e kur askush nuk i pyeste flisnin dhe s’e di në e dinin
që kështu krijonin zhurmë e potere
e nëpër ato vorbulla krimi vazhdimisht guxonte
të bënte krim më shumë
tani diellin pranveror po e presin ata të cilët ky acar ua
ka ngrirë këmbët, por jo ecjen, e kemi nga ty Zoti President
ndanë luleve si mirënjohje e përhershme që ndanë varrit
do të sjellim vazhdimisht për ta kryer ashtu si ritualin tënd
të fundjavës kur predikoje si paqen  misionin tonë
Tani je futur në zgafelle mermeri atje shtatë pashë si në folklor 
nën dashuritë tona dhe ngjitur je po aq,
madje dhe më shumë në ardhmërinë e përbashkët plot me
obeliskë mermeri.

Por gjithkah shndrit nuri juaj, dashuria dhe fjala që na le
pas në këtë antikitet akullnajash
përplot thashetheme ballkanike dhe marrëzira moderne
Orakujt nuk bien nga qielli kurse Djalli
vazhdimisht nga toka del
nga kjo tokë që të mban lidhur si Anteun
peng e nuk të lë të vdesësh
as nuk të le të mërgosh përtej pusit pas të cilit
janë lidhur përjetësisht anijet
ato të cilat transportojnë  paqe e pavarësi
tani shumëçka vjen nga qielli qoftë edhe nga gozhda e
ndryshkur në mileniumin prehistorik
mbetën metaforat që interpretohen
në secilën kohë biblike
tek e fundja thyhen qypat
pse kanë fshehur thesare arkeologjike
atëherë kur shirat lagnin dherat që
do të bëheshin atdhe
atëherë kur binin meteorët
dhe tani dymijë vjet pas Krishtit Misionar
parak në hapësirën
Dardane që armë të vetme pate fjalën
andaj çdo gjë që arrihet me fjalën, mirësitë e saj,
të takojnë dhe Ty Misionar
që ndoshta jo rastësisht erdhe në tokën Dardane

Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë
Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!
Vërtet nuk pate armë, por fjalët që shkëlqejnë si arë
Mirënjohje për bereqetin e së mirës, që po i mbush sofrat tona!

V.
Të gjithë e kuptuam se ishe kalimthi në këtë botë
për të rrëfyer misionin e së mundurës edhe kur
është e pamundur, si ata që falin edhe kur nuk falet,
pastaj shpirti Yt në qiell te Zotat shkoi
apo në mendjet tona, në bisedat dhe bëmat, prandaj ne
hapëm krahët si qielli dhe të morëm si qielli,
i yni ishe
si Ati ynë!
Amen!

Zvicër, 31 janar 2006.

REKUEM PËR USHTARËT PAQËSOR

Bratislavë, 20 janar 2006 – Nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak sllovak AN-24 mbi një vend malor në verilindje të Hungarisë humbën jetën edhe 28 ushtarakë, që po ktheheshin nga misioni i tyre paqësor në Kosovë.

U ndjeva keq kur ushtarët sllovakë që shërbyen në vendin tim, në udhën për në shtëpi të tyre, u vranë. Jo, ata nuk kanë vdekur, por kaluan atje ku nuk flitet më. Ç’dëshpërim! Ata nuk do t’u rrëfejnë të afërmve, të dashurave, as vetvetes, për bukuritë e Kosovës, për pritjen, për bujarinë e popullit tim. Oh, sa paqësisht u kujdesen për vendin tim. Dhe tani ata nuk do të jetojnë, nuk do të flasin më. Në Sllovakinë e bekuar prej Zoti valëvitet një shenjë zie nga shkaku i Kosovës time të dënesshme. Ata ishin të rinj, me fytyra njomështake. Ishin ushtarë shembullorë, që donin dhe lirinë time dhe qetësinë e familjes sime aq sa të tyren. Dhe u  flijuan. Për paqen dhe idealin e shenjtë. Kështu  i kishin edukuar Nënat dhe Baballarët e tyre sllovakë, shenjtët e tyre. Tani ninullat e fëmijërisë çelin lule në kurorat mortore. Ah, në aeroport ushtarët sllovakë i kanë pritur të dashurat e tyre, nënat dhe të dashurit tjerë. Po retë a zbritën nga qielli të tregojnë? Për ndonjë dashuri kosovare apo kaluan qerësisht matanë atje ku nuk flitet më...
Po, po Ata ranë në përpjekje për t’u falur të tjerëve dashurinë, në kohën kur të vetat i prenë përgjysmë. Në shtëpitë e tyre, madje në tërë Sllovakinë ka rënë kumti e zia për Kosovën time të përvuajtëshme. Por edhe Kosova u mbulua me zi për ushtarët e vrarë. Kosova, ah, Kosova do ta ruajë kujtimin, veprën e ushtarëve sllovakë, toka e të cilëve tashmë do të ketë varre për ta, por qielli ynë do të mbajë imazhin e tyre nëpër vetëtimat tona...

Paqe për ju, ushtarë sllovak, e për popullin që ju nxori.   Shkuat në luftë për të mos patur luftë dhe ju vrau rruga e kthimit në paqe! Ushtarë të përjetshëm të saj!

Zvicër, janar 2006

SREBRENICA

Të erdhën serbët dhe t’u hodhën përsipër
siç bie rrufeja mbi çati
bajonetat u vërsulën mbi duar të pambrojtura
tashmë s’kalohej asnjë prag shtëpie
dhe pranvera nuk çelte asnjë derë

Kishte kohë që në Srebrenicë nga oxhaku tym nuk dilte
ai tym që dikur shkonte thik’ përpjetë
e vetmja thikë që dëshmonte këtu jetën
 
Srebrenicë t’i masakruan pabesisht
burrat burrërorë dhe zonjat e zonja, njerëzit e tu
tmerrësisht fëmijët në gji të qumështit t’i ngulfatën

Srebrenicë mbi ty ra ploja e krimit modern
përpara marshit të OKB-së
mbi ty qytet ra mallkimi siç bien mortët nga qielli
në zymtësinë e një nate plot ankth

Srebrenicë në ty dita shënjoi kumtin e zi
e nesërmja gdhiu e qetë, s’kishte më kush të bënte of e uf
të nesërmen askush nuk doli në derë
as dhembje s’kishte më
ishte mesjeta e errët apo fundi i turpshëm
i Shekullit Modern
kjo gjë nuk thuhet në kronikat që dimë
as nuk shkruhet mbi letrat e ngrëna nga dhëmbët e territ

Srebrenicë të ranë në pikë të diellit
para syrit optik të kamerave
kurse OKB-ja bënte sehir kasaphanën
e cila turpëroi vetë Evropën dhe njerëzimin
gjithë Shekullin që i mbylli sytë e në ëndërr
pa Makbethin

Mbi ty Srebrenicë qëlloi jo vetëm serbi
po tërë 100 vjeçari modern dhe vjetëran
tash ti je një qytet i pushkatuar
dhe me statujat e vrara, me ujin e vrarë, zogjtë
ajrin dhe lulet, edhe ndërgjegjen e vrar
 
Srebrenicë ti je qyteti i varreve dhe i tragjedisë
së filmuar në celuloid nga syri optik, shih si krenoheshin
ushtarë në anën tjetër për krimin bizar
tetëmijë njerëz të vrarë
tetë mijë njerëz në të njëjtin varr

Ky është bilanci i turpit ballkanik e më përtej
prandaj dhe kortezhi mortar zgjatet në pakufi
si në romanin e mikut tim Visar Zhitit me të vetmin faj
që serbin e patën fqinjë

Në fund të fundit në  Srebrenicë ra kambana që theu
bronzin e heshtjes dhe njerëzit dolën nga varret e tyre.

Srebrenica gjendet  në Lindje të Bosnjës.  Në korrik të vitit 1995  rreth 8 000 burra, gra, djem dhe fëmijë myslimanë u zhdukën, pasi forcat serbe pushtuan Srebrenicën, një zonë që Kombet e Bashkuara e kishin deklaruar ”vend të sigurt”.

NUK TALLEN ARBËRORËT ME EMRIN TIM

Letërkëmbim me Zef Skjiro Di Maxho

nuk tallem miku im nuk tallem
kur them për shtrembërimet e emrit dhe mbiemrit tim
por tallën të tjerët me arbëreshin që ka shkruar 15 mënyrëshe
emrin e mbiemrin e vet jo nga padija,
por nga vetëdija, vet e kam shkruar dhe e kam përpunuar
madje ende pa le e kam përcaktuar ardhmërinë e emrit dhe
mbiemrit tim që do të bëhet problematik
për brezat që do të vijnë

vallë as ju nuk paskeni bërë lojë me emrat tuaj
mbiemrat familjar, fisnor e krahinor
se fisi ynë bashkë me mbiemrin tonë
rrënjët i ka në ditën kur Jezui kishte zbritur në tokë

tallem miku im tallem atëherë kur e shkruaj vetëm një emër
e një mbiemër sepse në arbërisht një emër e një mbiemër
bëjnë vetëm një njeri
vetëm një arbëresh qoftë ky edhe poet

tallem miku im tallem kur thash të tjerët
po tallen me mua arbëreshin Skjiro
se është një dhe i fundmi poet që flet e shkruan
shqiptarisht me gjuhën e tij arbërisht
ai flenë e qesh arbërisht se rrënjët i ka në histori
këtu e sa shekuj më parë qysh kur zbriti
nga e bukura Shqipëri

më pëlqen të tallen të tjerët me emrin e mbiemrin tim por
unë kënaqem miku im kënaqem se një, edhe një,
edhe një, edhe një, bëjnë shumë arbëresh
që flasin e shkruajnë arbërisht
tamam më duket si një katund përplot me njerëz
që e kanë dyndur qytetin përplot poet

më pëlqen të shkruarit disa mënyrëshe,
fytyrëshe e përfytyrëshe
për emrin e mbiemrit tim por kjo për një arbëresh thotë
shumë se ai nuk është i vetmuar, as nuk flet e tallet me
vetveten e tij por me një tufë poetësh që i rrinë përmbi

tallem unë i juaji poet kur them hidhërohem
por jo miku im unë gëzohem
kur të tjerët shkruajnë ndryshe emrin e mbiemrin tim
sepse kur i lexoj të falat e tyre, sikur shohë të tjerë arbëresh
dhe kështu unë s’jam vetëm, as i vetmuar
por në mua e pranë meje është një fshat me arbëresh
që e kanë mbushur qytetin e planetin me poet

dhe një speciale për mua Zef Skjiro Di Maxho
që emri e mbiemri më është shkruar në nëntë mënyrë
me katër pjesëza përgjysmë
që bëjnë sa 36 shtëpi në Arbëri me nga një poet në çdo shtëpi

jam unë Zef Skjiro Di Maxho që më thonë:
Giuseppe Schirò Di Maggio = Zef Schirò Di Maggio =
Zef Skjiro Maji = Zef Skjiro di Maxhio= Gjusepe Skiro Di
Maxhio = Xhuzepe Sqiro Di Maxho = Zef Skiro Di Maxho =
 Zef Skiro Dimagjio, e kështu me radhë...
ma kanë shkruar emrin dhe mbiemrin në trevat ku banojnë
arbëroroshqiptarët e mua malli për secilin ç’më ka marrë

të falat më të nxehta dhe falënderimet më "atdhetare"
nga unë Zefi Arbëresho-Shqiptar
që  e nisa edhe këtë Shekull me të mbarë

Zvicër/ Janar 2006

UNË DI SHUMË GJËRA PËR TY

Poetit Gjekë Marinaj

Unë di shumë gjëra për ty miku im i di
Se kam jetuar me brengën tënde
Brenga jote është sa vetë hallet e atdheut
Sa vetë fama e Skënderbeut

Dhe më shumë sa dhe vetullat rëndojnë halle
Të atyre viteve përtej dashurive
E njoh zemrën e madhe aq bujare
Ti di miku im mërzitë dhe plagët

Ta njohë timbrin e zërit që bëhet këngë
Syrin e mallit që bëhet horizont
Kam parë ëndrrat e tua pranverave që s’vinin
Ah pranvera e atdheut në një kopsht përjetësie

T’i njoh ecjet vetmitare buzë asaj rruge të askundshme
Ndanë lumit me brigje vdekjesh
T’i njoh librat ditarin buzëqeshjet në ajër
Nxënësit që u shpjegon për vendin tuaj shqiponjë

T’i njohë netët pa gjumë dhe mëngjeset e trishtuara
Njoh gjëmat dënesjet përgjimet 
Ta njoh poezinë që arriti para teje atje
Ku skajshmërish preket  “Infiniti”

T’i njoh kahet dhe premisat letrare
Ndjenjën krijuese dhe kundërshtitë siç t’i njoh rrugët
T’i njoh të gjitha t’i njoh se jam miku yt me fatin tënd
Që besueshëm besoj se digjesh e digjem dheut të huaj

GJËRAT E PA ZGJEDHURA

Emri është një gjë e pa zgjedhur
Sepse pa të pyetur fare je pagëzuar

Lind i një feje të pa zgjedhur
Zoti zgjedh besimin tënd

As gjuha nuk është zgjedhur nga ty
Kur e flet së pari
 
Edhe atdheu është çështje fati
Teksa shkërmoqësh për ta bërë më të mirë

Ke të drejtë të zgjedhësh një tjetër atdhe
Dhe ta mohojnë ata që vetë s’e kanë zgjedhur

Vazhdimisht njeriu thotë: „Nuk pranoj imponime“
Duke e harruar absurdin e asaj që bën

TRYEZA

Një tryezë e rrumbullakët një tryezë
Rreth saj të mblidhet bota rreth saj
T’ia shoh anët e barabarta copëzat e rrethit
T’ia gjej dhe të uleshim të gjithë pa paracaktim

Por tryezën e qarkuan me karrige
Që tani po mbajnë erën e prapanicave të shquara
U palosën  mbi të dhe fyen karriget tryeza a…
një botë e tërë

Duhmat dalin dhe nga gojët 
Aq sa dhe letrat mbi tryezë i zverdhëlluan
Tryeza duron ç’vihet mbi te edhe pa pëlqimin e saj
Qoftë dhe vendimet që cungojnë fatin e njeriut
në një vis të largët

Ka dhe tryeza kënddrejta me damarët e jetës si një rrjetë
Ashtu merren dhe vendimet
Shtrembër dhe rrjetëshëm, fat i zënë që përpëlitet

FOL ZËRI IM

Ku je zëri im që kurrë nuk të pashë
ku je mallkimi i shekujve
ku je ndërgjegje e sfilitur në këtë botë të trishtë

Fol zëri im, zë i njerëzisë
fol mos u tret ndër dhëmb e buzë
fol mos tremb syrin as në këtë dhe të huaj

CH - St.Gallen, 03.03.2003.

SHËNIME PËR AUTORIN:

Shefqet Dibrani (03. 08. 1960). Lindi në fshatin Gërdofc të  Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesëm drejtimi kimiko - teknologjik në Obiliq, ndërsa Sh.L.P. drejtimi biologji - kimi në Gjakovë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Zvicër që nga viti 2001, anëtar i Shoqatës Interkulturore “International Kulturbrücken”, Zürich 2002 etj.
Sh. Dibrani, përveç poezisë dhe kritikës letrare merret edhe me gazetari. Poezia e tij është përkthyer në gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht, rumanisht dhe sllovakisht.

Eshtë prezantuar në këto libra  dhe  antologji:
 
1.    Shaqir Foniqi: “Moisiu dhe Moisiu”, Prishtinë, 1994.
2.  “Pema e ëndrrave – L’albero dei sogni”, Bari / Itali, 1995.
3.  “Poezia e Kosovës – Poesia dal Kosovo”, Nardo / Itali, 1999.
4.   Hasan Hasani: “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 - 2001”,  Prishtinë 2003.
5.  Ardian Ch. Kyçyku: “Një alfabet i poezisë shqipe - Un alfabet al poeziei albaneze“, Bukuresht / Rumani, 2003.
6.  “Atdheu i huaj - Fremde Heimat”,  Zürich / Zvicër, 2003.
7.  “Hapa nëpër natë”,  MNL “Ditët e Naimit”, Tetovë, 2003. 
8.    Gjekë Marinaj: “Ana tjetër e pasqyrës”, intervista, Dallas / USA, 2003.
9.    Leksikoni i autoreve dhe autorëve zviceran,  Zürich / Zvicër 2005.  http://www.a-d-s.ch/  ose http://lexikon.a-d-s.ch/edit/detail_a.php?id_autor=2138
10. Sinan Gashi: “Simfonia e Dardanisë”,  poezi kushtuar Ibrahim Rigovës, Prishtinë 2006.
11.  Sejdi Berisha: “Shpërputhje kohe”, ese dhe recensione, Pejë 2006.


Veprat letrare:

1.   “Larg pikon hëna”, poezi, Tiranë, 1994.
2. “Pse e urrej Kadarenë dhe poezi të tjera”, poezi, Prishtinë, 1996. 
3. “Qershia e pikëlluar”, vjersha, Prishtinë, 1997.
4. “Ditar mërgimi”, poezi, Prishtinë, 1998.
5. “Strehët e gjakut”, poezi, Prishtinë, 2000.
6.      “Libra dhe mbresa”, kritikë letrare,  St. Gallen / Zvicër 2005.
7. “Zhgënjimi ballkanik 1”, publicistikë, Prishtinë, 2005.
8. “Zhgënjimi ballkanik 2”, publicistikë, Prishtinë, 2006.
9. “Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër”, poezi, Podujevë 2007.

Shefqet Dibrani, jeton në Zvicër.

E-Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Nga libri ''Strehët e gjakut'' (19-01-2008)
Nga libri ''Ditar mërgimi'' (19-01-2008)
Nga libri ''Qershia e pikëlluar'' (19-01-2008)
Nga libri ''Pse e urrej Kadarenë'' (19-01-2008)
Nga libri ''Larg pikon Hëna'' (19-01-2008)



 
::| Krijimet e Fundit