Sidorela RISTO
Ezra Pound - det i thellë në dallgëzim
Esse
Ezra Pound është një nga poetët më me shpirt dhe ambicioz i periudhës moderne (gjysma e dytë e shekullit XX). Mund ta krahasojmë me një det të thellë imazhesh, që dallgëzon ndjenja dhe figura të kripura e të ëmbla, mund ta krahasojmë dhe me një filozof, që u buzëqesh me sarkazëm ligjeve të jetës, të pasjetës dhe atyre të politikës.
I lindur në Hailey të Idahos, më 30 tetor 1885, biri i Homer Loomis-it (i cili ishte përgjegjës i prodhimit të parave dhe monedhave në këtë qytet), Pound-i krijoi miqësitë e para me gjendjen e thatë dhe të nxehtë të natyrës, klimë e Idahos, si dhe klimën e monedhave të shkrira nga nxehtësia e furrave në dhomëzat e punës së babait. Kjo nxehtësi mund të ketë qenë shkaku i pasionit të tij për gjuhën e shkruar dhe i mundimeve të shumta që pësoi për faj të pasionit ekonomik dhe politik.
Identiteti i tij si poet, u krijua tek po largohej nga Amerika për në Venecia më 1908, me një anije të ngarkuar me bagëti. Ndërmori këtë udhëtim për shkak të humbjes së punës si profesor i gjuhëve romantike në Kolegjin Presbiterian Webash, pasojë e një skandali, pasi kishte ftuar një aktore në dhomën e tij, gjatë një shtrëngate. Tek luftonte me gjendjen e varfër financiare, në Venecia krijoi një përmbledhje me 45 poezi dhe e publikoi nën titullin A Lume Spento. Vendosi të udhëtonte për në Londër, qendrën e jetës letrare, ku, si çdo poet tjetër, nisi t’i dërgonte poezitë nëpër revista. Ishte me fat, pasi editori i revistës New Age bëri të mundur publikimin e herëpashershëm të artikujve dhe poezive të tij; gjithashtu, ai e njohu me një rreth artistësh dhe intelektualësh. Pound adhuronte poetët modernë si Yeats (me të cilin punoi për disa kohë), Eliot-in, (të cilit i redaktoi poemën Toka e Shkretë), William Carlos Williams-in dhe James Joyce -n.
Më 1912 Pound-i themeloi një instrument të ri letrar, lëvizjen Imazhiniste, e cila buroi nga pakënaqësia e tij për stilin e vargjeve me rima, vargje të cilat, sipas tij, “kanë humbur muzikën e tyre për shkak të ndjekjes së përpiktë të hapit të strukturës metrike, e cila zëvendëson modelin intirkant të kompozimit me vesh, me rregullin e metronomit.” Kjo lëvizje ndërthuri krijimin e imazhit me kërkesën e rreptë të shkrimit të paepur. Manifesti i Imazhinizmit, apo Vorticizmit, siç u emërua me vonë, u jepte rëndësi tre elementëve më kryesorë të poezisë: lojës me imazhin, muzikës dhe kuptimit. Poeti i jepte rëndësi çdo fjalë dhe, si pasojë, poezia “përshfaq një kompleks emocionues dhe intelektual në një çast të kohës.” Vargu i lirë dhe estetika e imazhit, u ndikuan veçanërisht nga poezitë klasike kineze, sidomos stili Hokku (poezi dy vargëshe), një dashuri letrare kjo, të cilën Pound-i e adoptoi, sidoemos, në përkthimet kineze të përmbledhura në librin Cathay, (vazhdimi i dorëshkrimeve të Fenollozas), në vitin 1915. Gjithashtu, shumica e poezive të Lustres (1916), veçanërisht poezia Në një stacion të metrosë, përmbajnë një shpirt të thellë imazhi të thjeshtëzuar në pak fjalë.
Një karakteristikë tjetër e poezisë së Pound-it, e cila duket sidomos në librin Personae (1926), është qëndresa e tij filozofike dhe sarkazma që shfaq, jo vetëm ndaj subjektit, por edhe ndaj folësit të shpikur nga vetë Pound-i, një karakter ky me të cilin Pound-i nuk mund të identifikohet. Në poezinë “Cantico del Sole” me vargjet “Mendimi se si do të ishte Amerika nëse klasikët do kishin një qarkullim të gjerë, më turbullon gjumin”, poeti kritikon fenomenin se arti qe hedhur poshtë nga kultura amerikane. Folësi i kësaj poezie, është “gjykatësi, i cili aprovon turpin në artin klasik, përderisa auditori i artit klasik është shumë i vogël. Poeti me tallje përsërit shprehje të censurës, megjithatë, ai zëvendëson fjalën “pornografi” me fjalën “klasikët.”
Megjithëse këto stile i japin krahë personalitetit dhe gjuhës origjinale dhe të veçantë të Pound-it, thesari i tij më i madh gjendet në stilin epik të Kanto-ve, të cilat nga viti 1924 dhe deri në fund të jetës së tij, zotëruan pasionin, mendjen dhe frymën e tij jetësore dhe letrare. Kanto-t, për të cilat punoi thujase pesëdhjetë vjet, janë meditime mbi historinë e së kaluarës, mbi Homerin, Virgjilin, Danten, për t’i dhënë kuptim kohës së Pound-it, kohë e trazuar nga lufta dhe e turbulluar nga gjaku. Synimi i Pound-it mund të ketë qenë që, nëpërmjet këtyre Kanto-ve, të krijonte një frymë të përbotshme ankthi. Kjo ide është e simbolizuar nga gjuhët e ndryshme që ai përdor (kineze, italiane, franceze, spanjolle) për të thyer vargun e rregullt anglez, një teknikë që të stimulon ndjenjën e kaosit në botë gjatë shekujve.
Në këto poezi epike, Pound-i luan me fragmente historie, me citime librash, poetësh, politikanësh, me biseda të përditshme, duke e kthyer Kanto-n në një poezi idesh, veç rregulli i prishur nga ngjeshja e këtyre ideve, lëmohet nga tingulli dhe lirika antike e gjuhëve në kullën Babel. Ky kaos në vargun poetik, lindi veçanërisht nga kaosi që ekzistonte në mendjen e Pound-it, që nga izolimi në një kafaz pranë kullës së Pizës, ku poeti i burgosur kaloi gjashtë muaj nga jeta e tij. Çmendia dhe gjeniu i tij lulëzojnë nga Kantot e Pizës (1948).
Imazhi i tmerrshëm i Luftës së Parë Botërore, ndikoi shumë te Pound-i dhe nxiti interesin e tij mbi politikën dhe teoritë komplote. Pas lëvizjes së tij në Rapallo të Italisë, më 1925, Pound-i nisi të shkruante ese rreth teorive ekonomike të fashizmit, si autoriteti kryesor. Adhurues i Musolinit dhe urryes i çifutëve, Pound-i kyçi pasionin e tij për gjuhën e ëmbël letrare dhe hapi pasionin e kripur politik dhe ekonomik, pasion që e çoi drejt rrënimit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pound-i dha transmetime nga Radio Roma, fjalime në të cilat ngrihej kundër trupave amerikane dhe kundërshtonte pjesëmarrjen e Amerikës në këtë luftë dhe ekzaltonte idetë fashiste të Musolinit.
Një nga shënimet më të errta të historisë amerikane ishte trajtimi që Pound-i mori si i burgosur. Në pranverë të vitit 1945, i dënuar nga ligji amerikan si tradhëtar, u arrestua nga partizanët dhe iu dorëzua forcave amerikane. Për gjashtë muaj, poeti i madh u burgos në një kafaz me kushte kafshore. Jetonte në një kafaz me rrogozë metali, me batanije si shtroje për krevat, një kanaçe si nevojtore dhe një dritë që nuk shuhej kurrë. Dalëngadalë u thith nga kaosi i çmendisë. Më pas, doli para ligjit në Uashington D.C., por nuk u dënua për shkak të dëmtimit nervor. E transferuan në spitalin e çmendisë “Shën Elizabeta”. Aty kaloi 15 vjet në vetmi dhe thuri vargjet e Kantove të Pizës, pjesët e titulluara Gërryerja e Gurit (1955) dhe Thronet (1959). Pasi u lirua nga spitali, më 1972, u kthye në Itali dhe vdiq në Venecia.
U shua poeti i madh, një Homer modern, ( çuditërisht dhe babai i tij quhej Homer) dhe një Dante modern, ( dhe ai e provoi ferrin dantesk, madje brenda në Itali).
Tingëllon ironike, por çmendia e çoi Ezra Pound-in drejt mendjes së shëndoshë. Ky poet - luan, prozator, përkthyes, politikan, që jetoi jetën e njeriut dhe të kafshës, që këndoi vargjet e historisë si bilbili dhe shau me gulçime dragoi përsëritjen e historisë, i dhuroi ekzistencës njerëzore një botë të re ngjyrash, figurash, ndjenjash dhe, nëpërmjet radikalizmit, triumfoi.
© Autorja. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e autores.
Vepra nga Ezra Pound:
Poezi
Ripostes 1912
Personae and Exultations 1913.
Quia Pauper Amavi 1918.
The Fourth Canto 1919.
Hije (Umbra) 1920.
Hugh Selwyn Mauberley 1920.
Një skicë e Kantos XVI (A Draft of XVI Cantos) 1925.
Poezi të zgjedhura (Selected Poems) 1957.
Një skicë e Kantos XVI (A Draft of the Cantos 17-27) 1928.
Homazh Sextus Propertius (Homage to Sextus Propertius) 1934.
Njëmbëdhjetë Kanto të reja: XXXI-XLI (Eleven New Cantos: XXXI-XLI) 1935.
Dekada e pestë e Kantove (The Fifth Decade of Cantos) 1937.
Kantot LII-LXXI (Cantos LII-LXXI) 1940.
Kantot e Ezra Pound-it (The Cantos of Ezra Pound ) 1954.
PROZË
Shpirti i romancës (The Spirit of Romance) 1953.
Guadier-Brzeska: Një kujtim (Gaudier-Brzeska: A Memoir) 1961.
Noh; apo, Arritja: Një studim i skenës klasike japoneze
Noh; or, Accomplishment: A Study of the Classical Stage of Japan 1960.
Anteila dhe Traktati i Harmonisë (Antheil and the Treatise on Harmony) 1968.
Letra imagjinare (Imaginary Letters) 1930.
Si të lexosh (How to Read) 1931.
Xhefersoni dheose Musolini (Jefferson andor Mussolini) 1936.
Për çfarë është paraja? (What Is Money For?) 19..2.
Ar dhe punë (Oro e Lavoro) 1952.
E shumë të tjera…
Poezi nga Ezra Pound
(I ktheu në shqip Sidorela Risto)
Shfaqja e vallëzueses
Për martesën në Kana të Galilesë
Syzezë,
Grua e ëndrrave të mia,
E veshur me sandale fildishi,
S’ka si ty mes vallëtarëve,
Asnjë me këmbë kaq të shkathta.
S’të kam gjetur në tenda,
Në errësirën e thyer.
As në burimin e freskët
Ndërmjet grave me kana
Krahët e tu fidane të rinj nën lëvore;
Fytyra një lum me drita.
Me bardhësi bajameje shpatullat e tua;
Si bajame e re e qëruar nga lëvozhga.
S’të mbrojnë me eunukë
As mes shufrave prej bakri.
Gurëkal dhe argjend i praruar në dhomën e shlodhjes
Një mantel kafe qëndisur me fije ari
mbështjellë ke rreth vetes,
O Nathat-Ikanie, “Pemë-e lulëzuar-në-lum.”
Si vija ndërmjet plishtave janë duart e tua mbi mua;
Gishtërinjtë rrëke të ngrira.
Shërbyeset e tua të bardha si guraleca;
Muzika që thurin për ty!
S’ka si ty mes vallëtareve;
Asnjë me këmbë kaq të shkathëta.
Një pakt
Unë bëj një pakt me ty Wolt Witman
të kam urryer për shumë kohë
vij te ty si djaloshi i rritur
që ka patur një baba kokëderr
Jam në moshë të zë shoqëri.
Ishe ti që preve drurin e ri,
tani është koha për gdhendjen.
Ne kemi njëri limfën, tjetri rrënjën -
të nisë mirëkuptimi midis nesh.
Portreti i një femre
Mendja jote dhe ti jeni deti ynë i Saragozës
Londra të ka pushtuar në këto vite shënimesh
Dhe anije të ndritshme kanë shkruar çdo gjë në tarifë:
Ide, thashetheme të plakura, mbeturina të gjithçkaje.
Direkë të çuditshëm njohurie dhe mallra të vrenjtura me vlerë.
Mendje të larta të kanë ndjekur - në mungesë të dikujt tjetër.
Ti gjithmonë ke qenë e dyta. Tragjike?
Jo. E preferoje mbi gjërat e zakonshme:
Një burrë të plogët, pa gjallëri, të nënshtruar ndaj femrës,
Një mendje mesatare - me një mendim më pak, çdo vit.
Ah, ti ke durim të hekurt, të kam parë tek ulesh
me orë të tëra aty ku diçka pritet të notojë mbi tokë.
Tani paguan dikë. Po, paguan shtrenjtë.
Je njeri i interesit, kur dikush vjen te ti
merr me vete fitim të çuditshëm:
Trofe të peshkuara; një sugjerim kurioz;
Fakt që s’të shpie kurrkund; dhe një përrallë a dy,
Shtatëzënë me madergane, a me diçka tjetër
Që mund të vërtetojë dobinë e saj, por asnjëherë nuk e vërteton,
Asnjëherë nuk nxe një cep apo tregon dobi,
S’gjen orën e saj në vegjet e ditës:
Puna e mrekullueshme e vjetër, e nxirë, pa finesë;
Idhuj dhe qelibarë dhe zbukurime të rralla,
Këto janë pasuritë e tua, dyqani yt i madhërishëm; por
Për gjithë këto rrangulla detare, gjetherënëse,
Pyje të çuditshëm, përgysmë mbuluar me bar, dhe gjëra të reja të ndezuara:
Në notimin e ngadaltë të dritave dhe thellësisë,
Jo! Nuk ka asgjë! Në gjithësi dhe gjithçka,
Asgjë që të përket ty.
Por kjo je ti.
Gjilpëra
Eja, se rryma yjore do të na rrëshqasë
Në lindje shmangiu orës së perëndimit,
Tani! Se gjilpëra dridhet në shpirtin tim!
Këtu kemi pasur epërsinë tonë, orën e mirë.
Këtu kemi kalur ditën tonë, tënden dhe timen.
Eja tani, para se kjo fuqi
Që na ngre lart, të kthehet kundër polit.
Mos e tundo vërshimin e yjeve, gjërat që do të vijnë
O dashuri, eja tani, kjo tokë mëkaton, ligështohet ngadalë
Dallgët lindën këtu, së shpejti do të zmbrapsen.
Thesari është i yni, shpejt le të fitojmë toka me të.
Të lëvizim e të marrim rrymën
Një përkrahje tjetër,
Banojmë,
Nën një forcë neutrale
Deri sa rryma të ndërroj drejtim.
Kopshti
Si një lëmsh mëndafshi i lirë kur era fryn përballë murit
Ajo ecën pranë kangjellave të një rrugice në Kopshtet Kensington,
Dhe po vdes pjesë- pjesë
nga njëlloj anemie emocionesh.
Dhe aty përreth ndodhet një turmë
Fëmijësh të ndotur, të fuqishëm, të pavdekshëm të varfërish.
Ata do të trashëgojnë tokën.
Në të ndodhet fundi i mbarështimit.
Mërzitja e saj është e këndshme, e tepruar.
Dëshiron t’i flasë dikush
Dhe ka frikë se unë
do ta kryej këtë pamaturi.
Epitafet
Fu I
Fu i dashuronte retë e larta dhe kodrën,
Mjerisht vdiq nga alkooli.
Li Po
Li Po gjithashtu vdiq nga alkooli.
Tek përpiqej të përqafonte hënën
Në Lumin e Verdhë.
Shk/putur nga libri “Harta e verbër” “The blind map”
© Nuk lejohet ribotimi pa lejen e përkthyeses.