MË ÇO NË ATË VEND, DASHURIA IME…
E diel, 13-01-2008, 02:54am (GMT)
Më ço në atë vend ku xixëllonjat kërcejnë tango dhe gurët e lëmuar bëhen trëndafila pa gjemba Në atë vend të shenjtë ku shelgu i diellit pëshpërit premtime dashurie Era thotë “pranoj” Bilbili i turpshëm qan Bilbili i lotuar sa qan.
Më ço në atë vend ku lotët shkrihen në vargje dhe ëndrrat – valë të ëmbla përkëdhelin brigjet prej rëre Në atë vend ku akullnajat digjen ku gjuhët e prushit pëshpërisin premtime dashurie Dëbora thotë “pranoj” Dallëndyshja e heshtur qan Dallëndyshja e heshtur sa qan.
Më ço në atë vend, dashuria ime, ku zogjtë janë rima dhe poezitë – zemra të gjakosura fluturash Në atë vend ku lumenjtë mbyten ku buzë hënëzore pëshpërisin premtime dashurie Poeti thote “pranoj” Poezia e vrarë qan Poezia e thyer sa qan.
Shkëputur nga libri ‘’Harta e verbër’’ © Autorja. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e autores.
|