Letërsia Shqiptare

MË ÇO NË ATË VEND, DASHURIA IME…
E diel, 13-01-2008, 02:54am (GMT)

Më ço në atë vend
ku xixëllonjat kërcejnë tango
dhe gurët e lëmuar bëhen trëndafila pa gjemba
Në atë vend të shenjtë
ku shelgu i diellit pëshpërit premtime dashurie
Era thotë “pranoj”
Bilbili i turpshëm qan
Bilbili i lotuar sa qan.

Më ço në atë vend
ku lotët shkrihen në vargje
dhe ëndrrat – valë të ëmbla
përkëdhelin brigjet prej rëre
Në atë vend
ku akullnajat digjen
ku gjuhët e prushit pëshpërisin premtime dashurie
Dëbora thotë “pranoj”
Dallëndyshja e heshtur qan
Dallëndyshja e heshtur sa qan.

Më ço në atë vend, dashuria ime,
ku zogjtë janë rima
dhe poezitë – zemra të gjakosura fluturash
Në atë vend
ku lumenjtë mbyten
ku buzë hënëzore pëshpërisin premtime dashurie
Poeti thote “pranoj”
Poezia e vrarë qan
Poezia e thyer sa qan.

Shkëputur nga libri ‘’Harta e verbër’’
© Autorja. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e autores.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.