Letërsia Shqiptare

Diçka për notimin
E diel, 13-01-2008, 03:04am (GMT)

I.
Vetëm.
Mendja ulet në kështjellën prej rëre
loti formon baltën
unë pi gurët e vetmisë
jeta s'më jep ujë
dhe mbytem.
Një peshk i vogël : unazë në grep.

II. 
Në fëmijëri bëja not peshku
duart në formë lutjeje
vallëzonin mbi det
këmbët luftonin pafajsinë e valëve
gjysmë vals, gjysmë flamenko
gjysmë peshk, gjysmë njeri
fytyrën baltës, shpinën qiellit
isha fëmijë.

III.
Tani bëj not delfini
përqafoj jetën me krahë të rëna
krahë e këmbë të lodhura
zhytja është luftë njerëzore
lutjet plumba dhe goja grykë pushke
Me Zotin komandant qëlloj
armik nuk kam
armiq kam plot
delfin naiv jam.

IV.
Jeta është stomak peshku.
Si Xhona në barkun e balenës
jam unë perlë e ndotur në barkun e botës
Të dy kërkojmë një vend të huaj
Ai Ninivitët unë Parajsën.

V.
Hapuni valë, hapuni,
peshkaqenve dua t’u largohem
notoj në oqeanin e vetes.
                       
Brooklyn, 2004

Shkëputur nga libri ‘’Harta e verbër’’
© Autorja. Nuk lejohet ribotimi pa lejen e autores.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.