Letërsia Shqiptare

Stuhi në prill
E enjte, 21-06-2007, 09:19pm (GMT)

Nga drama ''Stuhi në prill''(*)

Prolog
Hyn autori
Për demaskim të skuthëve Gam! Hum! Ham!
Me fecit indignatio poetam:
Që t'a kthej shqip Horacin, si shqiptar,
Më bëri zemërimi vjershëtar.
"Na binish mish!" i tha Nastradini qyrkut,
I mbështetur në sofisterira t'ujkut;
Se ja që budallai na vë re gunën,
I duhen tru që të na çmojë punën;
Se s'është rroba që na bën të mirë,
Po mendja e lartë, zemra jonë e dlirë.
Në skenë njeh të mirë dhe të liq -
Kë zgjidhni ju për miq, kë për armiq?
Se po ju pyes, mos më keqkuptoni;
Keni liri të zgjidhni kë të doni.
Veç hapni sytë! Ujqërit u ngjasin qenve,
Kur turren vurlif! t'uritur kundër dhenve.
Ju këshilloj se, mbasi jam bir bujku,
E di kush është qeni dhe kush ujku.
Si dot e vishen e të sillen mirë,
Për qen' e keq, e pr' ujkun s'kam mëshirë;
Zagari bëhet ujk kur qentë e mbrojnë;
Si ujku më ujk, kur larot e lëvdojnë.
Ç'janë ujq e tradhëtarë duhen vrarë,
Se ndryshe e bëjnë atdhenë për të qarë.
Po re ndër ujq e qen, shpejt dil nga rrjeshta -
Ujku të çan, qeni të mbush me pleshta.
Kini kujdes, të mos pendohi vonë,
Ujqërit ndërrojnë qimen, jo zakonë.
Ju këtë dramë kur ta keni parë,
Do keni për të qeshur; ndoshta qarë.
Që të zbaviti sish jo të gajasi -
E shkroi një pensionist nga Luarasi;
E shkroi kur mbushi vjet dhjetë herë shtatë;
Për këtë ditë po jua jep dhuratë;
Dhe fort ju lutet që kur ta dëgjoni
Me masën e së drejtës ta gjykoni!

Drama në vargje ''Stuhi në prill'' u shkrua më 1970 e bën fjalë për ngjarje e personazhe realë para e pas pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi. U lejua të shfaqej (pjesërisht e censuruar) më 1972, në teatrin ''Andon Zako Çajupi''- Korç[, me regji nga Dhimitër Orgocka, në role kryesore luajtën Pandi Raidhi, Minella Borova, Dhorkë Orgocka,Dhimitër Grabocka,etj. Pas tre ditë shfaqjesh të suksesshme, drama u ndalua ''me urdhër nga lart''. Kur e pyetën S.Luarasin se cili qe shkaku që ia ndaluan shfaqjen, u p[rgjegj: Dikush pa fytyrën e tij në pasqyrë dhe u tmerrua !!


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.