Letërsia Shqiptare

Takimet e mia me Migjenin
E enjte, 21-06-2007, 09:27pm (GMT)

Kur kujtoj Migjenin, më hipën mallëngjimi e kam një peng në zemër. Shumë të tjerë e njohën Migjenin vetëm përmes veprës, kurse mua një rast i mbarë ma solli ta njoh edhe personalisht, kur më transferuan në gjimnazin e Shkodrës, në vjeshtë 1934. Tani më vret ndërgjegjia që nuk dita t’ia hap më shumë zemrën dhe të isha afruar më tepër me të. Kështu do të kisha përfituar nga ai,se që atëhere e kuptova se Migjeni qe një personalitet.
Po kish edhe disa rrethana të cilat besoj që na pengonin të dy të afroheshim më shumë. Në radhë të parë, në asnjë qytet të Shqipërisë nuk ziente përçarja ndërmjet elementeve fetarë me aq fanatizëm sa në Shkodër. Hoxhallarë e priftërinj vendas, por më shumë jezuitët e huaj, e sidomos Kordinjanua dhe Valentini, mbillnin urrejte e grindje ndër banorët, ngjallnin ftohtësirë e dyshim,i largonin qytetarët nga njëri-tjetri dhe çkallmonin shoqërinë shqiptare. Domosdo,ambjenti i shtrëngonte njerëzit të ishin të përmbajtur e të ndrojtur.
Përveç fanatizmit, edhe gjëndja e keqe politike nuk ndihmonte në asnjë mënyrë për t’u afruar e takuar. Shefi i dikasterit të brendshëm, vetë shkodran e me lidhje familjare në gjithë vëndin, qe bërë gogol për shqiptarët e kishte nderë rrjetin e spiunëve në të katër anët. Mjaftonte njëzë shpifje vetëm që të burgosnin e të zhduknin po tua donte nevoja njerëzve të qeverisë.
Ndërkaq agjentët e fashizmit nga ana e tyre propagandonin sheshit në vendin tonë për një regjim fashist; dhe koliqët nuk ishin kthyer kot së koti prej Italisë përpara 29 qershorit 1934 ditën kur Musolini bëri tentativën e parë të shkelte Shqipërinë; nuk ishte e rastit që po në këtë kohë klerikët e Shkodrës grishnin malësorët katolikë të zbrisnin në qytet për të parë se si , në katedralë, shnandou po loste sytë! Agjentët fashistë kërkonin mbështetje dhe nuk dronin të lidhnin miqësi me këdo që u hynte në punë. Ishte, pra, një akt me përgjegjësi të rëndë për çdo njeri përparimtar kur vendoste t’i jepte dorën tjetrit, se gjithmonë ekzistonte frika mos bije në kurth të ‘’miqësisë‘’ fashiste.
Me Migjenin u njoha në këto rrethana: Qe e diela ime e parë në Shkodër. Kur dola në mëngjes nga zyra e konviktit që të piqesha me një nga miqtë e mi shkodranë që nuk ishin ‘’të fesë sonë‘’,vura re kujdestarin e konvektit tek po i ndante nxënësit dysh. E pyeta se ç’po bënte, dhe më tha se ata në radhë do t’i shpinte në kishë.
‘’Po të tjerët?’’e pyeta
‘’Janë muhamedanë‘’, m’u përgjegj.
Ndërkohë miku im erdhi dhe dolëm të shëtisnim; kur iu afruam kafe ''Parkut'', ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh e më foli:’’Do të të njoh me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë…ortodoks’’.
U prezantuam.Ndonëse të posanjohur, vetë takimi u bë në mënyrë të tillë që na dha temën e bisedës.Unë, i indinjuar nga një atmosferë e këtillë fanatike, i tregova mikut të ri ç'ë kishte ngjarë në oborr të konviktit dhe i thashë se e para punë që duhet të bëjnë arsimtarët në Shodër ish ta shkulnin nga rrënjët kulçedrën e fanatizmit. Migjeni buzagaz më tha se unë sapo kisha filluar dhe se do të më jepej rasti të njihesha më mirë me këtë përbindësh.
Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër; po më gëzoi, se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte përmbi dasitë fetare. Më vonë u binda se Migjeni kish të drejtë që përbindëshi mund të rrëzohej vetëm me goditje të fuqishme si ato që dha Migjeni vetë!
Këtë ditë e dëgjova për të parën herë emrin e vërtetë të Migjenit, por edhe pseudonimi i tij po këtë ditë nisi të më bëhej më familjar. Qoftë për urrejtjen që kisha për ‘’Illyrinë‘’si organ pro-fashist dhe nuk e lexoja veçse për kuriozitet, qoftë edhe për mosbesimin tim se në atë kohë mund të dilte ndonjë pendë me vlerë, as ato pak shkrime të Migjenit nuk i kisha lexuar me ndonjë interes të veçantë. Ky interes m’u zgjua kur u njoha me vetë autorin e tyre dhe lexova: ’’Të lindet njeriu’’ dhe sidomos ‘’Këngët e rinisë‘’. Thashë: ’’Prej një njeriu me moral të madh ,siç është Migjeni,edhe poezia e tij vetë duhet të jetë e madhe’’.
Herën e dytë u poqa me Migjenin në shtëpinë e dajeshës së tij, Ujnës. Ndërsa kolegu im, me të cilin vajta për vizitë, seç kish të rregullonte me të birin e saj, Migjeni dhe unë ramë në bisedë për shkollën. Edhe kjo qe një temë e rëndësishme, se kish ardhur koha kur duheshin peshuar frutat e para të shkollës laike. Shumëkush u gënjye me tragji-komedinë e shtetëzimit të shkollave nga shpresa se në trollin e shkollës kombëtare do të arrihej bashkimi i popullit shqiptar.Por frutat dolën të hidhura!
Këtë dështim e kishte ndjerë thellë Migjeni. Ai njihte mirë gjëndjen e fillores, prandaj u interesua të dijë përshtypjet e mia mbi brendinë e programit të shkollës së mesme; mbi karakterin e edukatës që merrnin nxënësit. Unë s’isha aspak entuziast me punën e shkollës, andaj s’gjeta veçse fjalë të këqia për të. I thashë se mendjen ua dërgojmë nxënësve në klasiçizëm për të mësuar gjëra që s’u duhen dhe lëmë pa mësuar gjëra që u duhen në jetë.
Migjeni shfaqi mendimin se, sado pakë, këtë të keqe e zvogëlon dhe e kthen në dobi futja e letërsisë klasike ruse në programet e shkollës. E quajti me vlerë të madhe që nxënësit shqiptarë të njihen me veprat e Gorkit. Dhe aty unë konstatova se Migjeni kishte përgatitje kulturale të lartë, e njihte mirë jo vetëm letërsinë realiste të perëndimit, por edhe letërsinë ruse dhe sovjetike.
Po nga kjo bisedë me Migjenin pata një përshtypje akoma më të madhe kur vura re se atë e interesonte shkolla, para së gjithash, nga pikëpamja se me ç’ideale shoqërore mbruheshin nxënësit shqiptarë.Tani nuk më kujtohen pikë për pikë fjalët e tij, po di se Migjeni m’u imponua me idetë e tij fisnike, me idealin e përparuar, me pikëpamjet e larta politike, me dashurinë e tij të madhe për njerinë.
Këtë konstatim e kanë shprehur edhe të tjerë. Një vajzë që e pati njohur mirë Migjenin që nga shkolla e studimeve të mesme, (Bojka Nikolla, shënim i red. P.L) e shfaqi admirimin e saj për poetin, në një letër ngushëllimi ,që i dërgoi motrës së tij Ollgës, më 4.9.1938,duke bërë këtë sintezë të njeriut moral-madh e të njeriut poet, në Migjenin:
‘’E dashur Ollgë;e di se je fatkeqe për këtë humbje të madhe, po të lutem të mendosh për ata që, pas tij, i don më shumë; dhe të jenë ata ngushëllimi dhe qëllimi i jetës sate. Sepse’’Dashuria e madhe për njerëzit’’ka qënë qëllimi i Mirkos sonë të dashur; ti e din këtë dhe do ta dijë gjithë bota; dhe ai do të jetojë gjithmonë në kujtimet tona me veprën e tij’’.
Në këtë takim të dytë folëm edhe për poezinë. Prapë këtu kuptova se ç’qëllim serioz mbante Migjeni ndaj artit; kuptova se ato që shkruante ai nuk ishin si bejtet që thurin njerëzit kur s’kanë ç’bëjnë dhe duan të dëfrehen, po ishin mjaltë e mbledhur për të ushqyer një popull.Sado pak, këtë e pohon edhe rrëfimi i Ujnës ,e cila më tregoi:
- Milloshi mbante letër e lapës pranë shtratit,në dhomën ku flinte.Shpesh herë ajo kish vënë re se i nipi ngrihej natën në shtrat,dhe ashtu në terrët, shkruante mendimet që i vinin në mend.
Një herë tjetër Migjeni më erdhi për një vizitë në konvikt .Ai më mbyti me pyetje: ”Ç’janë këta konviktorë? Nga vijnë? Fshatarë janë apo qytetarë? A vijnë prindërit t’i shohin? A kanë banjë në konvikt? Po rroba, këpucë, sapun,furçë dhëmbësh? A sillen mirë me njëri-tjetrin, a gënjejnë, a vjedhin. A thonë të vërtetën? A i ndajnë edhe tani pas fesë ,t’i shpijen në kishë? A lexojnë e ç’lexojnë? A i këndojnë këngët e vendit të tyre me qejf, a qeshin, a janë të gëzuar?
Migjenin e preokuponte shumë si përgatiteshin nxënësit në shkollë. Sa prekej kur i flisja për mungesat, sa shqetësohej për fatin e nxënësve të varfër, të dalë nga gjiri i popullit! Dhe çfarë zemërimi e kapte kur i tregoja sa të zbrazur ishin tekstet, sa punë të keqe bënin disa pedagogë prapanikë! Dhe ai
i aprovonte këto dhe vuante.Nuk ishte e rastit që disa nga këta konviktorë, që kishin zënë dorë me Migjenin, i kishin dëgjuar këshillat e tij: Emin Duraku, Hajdar Dushi, Nazmi Rrushiti, Bardhok Biba, e sa e sa të tjerë, bënë edhe jetën fli për një atdhe të lumtur shqiptar…
Serioziteti dhe dëshira për punë qenë cilësitë themelore të poetit tonë me talent të madh. Ai rallë shkonte në kafenera; dhe kur shkonte vinte në ‘’Vatra’’, pronari i së cilës qe një katolik, por klientat, në shumicë ishin punëtorë muhamedanë e ortodoksë. Nga që mbyllej në shtëpi dhe punonte, ndër intelektualët,e sidomos ndër profesorët, qe përhapur ideja sikur Migjeni ish i vetmuar dhe madje pesimist. Po s’ka mendim më të gabuar se këtë! Njerëzit që përpiqen të gjejnë udhë të reja drejt idealeve të larta nuk mund të jenë kurrë pesimistë.
Migjeni nuk ish i vetmuar, as optimist i marrë, as pesimist i mbytur në zi. Ai qe njeri i përmbajtur, zot i vehtes, i arsyes. Mendonte para se të fliste dhe fliste pak e me vënd.
Për ato pak që shkroi, Migjeni punoi shumë.Punoi që ta shkrinte personalitetin e tij burrëror në fjalën e tij të fuqishme. Në një kohë kur sundonte tirania e gjaktë, ’’Vargjet e lira’’ pushtuan dhe gëzuan zemrën e të gjithë rinisë shqiptare.
‘’Vargjet e lira’’ ma pushtuan dhe ma gëzuan zemrën edhe mua,që isha dhjetë vjet më ‘’ i vjetër’’ se Migjeni. Në Shkodër, në shoqëri të Migjenit, u rrita edhe unë me idealet e tij. Prandaj, kur në dhjetor 1935 më lajmëruan transferimin për në Tiranë, më erdhi keq që po linja Shkodrën, që e kam dashur fort, por edhe se do të ndahesha nga Migjeni.
Më parë se t’i linim shëndenë njëri-tjetrit, Migjeni dhe unë bëmë një shëtitje në fushën e Shtojt. Tani që Migjeni më ish imponuar si personalitet i fortë, si talent i fuqishëm, u bëra një nga admiruesit më të zjarrtë të poetit. Këtu për herë të parë ia shfaqa mendimin tim të fundit për vlerën e madhe të veprës së tij dhe e këshillova t’i mblidhte poezitë nga revistat e ndryshme dhe t’i botonte. Dhe Migjeni ma pranoi idenë.(2)
Unë diçka bëra që ta plotësoja zotimin që i dhashë.(3)
Ndoshta mund të kisha bërë më shumë;por rrethanat nganjëherë na pengojnë edhe në dëshirat tona më të zjarrta.Sidoqoftë, në atë kohë ‘’Vargjet e lira’’ shkuan në shtyp dhe fatbardhësisht disa ekzemplarë i shpëtuan censurës e ranë në duar të rinjsh,që i daktilografuan në qindra kopje.
Kjo përpjekje nga ana ime për të botuar ‘’Vargjet e lira’’më 1936 më jep sot një farë ngushëllimi dhe më qetëson,sado pak vetëdijen.Dhe gëzohem kur mendoj se kam qënë miku i poetit shqiptar që na nderon kombin në sy të gjithë botës


(1) Ky artikull është shkruar me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Migjenit në gazetën Drita,24 shtator 1961 f. Shën. i red.P.L..
(2)Shihni: letra e Migjenit dt. 12.1.1936 dërguar Skënder Luarasit.
(3) Historiku i botimit të ‘’Vargje të lira’’, është trajtuar gjerësisht në librin e S.Luarasit ''Migjeni në shtratin e Prokrustit'' që do të botohet së shpejti. ( Shën i red.P.L)



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.