| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Ishte nje lajthishte II E enjte, 21-06-2007, 10:14pm (GMT) Po vallë kush e ngriti, Pemët kush i mbolli? Në rrënjët e tyre Ujin kush e solli? Një shekull më parë Qe veç një lajthi, Rrinte duke qarë Oh, sa kish mërzi! Vinte, shkonte vera, Dimri me flok' bore, Vjeshta flokëarta, Pranvera blerore. Vetëm zogjtë e malit Vinin, cicëronin, Me këngën e tyre Mërzinë ia largonin. Kur një ditë andaj Kaloi një luftëtar, Kish kaq ditë pa ujë, Buza i ish çarë. N'degën e lajthisë Ai e vari shpatën, Që armiqtë t'i trëmbte Ditën edhe natën! Dhe pastaj në trung Kokën e mbështeti; S'dinin zogjtë e gjorë, Vdiq apo shpejt fjeti?! Këngën seç e lanë Thua iku vera, Shkuan në maj' mali Ku kish shtëpinë era. Er' moj erë fryj, Shkunde krejt lajthinë, Po të luten zogjtë, Shpëtoje njerinë! Vu e vu kjo era, Seç u shkund lajthia, N'prehër t'luftëtarit Kokërrat me mija! Po nga lodhja s'dinte Ato çfarë ishin, Se ç'mjaltë e sheqer Brënda tyre kishin! Mori një në gojë, Krrak e krrak e krrak, Po një dhëmb e theu, Goja iu bë gjak. Nuk kishte më forcë, Po vdiste luftëtari, Porsi luledielli Kokën seç e vari. Çfarë të bënin zogjtë? Ran' në pikë të hallit, Fluturim u nisën Tek shqiponja e malit. Shqipe, o moj shqipe, A nuk vjen n'at shkrep, Kemi plot lajthia, Na i the me sqep. Shqipja i dëgjoi Zogjtë zemërmirë, N'qiell fluturoi, Erdhi që pa gdhirë. Qe lodhur shtegtari, Gjumi e kish zënë, N'gjumë pëshpëriste: "Nënë, o moj nënë!". "Më çove fjalë Se ishe sëmurë, Kaptova nëntë male, Pa bukë e pa ujë. Nëntë ditë pa ujë, N'gushtin e përflakur, Se ti, o moj nënë, Jetën ma ke falur!". E dëgjoi shqiponja Tek thynte lajthia, Zemra i gufoi, Ia mbuloi mirsia. Se kush nënën do Është njeri i mirë, Zemrën ka të pastër. E shpirtin e dlirë! E zgjoi nga gjumi, Ia mëkoi me sqep, Kjo ngjau një mëngjes, Në lajthishtë, mbi breg. Nuk hëngri një kokërr, Hëngri shumë, shumë, S'kish më as uri, S'i vinte më gjumë. Falnderoi lajthinë, Zogjtë falnderoi, Shqiponjën e malit Fort e përqafoi. Dhe erën e mirë Që at' shpat e veshte, Por ç'e do luftëtarit Buza nuk i qeshte. Atëherë shqiponja E foli një fjalë: "Eja, o njeri, N'krahë hip, o djalë! Të çoj unë tek nëna, Të çoj tek shtëpia, Djal' s'të ka veç nëna, Të ka dhe liria! Me këmbë të përgjakur, Ti nuk ecën dot... U përmend luftëtari, Seç i shkau një lot. Oh, veç ta shikonit Si bleroi lajthia, Porsi zile tundeshin Kokërrat me mija! Hidhnin valle zogjtë, Ëmbël cicëronin, Shqipen e luftëtarin N'qiell i shoqronin. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||