Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 04:44am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
 » Shaban Cakolli
 » Sanije Myrtaj
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Stavri Pone
 
Lotët e Trëndafilit - Fragment I
E premte, 22-06-2007, 05:30pm (GMT)

Dola nga burgu më 17 mars 1991, ditën e enjte, dhe në darkë vonë mbërrita në qytetin tim, në shtëpinë time në lagjen 1 Maji, ku isha lindur, kisha kaluar fëmininë, adoleshencën dhe vitin e parë të martesës. Pjesën tjetër të kohës, deri kur më arrestuan, e kisha kaluar në fakultet dhe në shtëpinë e tezes sime, Zogës, që unë e ime motër Flora i thoshim jajë.

Unë, libert (1) i shekullit të 20-të, i mbijetuar i fshesës së hekurt të spastrimit komunist, vija nga burgu gjysmë i çmendur. Hiq para-burgimin, gjithë kohën e burgut, 10 vjet e 3 muaj, që ishte më pak se gjysma e kohës së dënimit tim total prej 22 vjetësh bashkë me ridënimin, e kisha vuajtur në një kamp në thellësi të maleve në Veri. Si i ridënuar më duhej të bëja edhe 12 vjet të tjerë. Babi dhe jaja kishin vdekur kur isha në burg.
(1) skllav i liruar

Nuk e harroj atë natë kur vura këmbë sërish në qytetin tim pas kaq vitesh. Kur zbrita nga autobusi më priste Flora me të shoqin, Nardi Sofronin, dhe desha të shkoja te shtëpia e jajës, po Flora më tha me lot në sy se ajo nuk ekzistonte më, e kishin prishur dhe në vend të saj kishin ndërtuar një kopsht fëmijësh, kështu që kot të shkoja. Gati ulërita, më theri në zemër, më plagosën ciflat e kujtimeve për të dhe u nisa të shkoja, doja të shihja se mbase kishte mbetur diçka prej saj, një pjesë gardhi, ose akacia. Po akacia? pyeta Florën duke britur dhe ajo më pa me shqetësim. Akacia? mërmëriti. Ç’rëndësi ka akacia? Nuk ka rëndësi, po dua ta di: është apo e kanë prerë. Nuk e di, tha e pasigurt, më duket se është.

U gëzova dhe ndjeva të më rigonin lotët faqeve deri në mjekrën e dendur, që kishte filluar të thinjej. Të paktën të ketë shpëtuar akacia, lutesha me vete, dëshmitarja e heshtur që më ishte ngulur thellë në shpirt, që lidhej me diçka të shenjtë, anën e jashtme të së cilës Flora e dinte, po jo të brendshmen, se njeriu ka edhe një anë të brendshme thellë qenies së tij, që e quan në fshehtësi tempull, altar, që nuk shembet kurrë çfarëdo shembjeje t’i ndodhë objektit që lidhet me të dhe akacia, bukuroshja ime, që më ishte shfaqur në pamjen e saj reale përpara syve edhe në burg, edhe në kthjelltësitë e çmendurisë sime, dhe që kishte qenë e vetmja gjë që më ngushëllonte, mbase kishte mbetur. Kisha besuar se një ditë do ta shihja dhe pamja e saj do të bënte çudinë, do të më shëronte nga makthet dhe turbullirat e mia.

Iu binda Florës dhe nuk shkova të shihja mungesën e shtëpisë së jajës, por, bekuar qoftë, atje qe ngritur një kopsht fëmijësh dhe lutesha që ata fëmijë të mos përjetonin kurrë dhimbje si të miat, që historitë si imja t’i mësonin vetëm nëpër libra, le t’i quanin edhe përralla, po veç të mos e njihnin vuajtjen nga diktatura.

Flora dhe Nardi më kapën nga krahët dhe morëm rrugën e shtëpisë, çka e kuptova se po ecnim mbi urën që lidhte sheshin përpara bankës me rrugën e Patosit. Nardi mbante thesin tim të vogël, të ronitur e të ngrënë, që kishte brenda çikërrimat që i kisha përdorur në burg si dhe atë palo thesar, që mezi e kisha shpëtuar - Biblën e atë Palit dhe bllokun me esetë që kisha shkruar në burg e që do të më vinte keq po të më kishte humbur.

I hodha një sy Florës, fytyrën e bukur të së cilës ma shfiguronte perdja e lotëve. I kishte ikur freskia e dikurshme, megjithatë mbahej, ishte po ajo fytyrë e dashur, me sy të mëdhenj, të zes, me hundën të hollë e të harkuar hijshëm, paksa majuce, me buzët e plota që vetëm dinin të qeshnin, pastaj pashë nga Nardi, babaxhan burrë, i urtë e i qetë, me flokët bojë kashte me onde të shtruara me zor, me sytë e përhimët e me atë zërin buçitës që i magjepste spektatorët kur dilte në skenë.

Kur po i afroheshim shtëpisë Flora më tha se me ardhjen e demo-kracisë e kishin marrë prapë në punë si aktore në teatrin e qytetit, çka më gëzoi pa masë. E ndieja veten fajtor: për shkakun tim kishte vuajtur shumë, jo vetëm ajo, por edhe familja ime. Prindërit vërtet nuk i kishin nxjerrë nga puna, mamanë e lanë në punën ku kishte qenë, kuzhiniere në një kopsht fëmijësh të lagjes, dhe babin hidraulik në Komunale. Si rregull duhej t’i kishin internuar, t’i kishin degdisur në ferma a kampe të internuarish, po nuk e kishin bërë dhe nuk e di pse. Vetëm Florën kishin hequr si aktore, kurse Nardin jo. Kishte raste kur diktatura tregohej disi e mëshirshme, me siguri për të mirën e saj, jo të njerëzve, për ta zbutur sadopak imazhin e llahtarshëm të egërsisë për të cilën me siguri ishte më se e vetëdijshme.

Po binte muzgu kur mbërritëm në shtëpi, në shtëpinë e fëminisë dhe të rinisë sime të parë, ndërtuar në faqen e kodrës, në një pjerrinë të butë nga ku hapet një peizazh i mahnitshëm që edhe natën të rrëmben me magjinë e tij, ku shtëpitë matanë rrugës së Patosit, ashtu të vogla e të strukura mes pemëve e hardhive, por edhe të mëdhatë, disa pallate të ndërtuar rishtazi, që para burgimit tim nuk ekzistonin, të ngjallnin në shpirt ndjenjën e jetës, sidomos shtëpitë me kopshte, ah, dy njerëzit e parë të botës në kopsht kishin jetuar dhe ndoshta prej tyre e trashëgojmë genin e përjetshëm transhendental1, parahistorik, të dashurisë për gjelbërimin, për një fije bari, për një gjethëz të njomë, dhe mbi ato shtëpi nuk kishte gryka armësh, nuk flinte vdekja e gatshme të zgjohej në çdo çast, dhe qielli atë natë marsi, për fatin tim të mirë, ishte plot me yje, jo yje burgu, mëshirues, që ndonëse të paburgosur na dukeshin të tillë, të dënuar edhe ata, po një qiell i lirë, jo vetëm pse kishte ardhur demokracia, por sepse unë po jetoja me harmoninë e vërtetë të natyrës, me paqen e saj qiellore që të krijonte në shpirt një ndjenjë prehjeje, nirvanën e ëndërruar prej vitesh, dhe tek pashë atë qiell të lirë nga kopshti i shtëpisë sime, i bukur dhe ai, po jo sa kopshti i jajës, i thadruar thellë në një cep të zemrës sime, u mbusha me ngazëllim dhe sikur erdha pak në vete, se çmenduria më shoqëronte në çdo çast dhe më flakte pa mëshirë jashtë realitetit.
(1) që kalon përtej ideve të zakonshme, njohuri intuitive që nuk lidhet me përvojën konkrete

Shtëpia ngrihej mbi tarracën e sipërme - oborri ynë kishte edhe një tarracë të poshtme - përtej pemëve frutore dhe një pjergulle të madhe, kishte dy dhoma e një kuzhinë, të mëdha e plot dritë, ishte mbi një metër nga toka, me bimsa poshtë dyshemesë, me një palë shkallë të jashtme çimentoje me shtatë shkallare, me parmakë betoni anash të derdhur në formë të bukur, me një verandë të gjerë plot me lule, dhe në verandë më priste mamaja ime, Diella, me sytë e përshkënditur si me rreze diellore, siç kishte emrin, kurse babi, Thomai, kishte kohë që prehej në varreza në Mbyet, dhe u drodha tek pashë mamanë aq të thinjur, aq të vogël, me ata sy mrekullisht të dashur e të ëmbël, në ngjyrë të bruztë në të gjelbër, sytë e mamasë sime që ishin pasqyra e shpirtit të saj të pastër, dhe m’u hodh në krah e më tha, Tori, shpirt! U përqafuam, e putha me mall e i pëshpërita, Mama e dashur, e ëmbla ime, shqiptaro-malazezja ime, shyqyr që të gjeta gjallë e shyqyr që arrite të më shohësh gjallë, se mund të mos më kishe parë më kurrë, vdekja më ka kaluar aq shpesh pranë, këto i thashë me vete, jo asaj, po fati deshi të më ruante që të më shihje ti, të shihje djalin tënd të vetëm që t’u kthye në shtëpi, jo krejt i shëndoshë, me mendjen të gjysmuar, gjysma e tretur diku, nuk dihet se ku, ndoshta labirinteve të mistershme të trurit si të galerive të nëndheshme ku punova dhjetë vjet si skllav.

Hymë në shtëpi e bëra dush. Ah, duart e arta të babit, sa mirë e kishin ormisur atë dush, më çlodhi e ndjeva njëfarë qetie dhe shkova në kuzhinë i veshur me rroba të lara, të buta, të ngrohta, të njomura me dashurinë e nënës sime, me lotët e saj gjatë mungesës sime të gjatë e prapë iu hodha në qafë dhe e puthja papushim dhe e përkëdhelja si fëmijë, gjithnjë e kam përkëdhelur mamanë, siç përkëdhelja edhe jajën, Zogën, motrën e saj plakë, trimëreshën, dukeshën, atë zonjë grua, që edhe ajo s’është më, po që më kishte dashur si bir dhe e kisha dashur si nënë.

Flora me Nardin ndenjën deri vonë e po ashtu xhaxhi Vasili me të shoqen, Lenën, grua shpirtnjeriu, së cilës i thoshim nao. Nuk e di pse në fisin tonë përdornim ca emra të veçantë se, për shembull, edhe gjyshes nga nëna i thoshim majë dhe gjyshes nga babai dadë. Pyeta xhaxhi Vasilin dhe naon pse s’i kishin marrë fëmijët të më takonin, kishin një vajzë e dy djem më të vegjël, dhe më thanë se djemtë ishin në Greqi, në emigracion, kurse vajza ishte martuar në Shkodër.

Xhaxhi Vasili kishte ende atë pamje të sikletosur si dikur - ishte komunist ai, qe prekur në sedër kur nipin e kishin futur në burg për politikë, për agjitacion e propagandë, çka kishte shkaktuar rrëmet në tërë fisin, po ai kishte meritat e veta, kishte marrë pjesë në Luftë që 17 vjeç, kishte luftuar trimërisht dhe burgimi im nuk e kishte cenuar fare emrin e tij të mirë e të panjollë si komunist, madje vazhdonte të ishte jo thjesht komunist, po enverist i flaktë, megjithatë iu shmang bisedave politike. Kurse naoja më shikonte me dhembshuri dhe hera-herës fshinte sytë. Më donte shumë, më kishte dashur që i vogël dhe ishte e lumtur që më shihte gjallë, por pikërisht atë çast, teksa po i përgji-gjesha me buzëqeshje ngrohtësisë prej nëne të naos dhe sytë më ishin rrëmbushur nga një perde lotësh, tek shihja fytyrat e njerëzve të dashur, rrezëllimin e gotave, reflekset e pijeve në to, ca pikla të derdhura në një pjatë e teksa dëgjoja tringëllimën e lugëve e pirunjve, se Flora kishte përgatitur vërtet një festë, më zuri ajo kllapia e mallkuar dhe u mërgova nga gjithçka, u ktheva në gjendjen time të mjerueshme, e gjeta veten në galeri tek mbushja vagonin me mineral nën dritën verdhane të llambës me karbit dhe një polic harbut mustaqexhufkë më godiste ligsht me një shkop gome në sup e dhimbja ma çante trupin më dysh dhe duhet të kem bërtitur, Mos, ju lutem, Mos më goditni, zoti polic, e mbusha vagonin, ja, nuk merr më, por mustaqexhufka syegër vazh-donte të më godiste, më godiste edhe brigadieri i punës, ai i liri, jo ai i burgosuri, dhe unë vazhdova të bërtisja e të rënkoja me sy të terratisur.

Më vonë Flora më tha se ajo, Nardi dhe xhaxhi Vasili më kishin çuar në dhomë, më kishin dhënë të pija një qetësues, kishin thirrur urgjent mjekun psikiatër, Abazin, shokun tim, po kur mbërriti ai unë ndodhesha në gjumë të thellë. Abazi kishte qëndruar rreth një orë në kuzhinë se mos zgjohesha, kishte lënë një recetë e kishte thënë se do të vinte të më shihte përsëri të nesërmen.

Qetësuesit e bënë punën dhe fjeta deri në drekë. Mamaja kujdesej për mua si atëherë kur isha fëmijë, me po atë merak të tepruar kur më ndiqte pas për të mbaruar së ngrëni pjatën duke më treguar diçka që të më tërhiqte vëmendjen, Tori, shpirt, e shikon atë zogun?, e hëngri farën, hape gojën edhe ti si zogu, dhe unë e hapja dhe ajo më fuste lugën e vogël në gojë. Pale kur vritesha gjatë lojës apo rrëzohesha e bëhesha me gjak, se kam qenë fëmijë i lëvizshëm, ajo alarmohej, kurse babi, kur ndodhej në shtëpi, se zakonisht kthehej vonë, kur unë isha në gjumë, vinte buzën në gaz e i thoshte mamasë me qetësi apostolike se fëmijët kështu e kanë, edhe do të vriten, ndryshe nuk forcohen për t’u bërë burra, dhe kishte të drejtë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Lotët e Trëndafilit - Fragment II (22-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment III (21-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment IV (19-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment V (15-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VI (14-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VII (11-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VIII (10-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]