Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 05:18am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
 » Shaban Cakolli
 » Sanije Myrtaj
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Stavri Pone
 
Lotët e Trëndafilit - Fragment II
E premte, 22-06-2007, 05:28pm (GMT)

Mamaja po kështu edhe tani, ndonëse tani kishte më shumë arsye për t’u shqetësuar – s’isha më i pari, ai djaloshi i qetë me atë të folur të matur, me arsyetime të kthjellëta e shpesh me humor, i dashur e i sjellshëm, por një tjetër i shpërfytyruar, një 41-vjeçar i dërrmuar jo aq fizikisht, se muskujt e trupit më qenë forcuar dhe trupin e kisha të drejtë si kavak, thoshte ajo, por mendërisht, që shndërrohesha në hijen e vetvetes, e kyçja gojën për orë të tëra dhe shëtitja nëpër kopshtin tonë të pjerrët, me dy taraca, të mbytur nga gjelbërimi, sidomos në verë, duke statujëruar ose duke folur a me vete, a me zogjtë, a me gjethet e pemëve.

Shihja sesi mamaja dilte pa u ndier në verandë apo zbriste shkallët e më kërkonte me sy, nganjëherë më afrohej e më drejtohej me fjalë të buta, mikluese, që të hyja brenda dhe unë vëreja fytyrën e saj të plakur, shtëllungajën e flokëve të saj të thinjur që rrethonte atë fy-tyrë aq të bardhë e të bukur dikur, aq fisnike e të ëmbël, krejt e ndryshme nga ajo e së motrës, Zogës, që nuk shquhej për tipare të bukura, po të rregullta e disi të ashpra, autoritare po gjithsesi fisnike, prej dukeshe, i tho-sha unë me shaka, dhe ajo qeshte, me siguri pa e kuptuar fjalën dukeshë.

Një herë nuk iu binda mamasë, por i sokëllita ashpër, Më lër rehat! dhe ajo më tha me përvuajtje, me përdëllim, me një vigmë të thellë së brendshmi, duke më parë me sy të mugullt, Je shuplakur, bir, të bëftë Zoti derman, e m’u dhimbs. U shkitha e iu binda, ika nga oborri e hyra në dhomën time, të rinisë së parë e më pas të martesës, mbetur e pandryshuar që kur qeshë futur në burg, një dhomë si muze trishtimi, me krevatin e madh dopio me ballin bojë arre të zbukuruar me llojlloj figurinash që i kishte vendosur ish-ime shoqe, Margarita ose Giti, siç i thërrisnin që fëmijë, me komodinat në të dyja anët e ballinës ku mbaja libra të profesionit tim, fletore shënimesh, jo fletoret e Shënimeve që më kishin konfiskuar në prag të arrestimit, me vendin bosh ku dikur qendronte krevati i vajzës sonë, po që pas martesës së Gitit me Saimirin, kur unë isha në burg, Giti e kishte marrë me vete, të vetmen gjë që kishte marrë, veç sendeve vetjake të saj, dhe tryeza e saj e tualetit ishte ende në vendin e vet, por pa bizhutë farfuritëse, shishkat, kutijat e kremrave, fondatinës, rimelit e gjithfarë tubetash, furçash, gërshërësh, pincetash e kësi çikërrimash, pa reflekset e tyre që ende më vizëllonin në sy, sidomos farfuritjet e pasqyrës së bukur vezake ku ajo rregullohej si aktoret përpara daljes në skenë, dhe unë iu afrova pasqyrës instinktivisht, sikur do të gjeja në të një pjesëz të mbetur nga imazhi i fytyrës së saj të bukur që shihja sa herë i thosha diçka përpara se të dilnim së bashku, i flisja fytyrës së saj në pasqyrë pa parë në të fytyrën time, një komunikim herë i këndshëm e herë i tensionuar kur ajo vonohej, se gjithnjë vonohej kur bënte tualet.

Qëndrova gjatë përpara pasqyrës, i vetmi kujtim që më lidhte aq shumë me Gitin, çuditërisht më shumë edhe se krevati ku kishim bërë aq herë dashuri si të dalldisur, por krevati nuk më rikthente aq në të shkuarën ndoshta sepse kishim bërë dashuri edhe në shtëpinë e saj, edhe në vende të tjera, dhe vetëm pasqyra më solli mizorisht në kujtesë fytyrën e saj dhe vendosa ta heq.

Iu futa punës, e hoqa dhe sikur u çlirova nga një makth. Tani do ta përdorja si skrivani ku do të vazhdoja të shkruaja Shënimet e mia të kohës përpara burgimit, do të thellohesha në to, por edhe në esetë e burgut e ndoshta do të shkruaja edhe të tjera.

Po sa herë ulesha në tryezë mezi më bëhej të shkruaja dhe stilolapsi më ngecte, mendimet më dilnin të thata, letrat i bëja shuk e i flakja në kosh. Më duheshin Shënimet e dikurshme, ndoshta do të nxitesha prej tyre për të shkruar gjëra që të kishin njëfarë vlere. Shënimet ishin kopja e atyre që më kishin konfiskuar kur më kishin arrestuar dhe që, disa javë përpara arrestimit, i kishte shtypur Rajmonda me Olivetti-n tim. Por ato ndodheshin në shtëpinë e Pilo Dhimoleut, kushëririt të mamasë, që i kishte fshehur në bufenë e shtëpisë së tij. Kështu që një ditë shkova në shtëpinë e tij për t’i marrë. Piloja kishte vdekur, kurse e shoqja, Sandra, kishte shkuar tek i biri në Greqi. Në shtëpi gjeta Frosinën, vajzën e tyre shurdhmemece, që ishte martuar dhe banonte atje me të shoqin, një burrë i shkurtër, i zeshkët e i thatë. Ajo m’u hodh në qafë dhe qau. E kuptoi se kisha shkuar për shkrimet e mia, u mor vesh me shenja me të shoqin dhe ai hapi bufenë në vendin që i tregoi ajo. U ngazëlleva kur pashë Shënimet dhe fletoret me poezi të Marinës, paksa të zverdhura nga koha, por krejt të lexueshme.

Një ditë tjetër i thashë mamasë se do të shkoja të shihja vendin ku dikur kishte qenë shtëpia e jajës. Nuk më rrihej pa shkuar te vendi i një shtëpie të dashur, të vogël, të fshehur mes një kopshti magjik që më qe thadruar thellë në zemër. Mamaja më tha të më shoqëronte, po ia preva ashpër, Do të shkoj vetëm! Më qe bërë fiksim akacia: ishte ende atje, apo e kishin prerë.

Ecja trotuarit të rrugës Enver Hoxha, rruga kryesore e qytetit, nuk di nëse quhej më ashtu ajo rrugë, me kokën të ulur që të mos takoja ndonjë të njohur. Pas ndonjë gjysmë ore u ndala. O Zot, mezi arrita të orientohesha. Gjithë lagjja Belik, lagjja e jajës, kishte ndryshuar dhe nga shtëpia dhe kopshti i saj nuk kishte mbetur asnjë gjurmë; edhe gardhi ishte zhdukur dhe në vend të tij ishte ndërtuar një mur me kangjella. Përtej murit dukej një ndërtesë dykatëshe: kopshti i fëmijëve. Ende pa mbërritur atje ngriva në vend: akacia nuk dukej kurrkund.

Kaptova portën që binte nga ana ku dikur ishte shtëpia e Athinasë, kunatës së jajës, që edhe ajo ishte prishur, hyra në oborrin e kopshtit dhe hodha sytë te vendi ku akacia ngrihej dikur aq e bukur. Vetëm trungu kishte mbetur përkëtej murit me kangjella, ngjitur me të, as një pëllëmbë mbi tokë, me nja dy filiza të blertë anash.

Sa nuk u çmenda nga dhimbja. U ula e putha tokën, putha edhe trungun e akacies dhe u gërvishta në faqe nga gjembat e filizave. Pastaj ngrita sytë lart, te dritarja e pallatit ku dilte Ajo. Ishte e mbyllur, me kortinka të bardha, dhe rrezet e perëndimit përthyheshin në qelqet e saj si të përgjakura. Ishte e vetmja gjë që kishte mbetur si dikur. Për mua nuk ishte thjesht një dritare, por simbol ngazëllimi e dhimbjeje. Mbeta gjatë duke e vështruar dhe disa nga fëmijët e kopshtit, që ishin në oborr, më shihnin me habi, nuk kuptonin pse ky xhaxhi me mjekër rrinte si i ngrirë, me kokën lart…

Dy ditë nuk e mora veten nga tronditja. Më mirë sikur Flora të më kishte thënë që atë natë kur erdha se edhe akacien e kishin prerë. Po ku e dinte ajo se ç’ishte akacia për mua? I përmbytur nga një dallgë malli gjeta poezinë që kisha shkruar dikur për akacien, e lexova dhe sikur u lehtësova. Mirë që më kishin mbetur të paktën ato vargje për të, të mira a të këqia, pak rëndësi kishte. Se mos do ta botoja poezinë.

Me gjithë dhimbjen që më shkaktoi pamja që më qe shfaqur para syve - mungesa e kopshtit të dashur dhe e akacies - ato ditë pata momente kthjellimi e nisa të shkruaja. Po me shumë zor, gati me dhunë, dhe shumicën e fletëve i hidhja në kosh.

Kur lodhesha së shkruari, e lodhesha kot, se mendja s’më pillte asgjë për të qenë, lexoja. Lexoja me atë shpejtësinë fantastike që më qe shpifur në burg pas traumës që kisha pësuar dhe që kishte lënë pa mend Pirro Angjelin e të tjerët, përveç Bedri Myfitit që kishte thënë se s’kishte asgjë të habitshme: isha bërë tamam si një gazetare dhe poeteshë e shquar, të cilën ai e kishte pasur kolege dhe e njihte prej vitesh. Më shumë lexoja libra që i kisha në bibliotekën e shtëpisë, po ndonjëherë dilja në qytet e blija ndonjë të ri. Shumica e librave të rinj ishin nga autorë të huaj dhe përherë e më shumë po dilnin në shitje libra që dikur ishin të ndaluar. Blija rrallë e tek, nuk ma mbante xhepi për më shumë, se isha i papunë dhe jetonim vetëm me pensionin e mamasë e me njëfarë ndihme simbolike që më jepte Komiteti i ish-të Përndjekurve Politikë. Kishim dhe ca para që babi i kishte vënë në librezën e kursimit e po ashtu edhe ca të tjera që jaja, para se të vdiste, ia kishte lënë mamasë, por ato i ruanim për ditë të vështira dhe e hiqnim hollë, kështu që me gjithë dëshirën e madhe, pak libra bleva. Nganjëherë shkoja në bibliotekën e qytetit e lexoja, lexoja një libër brenda gjysmë ore dhe e vija në vend për të marrë një tjetër, aq sa punonjëset që shërbenin, dy gra të sjellshme, habiteshin me mua, kujtonin se lexoja vetëm faqet e para dhe ngaqë libri nuk më pëlqente, merrja një tjetër.

Një ditë, kur u ndodha vetëm me to, u thashë se i lexoja librat deri në fund dhe isha gati të riprodhoja saktë përmbajtjen e tyre, po nuk më besuan. Më provoni u thashë, por ato këmbyen ca shenja me shoqja-shoqen e më thanë, Një herë tjetër. Nuk donin të më provonin, madje sikur u frikësuan. Si të doni, u thashë. Por ta dini që nuk është defekt, por funksionim i veçantë i trurit tim. U thashë fjalët që Bedriu i kishte thënë Pirro Angjelit për mua kur ishim në burg.

Njëra nga punonjëset më tha se më njihte, por Ah, sa keni ndryshuar!, tha, dhe ofshajti. Keni qenë ndër gjykatësit më të mirë, keni gjykuar edhe një çështje civile timen. Mua nuk më kujtohej dhe i thashë, Burgu më ka shuar nga mendja shumë gjëra, zonjë e dashur, dhe u ktheva nga rafti i librave, por e ndieja që sytë e saj më ndiqnin me pikëllim. Jo vetëm nuk kishte besuar se lexoja me shpejtësi fantastike, po me siguri kujtonte se burgu më kishte fshirë nga mendja edhe shkronjat. Kush i beson një ish-të burgosuri si unë, kur fjala se vija nga burgu me një dërrasë mangut kishte marrë dhenë?


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Lotët e Trëndafilit - Fragment III (21-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment IV (19-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment V (15-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VI (14-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VII (11-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VIII (10-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]