Në qytet u shmangesha të njohurve, ndërroja rrugë, rrëbythesha ose bëja sikur nuk i shihja, po kur s’kisha nga t’ia mbaja detyrohesha të bëja një copë herë muhabet me të njohurin duke u përpjekur të fshihja çekuilibrin tim, nuk doja ta merrte vesh njeri që nuk isha në rregull nga burgjitë e kjo më torturonte.
Një ditë pashë Jorgjin, ish-vjehrrin tim, ish-Kryetarin e Gjykatës dhe ish-shefin tim, qe plakur e thinjur, po prapë mbahej, i pashëm se i pashëm kishte mbetur. E pashë kur doli me një tjetër nga një klub teksa unë ecja me nxitim me çantën të mbushur me libra në bibliotekë. Nuk pata kohë t’i shmangesha dhe u përballëm.
Më pa si i shushatur e ngriu në vend pa m’i ndarë sytë, si të donte të bindej nëse isha vërtet unë. Ktheva kokën nga ai dhe me një gjysmëbuzëqeshje i thashë, Shoku Jorgji apo zoti Jorgji, si t’ju thërras? Ai sikur u tkurr dhe ktheu fytyrën nga tjetri me njëfarë gjestikulimi vetëmbrojtës. A jeni më shkop në dorën e drejtësisë socialiste, shoku Jorgji, meqë socializmi juaj ende vazhdon me Partinë tuaj të ndritur Socialiste? Viktor, ende te politika e ke mendjen?, ma ktheu me të butë dhe pashë se vështrimi iu err nga brenga. Më kishte dashur shumë, isha i bindur për këtë. Dhe ishte shpirtmadh. Ishte ndër të rrallët njerëz shpirtmëdhenj që kisha ndeshur në jetë. Pse nuk vjen të të përqafoj?, më tha dhe u nis drejt meje. I bëra shenjë me dorë të mos më afrohej. U ndal në vend dhe pashë se u përlot. Nuk e kisha parë kurrë të përlotej kur punoja me të, edhe pse kishte shpirt të ndjeshëm. Nuk m’u dhimbs, sepse ende ndodhesha nën furinë e tërbimit dhe të ironisë, duke e llogaritur edhe atë ndër keqbërësit e mi, që s’ishte. Megjithëse tani kemi pluralizëm, vazhdova unë si i ndërkryer, ai dajaku i drejtësisë suaj socialiste ende e godet drejtësinë njerëzore, apo ajo më në fund shpëtoi prej tij?
E kisha rënduar shumë, por nuk bëri kurrfarë vetëmbrojtjeje, vetëm se hapi krahët në shenjë malli a pafuqie dhe më pa në sy me një si ndjenjë pendese, nuk e di. Më vjen vërtet keq për ty, Viktor, më tha. Po edhe ty duhet të të vijë keq për ne. E kishte fjalën për vete dhe për të bijën, Margaritën. Se të kemi dashur, vazhdoi. Kurse ti... Desha t’i thosha se unë vërtet kisha gabuar, por gabimi i tij dhe i së bijës kishte qenë ku e ku më i madh se gabimi im. Sidomos gabimi i tij. Më saktë, i pushtetit që përfaqësonte ai. Sepse calikun e mendjes sime të kthjellët e kishte shpuar thika e mprehtë e diktaturës së tij dhe ai, sigurisht, do të rridhte, do të kullonin prej tij mendime apokrife, të kundërta me të tijat, do të dilnin në shesh e do të dënoheshin. Por nuk i thashë asgjë nga këto. U ktheva e vazhdova rrugën.
Në mars të vitit 1992 u bënë zgjedhjet parlamentare ku morën pjesë disa parti politike. Unë votova për demokratët, të cilët fituan. Lufta politike u zhvillua e ashpër, për herë të parë u përmbys edhe juridikisht një sistem shtypës totalitar. U gëzova që fitoi demokracia liberale. Por kisha bindjen se lufta politike do të vazhdonte e ashpër edhe në të ardhmen, sepse sistemi komunist kishte rrënjë të thella dhe shumë nga ata që hiqeshin për demokratë ishin komunistë nën maskën e demokratit, ujq me lëkura qengjash. Uroja të mos rikthehej prapë diktatura e çfarëdo ngjyre, të mos ndryshonte struktura bazë e shtetit, konstitucioni i tij, të mos ngrihej më një partitokraci e re, të qëndronin shtyllat themelore të shtetit, liritë e individit, prona private, pluripartitizmi, e drejta e besimit fetar e shumë të tjera. Partitë vijnë e ikin, po mos qoftë thënë që partia në fuqi të ndërtonte një sistem të ri diktatorial. Të paktën jo komunist, uroja me vete. As fashizmi nuk i zhduku të gjitha liritë e individit, nuk preku as pronën private as fenë, dhe lejoi njëfarë dinjiteti të njeriut në poshtërimin total që i bëri atij. Kurse komunizmi e ktheu njeriun në qenien parake duke e atrofizuar fizikisht dhe duke e zhveshur shpirtërisht.
Qëndrova në shtëpi nën kujdesin e mamasë e të Florës, që vinte shpesh të më shihte, derisa një ditë as ilaçet e Abazit, që i pija rregullisht, nuk e ndaluan dot sëmundjen time të shpërthente. Aty nga fundi i qershorit 1992 Abazi erdhi me autoambulancë e më tha se do të më çonte në Tiranë për kontroll. I tha mamasë të mblidhte disa ndërresa të lara për mua, shami hundësh, furçën dhe pastën e dhëmbëve, peshqir, një triko e ca gjëra të tjera dhe e kuptova se nuk ishte fjala thjesht për kontroll, po për t’u shtruar në spital.
Rrija ulur në kolltuk urtë, nuk flisja, shihja mamanë dhe Florën tek bënin ecejake nëpër shtëpi duke mbledhur plaçkat e mia dhe hera-herës kryqëzoja shikimin me mamanë, që i kishte sytë të ujitur, i dridheshin lotët në qerpikë dhe rrudhëzat rreth syve sikur iu shpeshtuan dhe pastaj çdo gjë ishte gati.
Mamaja doli te porta, ku priste ambulanca, më puthi në të dyja faqet, më lagu me lot, kurse unë nuk e putha, se për një çast m’u duk e huaj, e largët dhe e kotë. Për kë kam nevojë unë e kush më qëndron në krah, thashë me vete si idiot, duhej të ishte Ajo aty që të më përcillte dhe duket këtë fjalë e thashë me zë dhe mamaja u trondit. Harroje atë, bir, më tha. Nuk pata kohë t’i përgjigjesha, se ndjeva dorën e Abazit të më tërhiqte butë, më hipi në makinë e u ul pranë meje. Donte dhe Flora të hipte pranë meje, por atë e zinte makina dhe Abazi i tha të hipte përpara, me shoferin.
Në kohën që makina po nisej, unë hapa derën, dola jashtë pa u ndier dhe qëndrova në anë të rrugës. As Flora, as Abazi e as shoferi i ambulancës, madje as mamaja, që ende qëndronte përpara portës, duke fshirë sytë me shami, si i kullonin lotët, të shkretës!, nuk thanë gjë, më shihnin e nuk flisnin, dhe unë pashë se si ambulanca largohej pa mua, kurse për mua qe nisur, dhe vazhdova rrugën i qetë drejt pjacës. E kisha vendosur se ku do të shkoja: në fshatin e Saj. Të takoja Atë, për të cilën më kishte piktisur malli aq shumë, kisha njëmbëdhjetë vjet pa e parë, pa i prekur duart e pa kredhur sytë në sytë e saj. Ah, le të thonë ç’të duan për dashurinë, po unë them se mbi të gjitha ajo është kredhje në sytë e atij që dashuron, ky është çasti më sublim i dashurisë, është porta që hap ëmbëlsinë dhe magjinë e saj, e pastaj vijnë puthjet e përqafimet dhe marrëzia e seksit e gjithçka tjetër, lotët dhe kujtimet, dhe kishte kaluar një kohë tmerrësisht e gjatë që kur nuk kisha bërë një kredhje të tillë në sytë e saj.
Shkova te vendi ku rrinte taksia e jevgut, e atij që më kishte çuar edhe herë të tjera në atë fshat të largët buzë Vjosës, afër detit. Ishte në ngjyrë të zezë ajo, por pashë se nuk ndodhej atje dhe vendosa të prisja duke uruar të mos kishte shkuar në ndonjë qytet tjetër, po si zor, se tani njerëzit udhëtonin më shumë me mikrobusë, ose furgona, siç u thoshin tani, megjithëse furgonat, me sa dija unë, janë për mallra, po nejse, se edhe njerëzit fundja mallra janë, dhe atë kohë desh bërtita nga gëzimi, sepse pashë jevgun, taksixhiun, që ndaloi taksinë, që nuk ishte e zezë, por e verdhë. Ai zbriti nga vetura e nisi të merrej me gomën e parë. Iu afrova dhe mbeta në vend si i goditur nga rrufeja: taksixhiu ishte rinuar në mënyrë të pabesueshme, ishte bërë një djalë njëzet e pesëvjeçar, nga pesëdhjetë e ca që kishte qenë përpara njëmbëdhjetë vjetësh.
Ia ngula sytë e po e shihja i çmeritur, më vuri re e më tha, Doni të shkoni kund, zotëri?, por unë rrija si i ngrirë. Kisha lexuar në përalla se njeriu mund të vdesë e të ngjallet, ose të rrijë përjetësisht i ri, si Fausti, po që të rinohet, të kthehet pas në kohë, këtë nuk e kisha hasur. E pyeta, Ai që ke qenë je, apo gabohem? Nuk më kuptoi, ose kujtoi se i thashë, Me atë taksi je akoma?, dhe m’u përgjigj, Jo, e kam ndërruar, kam blerë një të re, se e vjetra kishte marrë fund. Desha t’i thosha edhe një herë, Mor po a je ai taksixhiu i dikurshëm, jevgu, i vetmi jevg me taksi në qytetin tonë?, por e lashë e i thashë, Dua të shkoj në filan fshat. E dinte se ku binte, hipa dhe u nisëm. Kur mbërritën në Qafën e Koshovicës u kujtova që nuk kisha asnjë lek me vete dhe u tmerrova. Ndale, ulërita. Ndale! Më pa me habi e frenoi, nuk e kuptoi ç’më kishte ndodhur. I shpjegova si ishte puna e më tha me ton të butë, me vështrim të qeshur, Për këtë shqetësoheni, z. Gjykatës? Në s’keni sot, m’i jepni kur t’i keni, se im atë, rahmet pastë, ju respektonte, madje krenohej që kishte një njeri të njohur si ju, ju quante mik, dhe pashë se u përlot. Ah, brita me vete, jevgu nuk paskesh qenë ai i dikurshmi, por i biri, ishte Jevgu i Riu, jo Jevgu Plaku, se plaku kishte vdekur e u ftillova. Më vjen keq, i thashë, ngushëllime, nuk e dija që paska vdekur. Vdiq vjet, tha djali. Dhe zanatin e tij e mora unë. Të të ketë lënë uratën, o bir, i thashë. Edhe bekimin për të bërë pak prokopi, se ai i ziu mezi e përballonte jetën. Pashë se u prek dhe fshiu një pikë lot.