Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 09-07-2008, 05:36am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
 » Sami Frashëri
 » Suzana Kuqi
 » Shazim Mehmeti
 » Shpendi Sollaku
 » Skënder Rusi
 » Shpëtim Kelmendi
 » Skënder Temali
 » Sarë Gjergji
 » Skënder Luarasi
 » Stavri Pone
 » Suzana Zisi
 » Shqipe Malushi
 » Sadik Krasniqi
 » Salajdin Salihu
 » Selim Çerkezi
 » Sabit Rrustemi
 » Skender Biqkaj
 » Sami Gjoka
 » Sali Beqiraj
 » Savo Gjirja
 » Shefqet Dibrani
 » Sidorela Risto
 » Shaip Emërllahu
 » Syhejl Havolli
 » Stefan Martiko
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët S-SH » Stavri Pone
 
Lotët e Trëndafilit - Fragment IV
E marte, 19-06-2007, 05:37pm (GMT)

Pas ndonjë ore e ca mbërritëm në fshat dhe me udhëzimet e mia, se djali nuk e njihte fshatin, taksia mori rrugën e njohur, rrugën që të shpinte te kasollja e Saj. Sa mirë e njihja atë rrugë, rrugë e qetë fshati, e rrethuar me gjerdhe e plepa dhe, kur zbrita, i thashë djalit të më priste ndonjë orë apo dy. Sa të doni, më tha, ju pres edhe tërë natën, dhe më buzëqeshi me çiltërsi.

Ndalova përpara trinës, gati sa s’m’u ça zemra kur u gjenda atje, aq fort më rrihte. Prisja që Ajo të dilte, siç bënte përherë kur dëgjonte zhurmën e taksisë, por heshtje. Bëra të hapja trinën e të hyja në oborr e ndërkohë vura re se shtëpia kishte ndryshuar, qe lyer nga jashtë me gëlqere, dhe kopshti dukej i mirëmbajtur, i mbjellë e i selitur. Edhe qershia ishte dhe u gëzova. Atë kohë doli në oborr një grua, çka më habiti. Edhe ajo u habit kur më pa e më pyeti se kë kërkoja. Ia thashë e më tha, Oh, nuk banojnë më këtu, kanë nja dy vjet që kanë ikur, ka ikur plaka me nipin, se vajza nuk ka ikur, është këtu, në fshat. Ku këtu?, e pyeta me një frymë, gjithë ankth, çmendurisht i gëzuar që Ajo nuk kishte ikur, por edhe i hidhëruar që Plaka me Nipin nuk ndodheshin, se doja t’i takoja edhe ata, me mall bile, me shumë mall. Banon atje, më tha gruaja, matanë varrezave, atje e ka shtëpinë. E falënderova dhe u nisa me vrap.

Fshatin e lashë pas dhe ndalova buzë një çeltine me bar, përtej gardhit të varrezave, nën një pishë. Atje ishte një mezhdë varri me një kryq druri të pagdhendur e me një rrënjë trëndafili të mbushur me lule të mëdha, të kuqe, të mrekullueshme, që kishin zënë thuajse gjysmën e varrit. Çudi, thashë me vete, një varr jashtë varrezave. Pse kështu? Mos ishte ndonjë që kishte vrarë veten? Ka të ngjarë, thashë, dhe zura të kërkoja me sy se ku mund të ishte shtëpia e Saj, ose më saktë kasollja e Saj, që nuk e dija pse e kishte ndërruar, por asnjë kasolle nuk më zuri syri. Përtej kullosnin disa lopë dhe një tufë patash shëtitnin nëpër bar.

Vendosa ta thërrisja, se mund të më dëgjonte. M’u ndriçua në mendje emri i Saj si i shkruar me zigzage vetëtimash, m’u dritësua në përfytyrim fytyra e Saj e magjishme dhe bëra ta thërrisja, po zëri nuk më dilte. O tmerr, si nuk mund të nxirrja një fije zëri? Tamam si në ato ëndrrat e liga, kur as ecën dot, as lëviz dot. Dhe atë çast, o çudi, pashë se ajri u mbush me petale trëndafilash të bardhë që binin si fluturza bore dhe vërtiteshin rreth meje plot gaz dhe pashë se nuk ishin petale të bardha, por fletë të mbushura me poezi... por poezitë e kujt ishin dhe pse më bëhej se i kisha lexuar?, dhe befas nga qielli zbriti një kopsht i njohur, në të cilin kisha qenë dikur me Atë, po ç’donte ai kopsht atje dhe si mund të zbriste nga qielli një kopsht?, pastaj dëgjova oshëtimën e detit dhe në bregun e mbushur me rërë të bardhë, sa çudi, plazhistët ishin statuja të gurta, të kthyera me fytyrë nga deti, dhe unë pashë statujën e hatashme të një vajze adoleshente të zbuluar në Apoloni, e cila lëvizi dhe u kthye nga unë dhe unë pashë se nuk ishte statuja e adoleshentes, por vetë Ajo, kurse mua më qe dukur si statujë, dhe ja ku m’u shfaq fytyra e saj e ëmbël dhe rrezëllitëse dhe Ajo u derdh drejt meje me klithma gëzimi dhe unë u sula drejt saj dhe në kohën që u afruam e do të përqafoheshim dëgjova një zë të njohur, dashamirës e të butë, që më foli nga pas, dhe unë ktheva kryet dhe pashë figurën e Florës të vizatuar në horizont, pastaj ktheva kokën me vrik nga Ajo dhe pashë se Ajo nuk ndodhej më përpara meje dhe unë u tmerrova dhe i thirra, E dashur, pse ike? Zemër, qendro! Ku je, shpirt? Pse s’po të shoh? Prit, të lutem!, dhe pastaj, i dëshpëruar në kulm, i inatosur me Florën, i ulërita, Pse më ndoqe? Ç’punë kishe të më vije pas? Ti s’më ke përgjuar kurrë!, por Flora, e bërë dyllë, më fërkonte ballin me një shami të lagur, kurse Abazi po bënte gati një gjilpërë për të ma ngulur, po duket ndërroi mendje se e dëgjova që tha, Po e lë, se po qetësohet.

-Ndalojmë pak këtu? - e pyeti Flora duke treguar me dorë një klub në anë të rrugës. - Sa të qetësohet mirë.

-Patjetër, - tha Abazi dhe zbriti.

Flora deshi të më ndihmonte të zbrisja, por ia largova dorën me inat. Zbrita pa ndihmën e saj dhe pashë tabelën e klubit që lexonte: PILO LALA.

Mbërritëm në Tiranë aty nga dreka dhe u desh të kalonte një kohë e gjatë derisa erdhi doktori i duhur për të më vizituar mua. Burrë i pashëm ishte, me flokë të bardhë të dendur, i ngjante shumë Kristaq Shtëmbarit, një miku tim, vetëm se Kristaqi i kishte flokët skrop të zinj.

Doktori më futi në klinikë dhe bisedoi rreth gjysmë ore me Abazin e pastaj nisi të më pyeste mua, më kontrolloi me ca drita e më goditi nëpër gjymtyrë me një çekiç gome, më bëri kontrolle edhe me ca aparatura si televizorë e më tha se kontrollet do të vazhdonin edhe në ditët e ardhme. Më tha se më duhej të rrija për disa ditë në spital, nën kontrollin e tij, që ta merrja veten mirë. Në fund fare u prezantua, tha se quhej Idriz Hysa dhe kishte kënaqësi të më quante jo pacientin e tij, por shokun e tij. Bukur, thashë me vete, m’u shtua edhe një shok tjetër mjek.

Më çuan në një dhomë të pastër, të mobiluar thjesht, një krevat, një komodinë e një lavaman. Goxha mirë, thashë për lavamanin, nuk do të shkoja të laja dhëmbët në çesmat e përbashkëta, si në burg, ku shpesh nuk gjeja radhë tek ai tubi me vrima që quhej çesmë.

Flora më shihte me pikëllim e përpiqej të ishte e qeshur për të më dhënë zemër dhe, kur erdhi koha të ikte, m’u var në qafë dhe nuk duroi dot më - ia shkrepi të qarit dhe nuk lëvizte, derisa e tërhoqi Abazi nga dora dhe ajo u shkëput. Abazi më dha dorën e më tha se herë pas here do të vinte tek unë, po mjek më të mirë se Hysa nuk gjendej, ai do vinte thjesht për vizitë si shok, jo si mjek.

Qëndroja në mesore, te dera e dhomës sime, ku kaloi një pacient me uniformë spitali që seç thoshte me vete gjithë gjeste, dhe unë ndiqja Florën me sy teksa largohej me kokën të ulur, dhe e merrja me mend se lotët e saj rigonin në pllakat e pastra akull të mesores dhe pastaj u zhduk prapa qoshes.

U ktheva në dhomë dhe pashë nga dritarja. Përpara meje hapej një korie me pisha nëpër të cilat lëvrinin njerëz, pashë edhe grumbuj e stiva me rroba, mallra e sende të ndryshme të përhapura gjithandej, deri larg në fushë, vinin e iknin makina, shkarkonin e ngarkonin mallra. Një infermiere më tha se ishte fusha e begsave, ku ndodhej tregu me shumicë. Pasdite vonë zhurmat u fashitën dhe unë u ndjeva i vetmuar, nuk di pse më kishin pëlqyer ato zhurma dhe doja të vazhdonin.

Kontrollet mjekësore vazhduan për disa ditë. Dr. Hysa më mori në klinikën e tij dhe bëri një bisedë të gjatë me mua, më pyeti për të kaluarën time përpara burgut dhe në burg, ku u ndal më gjatë, më pyeti dhe për atë vit që kisha kaluar në shtëpi pas daljes nga burgu. U interesua sidomos nëse kisha pësuar ndonjë ngjarje tronditëse në burg dhe unë i thashë, E gjithë jeta në burg është një ngjarje tronditëse, por ai nguli këmbë në diçka më specifike. E kuptova ku rrihte, do të kishte marrë vesh për krimin tim dhe tani donte që t’ia pohoja vetë. Po nuk ia pohova, i pohova vetëm ngjarjen kur kisha dashur të hipja mbi gardhin e telave me gjemba që të më vriste ushtari, gjë që i bëri përshtypje. Tjetër, më tha, ndonjë ngjarje tjetër? Po ja, kur vdiq një miku im, një njeri i Madh, atë Pali, u trondita shumë. Dakord, po ndonjë gjë tjetër? Hë, sa di ti, o doktor!, thashë me vete, po as unë nuk jam budalla. Do që të pohoj krimin, të marrësh në telefon policinë dhe të vijnë policët, të më hedhin prangat, dhe të më çojnë prapë në atë burg të llahtarshëm?

Po, ja i thashë, një ditë ndodhi një shembje në galeri, dhéu më zuri poshtë e u tmerrova. Siç e shihni, nuk vdiqa, u vrava pak, po vetëm kaq, doktori i burgut tha se kisha qenë me fat që nuk më qe këputur ndonjë krah a këmbë. Pashë se kjo që i tregova i bëri përshtypje. Ndonjë gjë tjetër? më pyeti. Hë, sa këmbëngulës qenke!, thashë me vete dhe prapë i bishtnova. Me siguri do të ishte ekspert edhe në kriminalogji. Po ja, shkruaja fshehtas ca shënime, ese, siç i thonë ndryshe, që ishin kundër diktaturës dhe kisha frikë mos më kapnin policët, m’i gjenin e më dënonin prapë. Siç më kishin dënuar në vitin 1980, kur më kishin gjetur ca shënime të ngjashme me to. Në rregull, tha, dhe nuk më bëri më pyetje të tjera. I japim fund për sot. Çka do të thoshte se prapë do të më pyeste për ndonjë ngjarje tronditëse në burg. Pyetëm sa të duash, thashë me vete, krimin nuk e tregoj.

Kështu, u bëra pacient i rregullt i Dr. Hysës, bisedat me të nuk kishin fund dhe një ditë, në një çast lëshimi, që nuk e di nga dreqin më erdhi, ndoshta nga bindja se Dr. Hysa e dinte krimin tim dhe më kot e mundoja duke e detyruar të më bënte pyetje pa pushim, ia pohova. Po, doktor, i thashë, më ka ndodhur edhe një ngjarje tjetër tronditëse. Kam vrarë një njeri.

Ai mbeti pa frymë nga habia. Me hetoi mirë e mirë a flisja seriozisht, apo ishte një mendim delirant që e fantazoja.

-E vrava sa i luajta fenë. E kishte hak.

-Ku, në burg?

-Jo, jo në burg, - dredhova në çast. - Kush vret dot në burg? Policët atje janë të aftë zbulojnë kush është fajtor në një grindje të thjeshtë, jo më një krim. Jo, nuk e kam bërë në burg.

-Po ku?

-Atë e di vetëm unë dhe Zoti, po qe se ka Zot. Po qe se jo, aq më mirë, nuk kam asnjë dëshmitar.

Nuk i thashë se të vetmit njeri që ia kisha treguar krimin kishte qenë atë Pali, sepse ky rrëfim do të zbulonte vendin e krimit, çka ishte njësoj e rrezikshme.

-Kë ke vrarë?

-Një që e kishte hak. Jua thashë një herë, doktor.

-Të paktën më thoni kohën kur e keni bërë, para burgut, në burg a pas burgut.

-Nuk e tregoj. Boll që ju thashë se kam bërë një krim dhe besoj se kjo mjafton.

-Nuk mjafton. Do të doja të dija më shumë hollësi që të merrja vesh diçka më mirë për turbullimin tuaj dhe për mjekimin tuaj.

-Ah! Po ligji nuk hyn fare në këtë mes? I zgjuar jeni, doktor, për besë!

Ai nuk e prishi terezinë.

-Unë jam mjek, nuk jam as jurist e as polic. Mua më intereson tronditja juaj për shkak të atij krimi.

-E di si është puna, doktor? Unë nuk kam bërë kurrfarë krimi, gjithçka që ju thashë ishte fantazi. Unë kam qenë jurist dhe e kam pasur për detyrë t’i dënoja krimet, jo t’i bëja vetë.

Dr. Hysa qëndroi një hop në mëdyshje, i ngarritur të fliste, pa qenë i sigurt nëse kisha bërë vërtet ndonjë vrasje apo jo.

-Në rregull, i japim fund për sot, - më tha. - Do të vazhdojmë më vonë. Në rastin tuaj bisedat janë ndër mjekimet më të mira, në mos më i miri. Ilaçet i pini rregullisht?

E kishte fjalën për një grusht tabletash që pija çdo ditë.

-Po. Ku ikën infermierja pa më parë që i pi të gjitha?

-Bukur. Mund të shkoni.

-Desha t’ju thosha edhe diçka, doktor, mundem?

-Posi jo?

-Pas asaj shembjes për të cilën ju fola, tek unë ndodhi një ndryshim i habitshëm në mënyrën e të lexuarit, lexoj me shpejtësi fantastike.

-Si kështu? - tha pa ma varur fare, duke shkruar diçka në kartelë.

-Ja që kështu. E lexoj një libër mesatar prej 300 faqesh për 25-30 minuta.

Ngriti sytë e më pa. Kujtoja se do të interesohej për atë çudi, siç qenë interesuar shokët e mi të burgut, por ai, me ç’pashë, nuk i kushtoi rëndësi. Megjithatë, më pyeti:

-Kështu keni lexuar përherë?

-Jo. M’u shfaq pas asaj shembjes në galeri.

Pashë se një buzët e tij lëvriu një buzëqeshje mosbesimi, si ajo hardhucka që del nga vrima e murit për një çast dhe futet prapë në të me shpejtësi. E kuptova - kujtoi se ishte një halucinacion imi, domethënë një dukuri normale për një pacient si unë, ndaj më hipën nervat.

-Mund të bëni një provë. Mund t’ju hyjë në punë për mjekimin tim.

Pashë se sikur nuk i erdhi mirë që kisha ndërhyrë në punën e tij. I dha fund të shkruarit, u ngrit nga tryeza, më rrahu supin miqësisht e më tha:

-S’është nevoja për prova të tilla. Edhe po qe se lexoni aq shpejt, kjo s’ka të bëjë me turbullimn tuaj. Që lexoni, bëni mirë, po mos u lodhni shumë. Sa të qetësoheni, pastaj mund të lexoni sa të doni.

E ndjeva veten të fyer, nuk më kishte besuar.

-S’doni të bëjmë një provë?

-Them se s’është nevoja. Megjithatë, po qe se ngulni këmbë, e bëjmë, po jo sot.

Më tërhoqi butë nga krahu dhe më shoqëroi deri te dera e dhomës sime, më përshëndeti e u largua. Provën nuk ma bëri asnjëherë dhe unë nuk e ngava më atë muhabet.

Të gjithë librat që më kishte sjellë Flora i kisha lexuar, po ngaqë nuk kisha të tjerë, i lexoja prapë e prapë, duke u munduar t’i lexoja sa më ngadalë. Në spital kishte dhe njëfarë biblioteke, ku shkova një ditë e u hodha një sy titujve. Nuk ishin libra për të qenë dhe nuk mora asnjë për të lexuar. Pas një muaji Flora më solli ca libra të rinj dhe u gëzova shumë.

-Tori, - më tha si me turp, - e kuptoj dëshirën tënde për të lexuar, po jemi pak si hollë... Ti e di, mamaja pensionin ka, rroga ime dhe e Nardit mezi na del se kemi dhe fëmijët, dhe më kupto, librat janë shumë të shtrenjtë...

Edhe pse me ardhjen e demokracisë Florën e kishin marrë përsëri në teatër, rolet e saj tashmë ishin të rralla, nuk luante më role vajzash të reja punëtore, studente apo aksioniste, që bënin dashuri socialiste, po rolin e ndonjë nëne a gjysheje. Le që dhe pjesët teatrale tani qenë rralluar; një vënie në skenë, tha Flora, kushtonte shumë më tepër nga ç’fitohej nga biletat. Njerëzit, sidomos të rinjtë, as që e kishin mendjen te teatri, kishin halle të tjera, merreshin me biznese ose luftonin të gjenin viza për të shkuar në Perëndim për të punuar.

Për disa ditë pas ikjes së Florës pata turbullime të vazhduara, flisja me vete, më shfaqeshin figura të frikshme dhe njëherë m’u bë se ai që kisha vrarë u ngrit nga poshtë pirgut të gurëve dhe ndonëse qe bërë skelet, e njoha që ishte ai, m’u vërsul të më sfokte me krahët e tij kockorë që edhe pse pa muskuj, lëviznin normalisht, dhe më shikonte me sy fosforeshentë, domethënë me zgavrat e syve, athua se brenda tyre ishin ndezur dy llambushka.

Dola nga dhoma i tmerruar e duke i bërtitur, Ik, zhduku, e pate hak që ta bëra ashtu!, po ai vazhdonte të më ndiqte e megjithëse në mesore u ndodhën dy infermiere, edhe sanitarja me shtupë, madje dhe dy mjekë, Hysa nuk ishte, u mblodhën dhe disa pacientë, skeleti nuk donte t’ia dinte për ta dhe pastaj nuk mbaj mend ç’ndodhi, se kush qe ai që më kapi nga duart, nga supet, më shtrënguan edhe duar të tjera e më çuan në dhomën time, ku ndjeva dy a tri pickime gjilpërash dhe humba në gjumë.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Lotët e Trëndafilit - Fragment V (15-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VI (14-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VII (11-06-2007)
Lotët e Trëndafilit - Fragment VIII (10-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]