Letërsia Shqiptare

Lotët e Trëndafilit - Fragment VI
E enjte, 14-06-2007, 05:42pm (GMT)

Më pas Pirroja më solli Vedat1 e Indisë së Lashtë në anglisht, 4 libra. Mësova se veda do të thotë dije e shenjtë e megjithëse asokohe më bëhej se isha Demiurgu2 Filozof, prapëseprapë në rrokjen e kozmosit isha në errësirë, por besoja se duke lexuar do të kapja diçka nga misteri i tij. Universin e mendoja si një sfinks që fillon nga galaktika më e madhe deri te grimca më e vogël. Zhytesha në vramendje dhe kërkoja të dija ç’ishte e Vërteta Absolute, ose Shpirti i Botës, i cili e rrok krejt Gjithësinë, por, si një pjesëz e Gjithësisë që isha, unë nuk mund ta kapja dot të tërën. Sepse aq aftësi më kishte dhuruar Hyji i Përbotshëm dhe falë këtyre aftësive mund të zbuloja vetëm një pjesë të Ndërgjegjes së saj pa qenë e mundur të kaloja tej cakut të natyrshëm dhe të sfidoja Zanafillën prej nga buronte destini im. Se, a mund të eksplorojë pjesa të tërën, aq më tepër kur kjo e tërë është e pafund?
(1) libra me shkrime të shenjta të shkruara në gjuhën sanskrite në Indinë e Lashtë
(2) krijuesi i botës (sipas Platonit); Zoti; faktorët pjesëmarrës në krijim

Mjeti im i vetëm ishte fantazia, ajo ecte më shpejt se drita dhe shkonte më larg se ajo, arrinte yllin më të fundit të galaktikës më të fundit, po ç’kishte përtej saj? As fantazia nuk arrinte ta përshkonte Kozmosin dhe do të isha i lumtur sikur ajo të më pajiste me aq dije sa kishte bërë rrugë.

Një natë, ose më saktë një mëngjes, afër agsholit, më pllakosën ca përsiatje për filozofët. Cili filozof, mendoja, nuk rend për të Vërtetën si për Bukuroshen e Fjetur, të mbyllur në kështjellë, e cila rri në pritje të Princit të saj që do ta puthë e ta zgjojë? Ai do të luftonte për të, do të futej në duel me pisqollën e tij filozofike nga e cila do të zbrazte saçme idesh të derdhura prej kohësh që nuk mbahen mend, do të përleshej me rivalët dhe kur fishekët t’i mbaroheshin do të kërkonte litarin e sofizmave për të zbritur shkëmbenjve bashkë me Princeshë/të Vërtetën e tij që do të ishte e vërtetë për të, por hije për të tjerët. Të mjerët filozofë ëndërrtarë… Një natë tjetër demoni im i brendshëm, ai i miri, si i Sokratit, më pyeti ç’më duhej të kërkoja të Vërtetën kur mund të jetoja fare mirë edhe pa të. Dua, iu përgjigja, se nga analogjitë e përbotshme mund të arrij të përftoj një ide se pse, pas një Lufte aq fisnike, në të cilën u derdh gjak i pastër, lindi totalitarizmi si në botë, edhe në vendin tim, pse lindi një përbindsh si Diktatori ynë që i nxiu jetën një populli të tërë? A lind Shpirti i Botës përbindsha? Kush i pjell vallë? E parëndësishme është të duash të dish të Vërtetën për një arsye të tillë?

Një ditë, në drekë, më ndodhi diçka e habitshme. Sapo kisha lexuar një libër për stoicizmin, që për mendimin tim është rryma e parë filozofike serioze e Greqisë së Lashtë, e themeluar nga Zenoni e Kleanthi dhe e vazhduar nga Krizipi e të tjerë duke pushtuar edhe Romën. Sa pashë sanitaren duke më sjellë drekën në tabaka, u zhduka. Nuk e di pse më bënin privilegj, mbase ngaqë kisha qenë i burgosur politik, ma sillnin ushqimin në dhomë. Sanitarja nuk e vuri re zhdukjen time, çka më habiti, sepse kur ajo nuk kishte dalë nga dhoma, unë nuk ndodhesha në të.



U gjenda në Athinë afër drekës, në një ditë të bukur shtatori të mbytur në një pluhurnajë diellore, ku natyra e peizazhi athinas shkëlqenin me tërë bukurinë e madhështinë e tyre dhe malet Parnas, Pentel dhe Imitos mbanin ende mbi supe mantelet e gjelbra me ndonjë pllangë verdhane aty-këtu. Athina e Lashtë më la pa mend me bukurinë e saj, sidomos me mrekullinë e Akropolit mbi të cilin ngrihej Partenoni madhështor, tempulli i virgjëreshës Athina, mbrojtëses së qytetit, por më pëlqyen edhe rrugët qendrore, të pastra, të shtruara me kalldrëm, me ndërtesat e bukura e me tempujt e shumtë me kolona, shtëpitë e ulëta, të fshehura mes kopshtiesh të blerta.

Çapa gjer në agora1 dhe hodha sytë përqark. Sheshi ziente nga gjallëria, mbushur rreth e qark me dyqane, qoshqe e tezga ku shiteshin llojlloj gjërash - vazo, qypa, rroba të leshta e të mëndafshta, fruta e zarzavate, zbukurime terrakote, mish i sapotherur, vezë e lule të freskëta. Në një cep pashë një qoshk e iu afrova. Një bankier shkëmbente monedha të huaja me monedhë vendase, pranë banakut qëndronin dy a tri aziatikë.
(1) pazari, sheshi i tregut në Greqinë e Lashtë

Më tej më zuri syri një platformë si ndonjë metër të lartë nga toka ku gjendeshin katër-pesë skllevër për t’u shitur, të gjithë gjysmë të zhveshur që t’u dukeshin më mirë muskujt. Nuk di pse m’u dhimbsën ato qenie njerëzore të panjohura dhe ktheva shikimin nga një ndërtesë dykatëshe me kolona, me ballkone të bukura, ku disa gra e vajza soditnin tregun.

Më pickoi hundën një erë e mirë qoftesh të skarës dhe mpreha shikimin: në një qoshe të agorasë ishte një stendë me çati të sheshtë dërrase të mbajtur në katër shtylla druri. Piqeshin qofte e bërxolla në gaca qymyri dhe nxitova për atje. Por sa hodha dy hapa, u ndala, se nuk kisha asnjë monedhë vendase. Uria po më gërryente, po si t’ia bëja? Vrisja mendjen më kot, nuk gjeja zgjidhje.

Diku në anë të sheshit pashë një karro të mbushur cip më cip me fuçi, mbase me ullinj. Iu afrova e qëndrova mënjanë. Një burrë i ngjallur doli nga dyqani e se ç’bisedoi me karrocierin. Ky se ç’i tha dhe burri, duket i zoti i dyqanit, hodhi sytë nga tregu i skllevërve dhe u nis për atje. Me siguri do të kërkonte të merrte dy-tre syresh me qira për të shkarkuar karron. I dola përpara dhe e ndala, e pyeta nëse kishte nevojë për ndonjë punëtor shkarkimi. Më pa nga sytë këmbët dhe e kuptova që nuk ia mbusha synë, po duket i erdhi keq e më tha ta prisja, e kuptoi që doja të fitoja ndonjë kacidhe. Pas pak u kthye me dy skllevër të fuqishëm të moshës sime kur isha futur në burg.

Më vetëtiu në mendje galeria e përbindshme në barkun e malit, po s’ishte koha për meditime dhe bashkë me skllevërit ia nisëm punës gjyrykthi. Skllevërit kujdeseshin për mua dhe unë zëre se punoja, pasi nuk më linin. Për pak minuta shkarkuam taliken e i futëm fuçitë në dyqan. Pronari në fillim më pagoi mua, më mbushi një dorë me dhrahmi, pastaj shkoi të paguante të zotët e skllevërve.

I kënaqur, u drejtova nga qoshku i qofteve dhe u denda duke ngrënë bukë elbi me qofte të ngrohta, që më shijuan sa s’bëhet. Ndërkohë kërkoja me sy ndonjë njeri me pamje intelektuali që mund ta njihte Zenonin e Sitiumit ose të paktën të kishte dëgjuar për të. Por nga veshja nuk i dalloje lehtë grekët e vjetër se kush ishte i ditur e kush jo, mund të dalloje se kush ishte i pasur e kush jo, se ndodh që të diturit vishen më keq se të varfrit. Megjithatë, ndala një burrë thuajse të moshës sime dhe e pyeta mos vallë e njihte Zenonin e Sitiumit. Oh, m’u përgjigj burri, kush nuk e njeh mësuesin e mençur fenikas? Shumë prindër i çojnë djemtë në Stoan e tij, ndonëse është ca i lajthitur dhe ka ca ide të çuditshme. Edhe unë e çova djalin për ca kohë tek ai, po më pas e hoqa.

Ai uli zërin e shtoi:

-Se është dhe qejfli i grave. Kjo edukatë nuk më pëlqen, megjithëse djemtë i mëson drejt, me sjellje të mira, po kisha frikë se im bir mund të merrte ca huqe prej tij.

Më bënë përshtypje fjalët e çiltra të burrit të panjohur dhe e ftova të pinim nga një kupë verë në një tavernë aty pranë. U ulëm në një tryezë dhogash e u njohëm. I thashë se vija nga Iliria. E njihte atë vend, kishte qenë ushtar në rini andej nga veriu, dmth në jug të Ilirisë, dhe ruante kujtime të bukura. Më foli ca për to, pastaj e pyeta prapë për Zenonin, ç’mund të më thoshte tjetër për të.

-Si njeri është i shkëlqyer - tha. - Dhe me dije të thella. U mëson djemve gjëra praktike, sidomos tregtinë, që e njeh mirë. Pi shumë verë, po nuk del kurrë i dehur. Ka pasur një mësues të rreptë, Kratin, që ia hoqi sqimën, sidomos në të veshur, se pispillosej si femrat. Tani e sheh edhe me zhele, ndonëse mbahet pastër. Po ka atë xanxën që të thashë, ka qejf gratë e bukura, nuk di sa e quani xanxë ju andej, se vini nga tjetër vend.

Hajde llaf, thashë me vete. E kush nuk i ka qejf? Madje figura e Zenonit sikur u lartësua në sytë e mi. I porsanjohuri vazhdoi:

-Shumë nga miqtë i janë larguar, se u thotë, Po më pëlqeu gruaja jote do ta palloj, mos të kemi llafe. Dhe ty, po të pëlqeu gruaja ime, merre e bëj qejf. Nuk është i martuar, me sa duket as ka ndërmend, me gratë e miqve nuk shkon, vetëm sa i tremb e i ngacmon. Ka dashnore gra nga të areopagasve, i shkojnë pas vetë, është i pashëm e i gojës. Shkruan dhe shumë. Ka një shërbëtore të bukur dhe drekat e darkat që shtron janë ndër më të dëgjuarat në Athinë. Fiton shumë, se prindërit e paguajnë mirë për mësimet që u jep djemve, po merret edhe me tregti, e ka në gjak, i vijnë mallra nga Lindja, tapete, erëza e plot gjëra të tjera që ia shesin administratorët.

Pagova për verën, u ngritëm e dolëm. Burri më tregoi rrugën që të çonte te Stoa Poikileja e Zenonit. Mbi agora e ke, më tha, dy çapa larg, merr rrugën majtas, kalo përgjatë Teseionit dhe Buleteurionit e do dalësh te stoa e tij, është me bojëra ajo.

E falënderova dhe u ndamë. Pas pak u gjenda te shkolla e Zenonit, hyra në oborr e mbajta hapat. Ishte një ndërtesë e gjatë njëkatëshe me kolona të pikturuara me ngjyra të ndezura nën hajatin e së cilës ndodheshin një sërë bankash prej druri ku rrinin ulur djem të moshave të ndryshme, me rrotulla papirusi të hapura përpara vetes. Zenoni ecte përgjatë hajatit, zhdukej për një grimë pas një kolone e shfaqej sërish. E kundroja më nge, duhej të ishte më i ri se unë, te të dyzetat, i veshur me një tunikë bojëhiri, një bluzë me ngjyra sipër saj dhe në duar mbante një rrotull papirusi. Qëndrova pas një kolone, kisha qejf të dëgjoja zërin e tij e hëpërhë nuk doja të më shihte.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.