Zenoni shpjegonte përpara klasës.
-Si futet natyra te njeriu? - bëri një pyetje retorike e vazhdoi: - Drita e diellit është zemra jonë, e pastër dhe e ndritshme, por edhe kur ka re ne prapë shohim sa të mos bëjmë gjëra të verbra, dhe kur ka vetëtima prapë shohim dhe kuptojmë grimcën e çastit të arsyes dhe nëse vetëtima godet, kuptojmë se ne nuk duhet të godasim ligsht e verbërisht si ajo dhe, duke e ditur këtë, u shmangemi verbërive të na-tyrës që është e papërsosur në përsosmërinë e logosit të saj, dhe kur drita e yjeve na ndriçon në verbërinë e netëve të shpirtit tonë dhe në netët e turbullirave apo të luftërave, ne orientohemi nga yjet që kemi brenda nesh sa të dalë dielli i paqes. Natyra është jashtë nesh dhe brenda nesh… Sa më mirë ta lexojmë natyrën, aq më mirë do ta kuptojmë e do ta shkruajmë atë brenda vetes sonë.
Nxënësit e dëgjonin si të hipnotizuar, aq ëmbël tingëllonte zëri i Zenonit.
U largova nga kolona dhe u afrova ngadalë. Zenoni ishte me shpinë nga unë dhe nuk më pa. Disa nga nxënësit ngritën kokat e po më vështronin me kureshtje. Zenoni shkoi gjer në fund të hajatit, te nxënësi i fundit, u përkul mbi të, hodhi shikimim mbi papirusin e tij, diçka i tha e u kthye për këtej. Atë çast më pa, qëndroi një grimë me sytë nga unë si të donte të verifikonte a mos isha prindi i ndonjë nxënësi, po si nuk më njohu, m’u afrua.
E kundrova me vëmendje, ishte një burrë i hijshëm, zeshkan, flokëdrudhë, me sy inteligjentë e të gjallë, me një fytyrë gjatoshe me një mjekër të zezë të lënë si ndonjë gisht të gjatë, që i shkonte. Vinte i hollë e i gjatë, por me trup muskuloz. I thashë se isha një dashamirës i dijes nga Iliria, kisha dëgjuar për të dhe kisha dëshirë ta njihja nga afër. U gëzua pa masë, më dha dorën, madje më përqafoi, u prek shumë që kisha ardhur nga aq larg për ta takuar. Më tha të prisja një minutë, u kthye nga nxënësit, u tha se mësimi për sot mbaroi dhe djemtë u ngritën gjithë gaz duke mbledhur librat e duke i futur nëpër çantat e tyre ca prej leshi ngjyra-ngjyra e ca prej liri.
Nxënësit përshëndetën mësuesin, i cili, si mbeti vetëm me mua, më tha të shkonim në një tavernë të mirë, të hanim, të pinim e të kuvendonim dhe në darkë do të isha mysafiri i tij, të rrija sa të doja e po të doja mund të lexoja ndonjë shkrim të tij. E falënderova për mikpritjen e i thashë se nuk mund të rrija më shumë se një natë. Pashë se iu prish qejfi, donte të rrija më gjatë.
Ktheu kryet mënjanë, i fëshkëlleu dikujt si çunat dhe ja ku u duk një burrë i vjetër, nga veshja skllav, që iu përkul të zotit me nderim. Ishte koçiari. Dolëm në rrugë, hipëm në koçi dhe nisëm të troshi-teshim nëpër kalldrëmin e rrugës rrëzë Akropolit. Shtëpitë tani vinin më të dendura, u dukën edhe dyqanet e pijetoret e lagjes, ndonëse jo lagje qendrore. Në një lokal pranë Teatrit të Dionisit, rrëzë Akropolit, më ra në sy një tabelë me shkronja me ngjyra të ndritshme ku shkruhej KURVËTORE dhe në të majtë të hyrjes ishte reklamë e madhe sa një bojë njeriu që paraqiste një bukuroshe gjysmëlakuriq.
Zenoni e vuri re shikimim tim, buzëqeshi e më tha, Këtu janë kurvat më të bukura të Athinës. Pronarja kërkon shumë, po të qeras unë, mund të shkosh që tani, ka brune e bjonde, të kolme e imcake, si t’i duash. Ia ktheva me buzë në gaz se hëpërhë nuk kisha nevojë (në fakt ma kishte qejfi, po më vinte zor), dhe koçiari vazhdoi rrugën. Te taverna e Dhimos!, i tha Zenoni koçiarit dhe pas disa minutash koçia u ndal përpara një taverne afër qendrës së qytetit.
Taverna ishte plot me klientë. Shumica e përshëndetën Zenonin me respekt, kurse mua më panë me kureshtje. U ulëm dhe në çast ia mbërriti kamerierja, një zezake bukuroshe, me një një trup të derdhur e gjinj të mëdhenj, më hodhi një vështrim të ëmbël e duke m’u mbështetur lehtë në sup na pyeti ç’do të merrnim. Zenoni shpalli:
-Dy koka dashi të pjekur, dy gjuhë, dy bërxolla derri, dy thëllënza, dy kupa xanxiqe dhe dy poçe verë, po deshëm prapë, të them vetë.
U habita me atë menu aq të pasur, kur mua do të më mjaftonte vetëm një gjysmë koke dashi, po nuk thashë gjë. Erdhi porosia, ngritëm shëndetet për njëri-tjetrin e duke ngrënë e pirë u shtruam në muhabet. E pyeta për thelbin e filozofisë së tij, por më ndërpreu:
-E ç’filozof jam unë? Jam Anaksagora, Pitagora, Sokrati, Platoni apo Aristoteli? Unë përpiqem të them diçka dhe aq.
-Po ajo diçka është madhështore, - i thashë dhe e ndjeva se po më kapte vera. Gjellërat ishin aq të shijshme, sa nuk tregohet. - Jeni i pari që keni hedhur idenë e madhe të lirisë si shkrirje me natyrën, si shembulli i përkryerjes së saj, - vazhdova me pasion. - A nuk është kjo thelbi i filozofisë suaj?
Më tha se boshti i saj ishte afër asaj të bashkëkohësit të tij të madh Epikuri (Zenoni ishte tetë vjeç më i vogël), ndonëse u përkisnin dy shkollave të ndryshme. Edhe Zenoni theksonte rendjen pas lumturisë, kërkimit, pasionit, mençurisë, marrëzisë, urtësisë…
-Cila është liria më e madhe? - e pyeta.
-Liria e ideve. Është zgjerim i harmonisë kozmike.
Mirë, po a e merrni me mend përse më dënoi diktatura?, desha t’i thosha. Për lirinë e ideve. Si të ma kishte lexuar mendimin, Zenoni më tha se demokracia athinase ishte deformim i republikanizmit, çka ishte vërtetuar më parë me Sokratin.
-Teorinë tuaj do ta thellojnë edhe filozofë të tjerë, - i thashë. - Për shembull Kleanthi….
Zenoni më pa me habi.
-E paske dëgjuar? Jemi moshatarë dhe miq. Diskutojmë e zihemi shpesh, po është njeri i shkëlqyer dhe shumë i thellë. Atij po, i them filozof unë. Është dy vjet më i vogël se unë, po shumë më i ditur.
Heshti pak e shtoi:
-Ka një grua të bukur, një vogëlushe të ëmbël, dhe e ngacmoj: do të ta rrëmbej Aspën. Po nuk ma merr për keq, e di që nuk e bëj, nuk shkoj kurrë me gratë e miqve. Po ju andej si e keni këtë, të lejueshme?
-Si rregull, jo, - i thashë, po nuk u ndala shumë në atë pikë, se do të më duhej t’i thosha se për këto punë andej nga ne kërciste pushka, ndonëse unë, edhe pushkë të kisha, nuk do ta kisha vrarë kurrë Saimirin, po Zenoni nuk e dinte ç’ishte pushka, do të më pyeste për të, mund të më merrte edhe për të lajthitur e mund të prishej fare gjithë ai muhabet i këndshëm e i përzemërt.
-Mua më intereson të di pse e theksoni aq fort etikën në filozofinë tuaj, madje e bëni baras me logjikën, e cila duhet të jetë baza e bazave. Ju me të drejtë theksoni materialitetin e botës dhe pranoni logosin, arsyen hyjnore, pjesë e së cilës thoni se është shpirti i njeriut.
Zenoni qeshi, rrëkëlleu poçen e verës, porositi dy të tjera, ama të pirë që bënte!, më hodhi dorën në sup e më tha me mirëdashje:
-Sepse, i dashur koleg, pa një etikë të mirë nuk mund të lindë kurrë një filozofi e mirë. Etika është më e gjerë se filozofia, parimet morale themelore gjenden në të gjitha filozofitë, kurse teoritë filozofike janë pa fund dhe nuk i hedhin poshtë parimet themelore të moralit, që numërohen me gishta. Asnjë moral nuk e përligj kusarinë, poshtërimin, përdhunimin e të tjera e të tjera, por disa filozofi pranojnë disa parime që janë moralisht të papranueshme për një tjetër, për shembull, homoseksualizmin. Edhe disa nga filozofët tanë e pranojnë dhe përgjithësisht morali ynë e pranon, ndonëse teoria ime është kundër tij. Po ashtu, në disa vende, morali e quan të papranueshme skllavërinë. Budizmi, me sa di unë, nuk e pranon. E njihni budizmin?
-Pak. Di se Buda ishte njeri, më pas u shfaq si perëndi. Rëndësi ka që njeriu te Buda gjen njeriun, çka nuk e gjen te një perëndi që është i parrokshëm për të. Në vramendjen e tij njeriu më mirë kupton sivëllanë e vet, sesa një perëndi. Gjen tek ai limitet e veta dhe pret me ankth zgjidhjet që do t’i japë ky njeri-perëndi, që atë e mundojnë si njeri.
Zenoni më pa me admirim.
-Pra, qenkeni filozof.
-Jo. I studioj filozofët, bëj ndonjë sprovë edhe vetë, po jam larg filozofit.
-Jo, jo, je filozof, - tha Zenoni dhe rrëkëlleu poçen e tretë të verës. - Po a s’u japim fund llogjeve për filozofët, se na u pordhën trutë? Bëjmë një shëtitje dhe në darkë shohim Elektrën, nuk më mërzit kurrë ajo dramë.