Letërsia Shqiptare

Lotët e Trëndafilit - Fragment VIII
E diel, 10-06-2007, 05:45pm (GMT)

Zenoni pagoi, i la një bashkish të mirë kamerieres, dolëm e hipëm në koçi. Shkuam në qendër të Athinës, ku pashë Areopagun1, Pniksin, vendin e mbledhjeve, shkuam te Porta e Shenjtë, kaluam Qimiteron e dolëm në Rrugën e Shenjtë, në vendin ku ajo kryqëzohej me rrugën Ermou, shëtitëm si dy djem shkolle duke bërë shaka e qyfyre, ishim çakërqejf nga vera dhe kur zbritëm nga koçia ende na merreshin këmbët. Kudo shiheshin afishet e Elektrës së Euripidit.
(1) këshilli i arkondëve i krijuar nga Soloni; Gjykata e Lartë në Athinën e Lashtë

Nga një kurvëtore në anë të sheshit Sindagma doli një bjonde e bukur, iu afrua Zenonit, e kapi nga supet, e puthi dhe, siç duket, donte ta merrte brenda, po Zenoni nuk pranoi, i tha se ishte me një mik, domethënë me mua. Vajza më hodhi një vështrim e tha, Kemi vajza dhe për miqtë, ose, pasi të mbarojmë bashkë, ia bëj qejfin edhe unë po qe se ia mban xhepi. Nuk është aty puna, ia ktheu Zenoni, xhepi i tij është xhepi im, po kemi punë të tjera. Ai i dha kurvës një të puthur, i fali një metelik dhe vajza hyri në lokal gjithë qejf.

Teatri i Dionisit në jug të Akropolit, pranë Odeonit të Perikliut, llamburiste nga fenerët e vendosur në disa shtylla të larta në të dyja anët e skenës. Shkallët e panumërta ishin plot me spektatorë. Ne kishim zënë vend në rreshtin e parë, ku uleshin njerëzit e zgjedhur të qytetit dhe shërbyesi i teatrit na shtroi shiltet e buta për të ndenjur rehat në shkallët e gurta. U dëgjua një melodi e ëmbël flauti, pastaj ca tinguj harpe, doli kori që u nda në dy pjesë dhe shfaqja filloi.

Tragjedia Elektra edhe mua më pëlqente, Elektra është nga personazhet femra më të dashura për mua, në mos më e dashura, po shfaqja më zhgënjeu. Elektrën e luante një djalë i veshur si femër, zërin e kishte të hollë dhe maska e tij e ngrirë, ndonëse e pikturuar bukur, ta shpifte, po nuk i thashë gjë Zenonit se nuk doja t’ia prishja magjepsjen. Ku ta dinte ai i gjori se ç’ishte teatri modern, ndoshta jo aq i thellë në mendim, por i pasur në butafori e me shumë skena të gjalla; ku ta dinte ai se në skenë femrat i luanin femrat dhe, kur rolet ishin të bukura dhe aktoret të talentuara, të magjepsnin. Ku ta dinte ai se në filma aktoret i shihje edhe lakuriq e madje duke bërë seks. T’ia thosha këto do të më merrte për të shfazuar e do të më vinte drunë.

Dolëm nga shfaqja, i hipëm koçisë dhe mbërritëm përpara portës së Zenonit. Ai dërgoi koçiarin të thërriste Kleanthin, Thuaji të vijë patjetër me gjithë Aspën, e porositi, dhe hymë. Ishte një shtëpi e bukur dykatëshe, me pjesën ballore e me dy pjesë anash, një ndërtesë në formë U-je, pjesën bosh të së cilës e zinte një oborr i vogël. Nëpër ballkonet me pilastra vareshin fenerë të ndezur që e bënin dritë hapësirën laragane dhe tejpërtej oborrit ngrihej një pjergull që kishte filluar ta humbiste gjelbërimin, po jo bukurinë. Në qoshen e majtë ndodhej një pus me bordurë guri e me skelë.

Oborri rreth shtëpisë ishte plot pemë, lule e pjergulla dhe nga fenerët e ndezur nëpër kopsht që plagosnin terrinën mund ta shijoje për mrekulli magjinë që të ngjallte. Në mes të kopshtit ishte një qoshk a belvedere, po jashtë bënte fresk e hymë brenda.

Salloni ishte i gjerë, i mobiluar bukur. Një skllav nxitoi të ndihmonte të zotin të zhvishej dhe të vishte rrobat e shtëpisë, një tjetër i solli një palë pantofle të buta, po Zenoni i urdhëroi të kujdeseshin më parë për mikun. Ata nisën të merreshin me mua, sipas zakonit më pyetën mos kisha nevojë për të shkuar në banjë, gjë që ishte e vërtetë se mezi po e mbaja shurrën që kishte nisur ta ndieja që kur mbaroi shfaqja.

Skllavi më udhëhoqi gjer te banja, në një qoshe të shtëpisë. Banja ishte e gjerë, me një vaskë terrakote. Skllavi më pyeti nëse dëshiroja të bëja një banjë që të lëshonte në vaskë ujin e ngrohtë. I thashë hëpërhë jo, pak më vonë mundet, se nuk duroja dot sa të shurroja. Skllavi priste jashtë derës që të bënte shpëlarjen e nevojshme. Më erdhi zor që rrinte atje, se nuk e mbajta dot një pordhë, po fundja skllav është, thashë me vete, edhe pordhët e zotërinjve do t’i dëgjojë, po shyqyr banja ndodhej larg sallonit dhe nuk besoj që pordha të ishte dëgjuar deri atje.

Një skllave zeshkane, e bukur perri, me emrin Teota, më udhëhoqi në andron, në dhomën e burrave. Quhej ashtu për zakon, se Zenoni nuk e respektonte fare, në të futeshin edhe gratë, që flinin në gjinecium. Pas pak erdhi Kleanthi me të shoqen, një bjonde e lezetshme, pak e shkurtër, po me trup të bukur, e freskët si kumbull, që m’i nguli sytë me kureshtje. Kleanthi ishte nën të dyzetat, po ngjante si djalosh, kishte një fytyrë të pastër, të rruar taze, me një palë sy të zgjuar dhe buzëqeshje të ëmbël. Më mori ngrykë si të më njihte prej kohe.

U ulëm në andron e ia nisëm muhabetit dhe Kleanthi na paskesh qëlluar një njeri me humor të rrallë, i dyti në Athinë pas Sokratit, tha Zenoni. U shtruam me të ngrëna e të pira, me shaka e biseda, dhe darkë si ajo s’kisha parë kurrë. Pas pak erdhën muzikantët dhe tri balerina, i kishte thirrur Zenoni nga një kurvëtore aty pranë po që ishin edhe valltare. Filloi vallëzimi, u ngritën edhe Kleanthi me të shoqen, edhe Zenoni me Teotën, donin të më merrnin edhe mua, po unë jam tapë për të kërcyer, megjithatë bëra si bëra e nisa të kërceja.

Një nga balerinat, e hollë si kallam, me kokoridhka të verdha e të dendura, me një fytyrë e trup që të linte pa mend, e veshur me një fustan mëndafshi të murrçimë, m’u qep keq, nuk më lëshonte dhe, fshehurazi, më puthte. Kujtova se ishte nimfomane1, po jo. Eja sonte me mua, më tha, të marr pa para, kam qejf të bëj dashuri pa honorar dhe nuk kam të dashur. M’u lut të bëshesha i dashuri i saj, pranonte të linte edhe punën për mua, ose të punonte si kameriere apo pjatalarëse, mjafton që të bëhej gruaja ime nëse pranoja për grua një prostitutë. Nuk fola, edhe mua më pëlqente dhe nuk çaja kokën që ishte prostitutë, po të nesërmen që në mëngjes do të largohesha.
(1) femër që karakterizohet nga një dëshirë seskuale e sëmurë, e pakontrolluar

Pashë se iu mbushën sytë me lot dhe vazhdoi kërcimin duke u varur e tëra mbi mua. Më tha se ishte nga Qiproja, çka më habiti, se qipriotet i dija të gjitha brune, se e quanin Minerva, ishte rritur në Athinë dhe më tregoi ca hollësi të tjera që s’i mbaj mend. Vallëzimi pushoi e u mbushëm me frymë, nisëm sërish të hanim e të pinim dhe të tregonim shakara. Objekti i bisedës u kthye te filozofia, ose më saktë te filozofët, te antikllëqet, qyfyret apo anekdotat për ta dhe Kleanthi nisi të fliste për Diogjenin, filozofin më të çuditshëm për nga zakonet që kishte njohur Athina gjer atëherë, tha, dhe tregoi një ndodhi në lidhje me të e Platonin, që më pëlqeu shumë.

-Platoni, filozof i madh, por sqimatar e aristokrat, që dinte të gjente të mesmen e artë dhe nuk i kundërvihej pushtetit, siç bëri Sokrati, mësuesi i tij, i kishte zët cinikët, sidomos Diogjenin. Një herë u grindën keq dhe Platoni e shau qen, prej nga vinte dhe emri i tyre, se predikonin jetën me moral të lirë, madje Diogjeni nuk kishte as shtëpi, po jetonte në një vozë. Në fakt e kishte një barakë, po njerëzit i zmadhojnë gjërat. Nejse, një ditë qëllon që Platoni kalon me koçinë e tij lukzose pranë barakës së Diogjenit dhe i flet me tangarllëk, pa zbritur për ta takuar. Hë, mor qen, i thotë, si ia kalon? Mirë, iu përgjigj Diogjeni, po eja të këmbejmë dy fjalë, se qen jam vërtet, po mos ki frikë nga unë, nuk jam nga ata që hanë ***.

Qeshëm të gjithë. Kleanthi vazhdoi me qyfyre, darka mbaroi dhe mysafirët u ngritën, por Zenoni kishte plot dhoma dhe i mbajti për të fjetur, se kishte kaluar mesnata. Mua më tha mënjanë se po të doja mund të flija me Teotën, skllaven e tij. E falënderova e i thashë se po të më lejonte, doja të rrija me një nga balerinat, më ishte lutur vetë. Pranoi me kënaqësi, po të duash merri të tria, më tha, krevati mban vetëm dy veta, po në dhomë janë edhe dy minderë e mund të rregullohen atje. Jo, ia ktheva, do të marr vetëm Minervën.

Hymë në njërën nga dhomat e mysafirëve, në katin e dytë, një dhomë e madhe, e mobiluar bukur, me orendi të Lindjes. Kishte njëfarë joshjeje e misteri ajo dhomë që nuk e kisha ndeshur kurrë, binte erë mirre e trëndeline, në mure kishte piktura të bukura, nëpër vende të ndryshme vazo të kushtueshme dhe stauteta. Krevati ishte i gjerë sa për tre veta, por Minerva, sapo hymë, as që ia hodhi sytë dhomës, mbylli derën pas vetes e m’u hodh në qafë duke më puthur fort gjithë drithërima e ofshama, ma zuri frymën fare, aq shumë e zgjati puthjen.

E mora peshë dhe e çova në krevat, ajo filloi të zhvishej e të më zhvishte edhe mua. Hapëm mbulesat dhe nisëm ledhatimet, unë me ashkun e një adoleshenti, ajo me zjarrin e saj të natyrshëm, se ndonëse jo adoleshente, nuk ishte më shumë se 25 vjeçe. U zhvesh e u hodh mbi trupin tim ku prapë më mbuloi me të puthura, puthte gjoksin tim leshtor, buzët, sytë, mjekrën gjysmë të thinjur. I ngjan Leonidhës më tha, burrit më të pashëm që kam parë, jo, më i pashëm ka qenë Epikuri, portretin e të cilit e mbaj në shtëpi, se as Leonidha nuk ka hijeshinë e tij, ka një bukuri prej femre Leonidha.

U habita se sa mirë i njihte burrat e shquar të Greqisë, sidomos meshkujt e pashëm. Nuk ke ndot që bën dashuri me një putanë?, më pyeti pas pak me zë të mekur teksa i ledhatoja kurmin e saj të brydhët. Pse të kem ndot?, ia ktheva me zë të butë e m’u dhimbs, ishte aq e dashur dhe e çiltër. Të gjithë jemi nga pak putanër, i thashë, edhe njeriu më i pastër e ka një putanllëk brenda tij, këtë nuk e them unë, e ka thënë Krishti para meje, për të cilin ajo me siguri dinte më shumë se unë, se vendlindja e saj ndodhej afër Judesë, por në çast u kujtova se Krishti s’kishte lindur në atë kohë, dhe e vazhdova dashurinë me të gjer në trallisje, tamam si djalosh, dhe për një çast m’u kujtua Ajo dhe u mpiva i tëri.

Minerva ngriu dhe më pa e hutuar. Ç’ke, më pyeti, nuk je mirë? Kam pirë pak si tepër, ia ktheva, por ngaqë më vinte keq për të, por edhe ngaqë kishte një fytyrë e trup të brishtë e të njomë, seksualisht tmerrësisht joshës, gati aq të bukur sa të Saj, ia fillova prapë dhe u lumturua.

Vetëm afër mëngjesit mbyllëm sytë, në fakt unë se, siç më tha ajo, ajo nuk kishte fjetur, rrinte e më kundronte teksa flija dhe nuk reshtte së më ledhatuari lehtë, aq lehtë, sa të mos më zgjonte.

Kur i thashë se do të nisesha për larg, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë, ia plasi të qarit, m’u lut ta merrja me vete kudo që të ishte, edhe në fund të botës, edhe në atë vendin tim të barbarëve, jo, ti s’je barbar, më tha, je filozof, i mençur, i hijshëm, barbarët s’janë të tillë, kaq të qytetëruar e të kulturuar, kaq të ëmbël e delikatë në sjellje, dhe unë me vete pohoja, Po, nuk jemi barbarë, jemi shumë të qytetëruar, po nuk ishte nevoja t’ia thoshja këtë derisa po ma thoshte vetë.

U vesha e u bëra gati të dilja dhe ajo nuk reshtte së qari, i dridhej trupi, supet e zhveshur, flokët e verdhë. O Zot, vetëm Ajo kishte qarë ashtu, po kur? Në ç’kohë? Nuk e mbaja mend, ndoshta para mijëra vjetësh dhe shpirti i saj kishte kaluar te Minerva, në një trup tjetër, a nuk thoshin Vedat se ekziston rimishërimi?, por nuk ia përmenda Minervës emrin e Saj, e putha për herë të fundit e dola, kurse ajo u plas në krevat e iu zu fryma nga të qarët.

Desh u ktheva për ta qetësuar, po e mblodha veten dhe dola i vendosur, me shpirtin plagë. Po të kthehesha do të vuante më shumë kur t’i humbte sërish çastet e fundit me mua. Vetëm kur hyra në andron dhe ndesha fytyrën babaxhane të Zenonit u qetësova. Ai më ftoi të pinim nga një çaj sa të na sillnin mëngjesin, por i thashë se nuk doja mëngjes, do të pija vetëm çajin e do të nisesha.

Eja prapë, më tha, rrallë më kanë qëlluar mysafirë kaq të këndshëm, tani u binda se ne kemi përfytyrim të gabuar për barbarët, po paska pasur të drejtë plaku Sokrat kur thoshte se barbarët janë më të qytetëruar se ne, nuk fliste kot ai plak i mençur. Erdhi koçia e hipëm të dy, më përcolli deri në Pire. Ktheu, i thashë, se ke mësim. Jo më tha, mësimin e bën Kleanthi, u kënaq shumë me ty dhe të bën shumë të fala.

U puthëm buzë më buzë, u ndamë dhe pashë që u përlot, po e mbajti veten dhe bëri një shaka, Po qe se ajo balerina sëmuret nga malli për ty, më tha, po ta nis me postë, vetëm më lër adresën. E ç’adresë t’i lija, atë të spitalit?
Ajo ka qenë një nga vizitat e mia më të bukura gjatë gjithë jetës. I hipa anijes më të parë që shkonte për në Dyrrah duke i lënë lamtumirën mikut tim Zenon, Atikës e Heladhës…



2

U gjenda sërish në dhomën time të spitalit, me drekën të paprekur mbi komodinë. Hyri sanitarja, siç duket për të marrë tabakanë me pjatat bosh, por kur pa që unë ende s’kisha filluar të haja, u habit.

-Z. Viktor, - më tha, - erdhi një burrë te ju, po nuk e njohët. Tha se quanin...

Nuk po i kujtohej emri i vizitorit.

-Duhet ta ketë shënuar aty, - bëri me shenjë për nga nënkresa ime, - se ju la një letër. Ju solli dhe disa ushqime.

Ktheva kokën me rrëmbim nga nënkresa. Sanitarja doli. Mora letrën dhe e përpiva me sy. Qe shkruar me nxitim me stilolaps, kishte dy njolla në të, ndoshta dy pika lotësh.

I dashur Viktor,
Jam Denisi që ju shkruaj. Erdha t’ju takoja, po nuk më njohët, prita një orë në dhomën tuaj. Besoj se do të kujtoheni kush jam. Që kur dola nga burgu kam pyetur për ju, po nuk kam patur mundësi t’ju vija më shpejt. Doja të këmbenim dy fjalë e t’ju kërkoja ndjesë për sjelljen time atë natë, kur ju qëllova me grushte në rrugicën tuaj, e mbani mend? Gjithsesi, mos më kujtoni për keq. Në fillim ju kam urryer, po pastaj ju kam dashur si vëlla.
Po nisem për larg, dhe nuk i dihet se kur mund të shihemi përsëri. Do të kërkoj mamanë dhe nipin, thonë se janë në Amerikë. Po qe se i gjej, do të bëj çmos t’ju njoftoj.
Ju uroj shërim të shpejtë. E marr me mend sa keni vuajtur në burg, ndofta më shumë se unë. Ju përqafoj si vëlla,
Denisi.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.